Post
by Man in Redblue » Fri, 03 Jun 2011 , 12:51
Tme falni qe po e postoi te plote kyt shkrim kaq te gjate, por kjo histori asht nji triller i papame. "Shijojeni":
Griselda tentoi vetëvrasjen: E bëra që të mos humbja Elvisin
Historia e rrëmbimit të një gruaje shtatzënë, detyrimit për të lindur dhe zhdukjes së foshnjës, e cila tronditi dy ditë më parë të gjithë Shqipërinë ka plasur dje si një flluskë sapuni. Gruaja nuk ka qenë kurrë shtatzënë dhe për nëntë muaj me radhë ajo ka mashtruar, duket nga deshira e fortë për ti dhënë një djalë bashkëshortit të saj, Elvisit.
Prokuroria për Krime të Rënda në kryeqytet, me ndihmën e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore dhe mjekëve specialist të Maternitetit "Mbretëresha Geraldin" kanë konfirmuar dje sajesën e 27 vjeçares Griselda Zaimi. Përveç ndihmës së specialistëve të fushës së gjinekologjisë, institucioni i akuzës ka arritur të siguroi disa prova materiale, që
provojnë se pretendimet e vajzës në denoncimin e saj nuk qëndrojnë.
E ndodhur në këto kushte të rënda psikologjike dhe të tronditjes së thellë, vetë 27 vjeçarja Zaimi ka pranuar të rrëfej të vërtetën, pas 24 orëve tension dhe ankth mbarëkombëtar. Sipas saj, gjithçka kishte bërë për të forcuar lidhjen me Elvisin (zyrtarisht nuk egzistojnë të martuar, megjithëse kishin kohë që bashkëjetonin).
Me frikën e ndarjes, pasi kishte konstatuar me ndihmën e disa analizave mjekësore se nuk mund të lind fëmijë për shkak të problemeve shëndetësore, vajza 27 vjeçare, duke shfrytëzuar edhe prezencën e pakët në shtëpi të Rroshit muajt e fundit, kishte vendosur të shtiret sikur ishte shtatzënë.
Madje për ta bërë historinë më të besueshme, Griselda vendoste mbushje
poshtë rrobave (jastëk) dhe kishte nisur një dietë intensive që të shëndoshej në të gjithë
trupin. Dhe në këtë mënyrë historia e saj ishte besuar nga të gjithë. Pak ditë më parë, kreu i sapo zgjedhur i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi kishte udhëtuar për në Itali ku do merrte pjesë në një gëzim familjar (dasmë).
Gjatë kësaj kohe, vajza kishte shkuar tek prindërit e saj në Tiranë, konkretisht në banesën që ndodhej në rrugën "Qemal Stafa". Sipas deklarimeve të vetë 27 vjeçares, ditën e premte ishte koha e lindjes së fëmijës. Por, meqenëse fëmija nuk ekzistonte dhe
dita e premte po afronte, e reja ka pësuar një tronditje psikike në pamundësi për të gjetur zgjidhje.
Tre ditë më parë, konkretisht të martën e kaluar, aty rreth orës 19:15 minuta pasi ishte ndarë nga kunati dhe mikesha e tij në afërsi të qendrës tregtare "Kristal" kishte
blerë një thikë dhe më pas i kishte kërkuar një taksisti që ta shpinte në një nga hotelet
që ndodhet pranë stadiumit "Selman Stermasi", në Tiranë.
Prokuroria konfirmoi se pasi kishte zënë një dhomë, vajza ka tentuar të kryejë vetëvrasje, me prerje të venave të dorës apo edhe me tentim varje. Por, mungesa
e guximit ka bërë që në kushtet e rënda psikike, të sajoj historinë e mashtrimit. Aty rreth orës 02:00 pas mesnatës, ka zbritur në hollin e hotelit duke i kërkuar recepsionistes gjetjen e një taksie pasi nuk ndihej mirë.
Nga hoteli me ndihmën e taksisë ka zbritur para klinikës private që ndodhet në rrugën "Kongresi i Manastirit", ku ka marr një serum dhe më pas po me ndihmën e një
taksisti ka marrë rrugën drejt Kavajës. Në ora 3:45 minuta ka mbërritur në banesën e
Roshit, ku në mëngjes ka lajmëruar kunatin e saj shtetasin Sajmir Roshi, duke i rrëfyer
"mashtrimin" e rrëmbimit. Në këto kushte Sajmir Roshi ka denoncuar në polici, ku kanë nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen.
Dëshmia në prani të nuses së xhaxhait
Për rreth dy orë, mesditën e djeshme prokurori i çështjes Henrik Ligori dhe hetuesja Eriona Daupaj, në prezencë të nuses së xhaxhait të 27 vjeçares Griselda Zaimi kanë marrë rrëfimin e të vërtetës për historinë e saj, të sajuar për të forcuar lidhjen mes saj dhe bashkëjetuesit Elvis Roshi me të cilin kishin katër vite njohje.
Sipas dëshmisë së saj, gjithçka ka nisur nga fakti se 27 vjeçarja ndihej e vetmuar kohën e fundit ndërsa bashkëjetuesi i saj kthehej në banesë në orët e vona të natës. E ndodhur në këto kushte, vajza dyshonte se lidhja mes tyre ishte ftohur dhe në këtë moment ka sajuar historinë e shtatzënisë për të forcuar lidhjen mes tyre.
Griselda largohet nga familja Rroshi
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, hetuesit e çështjes kanë zbarkuar në Kavajë për të marr vajzën 27 vjeçare dhe ta sjell në Tiranë për ekzaminimet mjekësore në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe në Maternitetin "Mbretëresha Geraldin". Por kur kanë mbërritur
në Kavajë nuk e kanë gjetur Griselda Zaimin në banesën e familjes Roshi.
Pas mesnatës të së mërkurës, i ati, Muhamet Zaimi kishte marrë Griseldën dhe e kishte shpënë në shtëpinë e tij në kryeqytet. Në ora 9:00, efektivët e policisë dhe hetues të çështjes, kanë shkuar në banesën e familjes Zaimi ku kanë marr vajzën dhe dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim.
Ekspertët e këtij institucioni nuk kanë konstatuar ndonjë shenjë dhune të ushtruar ndaj vajzës duke mos konstatuar edhe dëmtime në pjesën e fund barkut të 27 vjeçares. Pas këtij ekspertimi, hetuesin e kanë dërguar vajzën në Maternitetin "Mbretëresha
Geraldinë" për ekzaminime profesionale.
Aty mjekët e këtij spitali kanë konstatuar se vajza kishte probleme shëndetësore dhe nuk mund të lindte dot fëmijë. Të ndodhur në këto kushte, vajza është shoqëruar për në ambientet e Prokurorisë për Krime të Rënda ku është marr në pyetje për dy orë.
Më pas, është dërguar drejt banesës së familjes Zaimi, ku edhe është marr nën kujdesin e familjarëve të saj dhe një psikologe, pasi gjendja psikologjike ishte tepër e rënduar.
Në shtëpinë e Elvisit, aty ku 'fëmijës imagjinar' i kishin vënë emrin Griel
"Atë që të bën gruaja s'ta bën as hasmi".. E pasi thotë këto fjalë ashtu çalë çalë ngrihet e lë pas krahëve burrat e tjerë të tavolinës që ethshëm bisedonin për atë çka ngjau në qytetitn e tyre. Burri rreth të 70-tave, krejt i thinjur, përtej lokalit thotë se ajo ishte fjala e tij e fundin e nuk merrej më me këtë muhabet. Ndërsa shokët e tij ende vijonin debatin duke përmendur shpesh që gruaja "fut shejtanin në shishe" etj. Për ngjarjen e Griseldës, fliste dje i madh e i vogël në Kavajë, ndërkohë që gazetat në pikat e shitjeve kishin mbaruar që në orët e para të mëngjesit.
Tek familja e Rroshit
Në rrugën kryesore të qytetit, aty ku banon familja e Elvis Rroshit, nuk ka me njerëz që presin me ankth. As djemtë trupmëdhenj që dy ditë më parë nuk lejonin askënd të kapërcente trotuarin nuk janë më aty. Një heshtje ka rrethuar gjithçka jashtë dhe brenda shtëpisë. Një vajzë që të del në derë, më thotë se duhet të pyeste burrat e shtëpisë, nëse një gazetare mund të hyjë brenda. Hyjmë dhe takojmë gratë. Situata është e pazakontë. Dy ditë më parë vajtonin, sot fjalët janë të ëvshtira të gjenden.
"E kemi pritur si nuse shtëpie, nuk u besojmë dot veshëve çfarë po thuhet. Nuk dimë ç'të themi.. Prisnim lindjen e djalit e më këtë ndjesi kemi jetuar gjithë këto muaj. Atë që bëri ajo nuk mund ta bëjë një njeri normal. Nuk dimë se si na gjet ky hall"- të thotë nusja e xhaxhait të Elvisit. I kishin vënë dhe emrin djalit që prisnin të vinte në jetë. Do quhej Griel, një bashkim mes emrave të Griseldës dhe Elvisit. Por Grieli nuk ka qenë asgjë tjetër veçse një krijesë në mendjen e 27-vjeçares...
Marrëdhënia
Kishte kohë që marrëdhënia e Griseldës dhe Elvisit nuk ishte si më parë. Njerëz që i njohin çiftin thonë se përgjatë pesë vjetëve ata janë ndarë dhe ribashkuar disa herë me njëri tjetrin. Fëmija i ngjizur në mendjen e Griseldës, duket se ka qënë një shtysë e fortë që Elvisi të shpallë tre muaj më parë fejesën. Sipas zakonit janë ndarë llokumet. Miqtë dhe fqinjët kanë bërë qokën duke i uruar çifti jetë të lumtur e të gjatë.
Barku i fryrë i Griseldës ka lënë të kuptohet për çdo kënd që ka shkuar në shtëpinë e Elvisit arsyen e fejesës së djaloshit që së fundmi ishte përfshirë ethshëm në poltikën shqiptare. Por përveç atyre ditëve të gëzimit shumë pak njerëz e kanë parë Griseldën me sy. Shtatzania e "paparashikuar" duket se i kishte shtyrë planet për martesë zyrtare për më vonë. Prej disa muajsh, gjithkush në këtë shtëpi ka jetuar me gëzimin e ardhjes në jetë të Grielit..
Elvis Rroshi: Ju kërkoj ndjesë, ishin orët më të vështira të jetës sime
Kreu i bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, shpërndau pasditen e së enjtes një deklaratë për publikun duke kërkuar ndjesë për lajmin e tmerrshëm që erdhi si pasojë e deklarimeve të bashkëshortes së tij. Sipas Rroshit, ai ndjen keqardhjen për angazhimin e shumë aktorëve në historinë e nisur prej ditës së djeshme dhe që u cilësua nga mediat si çështja "Griselda".
Katër vjet, Griselda nuk mbeste dot shtatzënë
Burime të "Shekullit", thanë se Griselda Zaimi, ka kryer edhe herë të tjera vizita në këtë klinikë, për probleme të fertilitetit (pamundësisë për të mbetur shtatzënë). Sipas burimeve të policisë, gruaja ka kryer vizita të herë pas hershme dhe madje edhe analiza gjatë viteve 2007, 2008 2009. Madje dy vizita ajo i ka kryer gjatë vitit 2010, përkatësisht
në muajt shkurt dhe qershor të vitit të kaluar. Në këto vizita, Zaimi, ka kryer edhe disa analiza gjinekologjike dhe vizita të ndryshme tek një mjek gjinekolog, për problemin e shtatzënisë së saj. Në të gjitha rastet, analizat e kryera nga mjekët në laboratorët e kësaj klinike kanë zbuluar se gruaja nuk kishte mundësinë biologjike për të mbetur shtatzënë pasi analizat kanë rezultuar negative.