![Image](http://www.sportishqiptar.com.al/sporti/Imazhe/Lajme/cela.jpg)
Presidenti Agron Cela(foto)
Presidenca kuqeblu do t'i bëjë kërkesë federatës që në ndeshjet e saj të mos ketë gjyqtarë nga Tirana 29-11-2004
Vllaznia: FSHF, jo më gjyqtarë kryeqytetas!
Vllaznia ka reaguar fuqimisht për gjykimin e ndeshjes me Tiranën. Pas akuzave të trajnerit Bici, dje ka qenë edhe presidenti Çela ai që ka vijuar kritikat e tij mbi gjykimin. Favorizimi i hapur i bardhebluve në këtë takim, për më tepër gëzimin e gjyqtarit të katërt bashkë me stolin e Tiranës në rastin e golit të dytë të këtij ekipi, kanë qenë disa nga elementët ku janë kapur shkodranët. Për pasojë, Agron Çela tani e tutje do të kërkojë në mënyrë publike mosgjykimin nga gjyqtarë tiranas në të gjitha ballafaqimet me ekipet e kryeqytetit. "Kërkesa jonë, që do t'i drejtohet edhe federatës, do të jetë e tillë, që në ndeshjet tona me ekipet e kryeqytetit as vëzhguesi nuk duhet të jetë nga Tirana, jo më gjyqtarët kryesorë, anësorë, apo ai i katërt. Rasti i Kridens Metës të shtunën tregoi edhe një herë se gjyqtarët, përveçse të njëanshëm, janë edhe tifozë. Pse asnjëherë në ndeshjet tona nuk gjykohemi nga shkodranë? Federata ta harrojë një herë e mirë se do të lejojmë të gjykohemi nga gjyqtarë të tillë tifozë," - thotë presidenti Çela. I gjithë ky duf i presidentit të shkodranëve ka ardhur pas një ndeshjeje, ku niveli i gjykimit, sipas tij, ndikoi në rezultatin final. "Loja ka qenë e barabartë dhe, po të kishte pasur një gjykim të drejtë, mund të kishim fituar. Të gjithë e panë që në rastin e golit të parë të Tiranës u shkaktua një faull i pastër ndaj Leandros, por gjyqtari vazhdoi lojën. Ky i fundit, që në fillim të lojës dha dy kartonë për lojtarët tanë, duke i frikësuar ata. Po ashtu, dha edhe disa faulle të paqena kundër nesh, për të mbërritur te rasti i Abilios. Dhënia fillimisht e penalltisë nga kryesori dhe më pas anulimi i saj nga anësori. Këto janë veprime për të qeshur. Fillimisht u tha që Abilio ishte në pozicion jashtë loje dhe më pas që topi përfundoi jashtë. Por asnjëra prej tyre nuk qëndronte, pasi gjyqtarët kërkojnë vetëm justifikime. Jo vetëm që ishte penallti për ne, por duhej të kishte edhe karton të kuq për portierin e Tiranës për atë ndërhyrje të shëmtuar që bëri ndaj sulmuesit tonë. Po të ndodhte kështu, ndeshja edhe mund të kishte fat tjetër. Për këtë qëllim, do të kërkojmë nga federata dënimin e kryesorit dhe anësorit, por edhe të gjyqtarit të katërt. Ne vazhdojmë të jemi viktima të gjyqtarëve që në ndeshjen me Partizanin dhe kjo nuk duhet të ndodhë më," - shpjegon kontestimin e tij presidenti i Vllaznisë. Pavarësisht nga këto, loja e kuqebluve të shtunën në "Qemal Stafa" i ka paraqitur ata dinjitozë, duke risjellë te të gjithë atë imazhin e skuadrës pretendente, me të cilën ishte paraqitur në fillim të sezonit. "Nuk diskutohet që në Tiranë kemi luajtur shumë mirë. Por loja e mirë nuk e justifikon aspak mungesën e pikëve. Na duhen pikët më tepër se kurrë dhe të paktën në këto situata nuk duam t'i kemi as gjyqtarët nëpër këmbë. Gjëra të tilla nuk duhet të përsëriten më, sepse kështu po e pëson futbolli," - është shprehur numri një i klubit shkodran. Pikët e lëna javët e fundit e kanë rënduar shumë pozitën e skuadrës shkodrane në renditje. Diferenca e madhe me kreun dhe qenia e saj në vendin e katërt në renditje janë tregues aspak të denjë për shpenzimet e mëdha që ka bërë presidenca e këtij klubi. Megjithatë, Agron Çela mendon se ngjitja e skuadrës së tij tashmë ka filluar, prandaj në fund do të thoshte: "Ndeshjet me Lushnjën, Teutën dhe Egnatian nuk do të përsëriten më. Për këtë i siguroj të gjithë tifozët tanë, sepse Vllazninë e vërtetë do ta shikojnë që këtë javë kundër Partizanit. Nuk është vendi që i takon të jetë ky i tanishëm për këtë Vllazni, të ndërtuar për të qenë pretendente."[/img]