Post
by Skodrinon » Sat, 21 May 2011 , 15:00
Josa “lidh besën” edhe një vit me Vllazninë
Presidenti Valter Fushaj i ka besuar për të katërtën herë drejtimin e ekipit trajnerit Mirel Josa
Tani gjithçka është pa enigma në Shkodër, edhe për një vit në krye të Vllaznisë do të jetë Mirel Josa, i cili do të drejtojë për herë të katërtën herë ekipin shkodran. Ashtu siç kishte thënë, Josa ka mbërritur dje në Shkodër, por paradreke ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të vëllait të njërit prej tifozëve të zjarrtë të Vllaznisë dhe prandaj nuk ka mundur të takohet dot me presidentin Fushaj.
Takimi mes tyre është shtyrë për pasdite në orën 18:30. Ajo çfarë kishte mbetur për t’u diskutuar mes tyre ka qenë vetëm ana financiare e kontratës, sepse për gjërat e tyre, ashtu siç është thënë, janë marrë vesh prej kohësh.
Edhe për mënyrën si do të ndërhyhet në skuadër, me largimet dhe afrimet e lojtarëve, por edhe për shumë gjëra të tjera. Mirel Josa do të nisë kështu një sezon të katërt te Vllaznia, teksa ka ardhur për herë të parë tek ajo në sezonin 2006 07, kur kishte nisur ai dhe ka shkuar deri në fund të tij, duke e renditur skuadrën shkodrane në vendin e tretë në atë kampionat.
Më pas, firmos edhe një kontratë të re dhe nis edhe sezonin 2007 08, por pa e përfunduar atë, sepse në javën e 25 të, pas një humbje me Teutën në Shkodër, largohet nga drejtimi i skuadrës. Sezoni i tretë ka qenë ai që kaloi.
E mori Vllazninë në javën e 8 të nga duart e malazezit Radonjiç, pikërisht në vendin e 6 të në renditje dhe e çoi në vendin e 3 të, duke i siguruar klubit pjesëmarrjen në Europa League. Kësisoj, kontrata e djeshme është e katërta për të me kuqeblutë, duke treguar edhe një herë vlerësimin dhe respektin që shkodranët kanë pasur dhe kanë për punën e tij.
Bashkë me Josën do të jetë po ai staf, Elvis Plori zëvendëstrajner dhe trajner i portierëve do të jetë sërish Avenir Dani. Fushaj kështu ka nisur i pari nga punë për ndërtimin e skuadrës së re. Pikësëpari nga stafi teknik, ndërsa në ditët në vijim do të shtyhet bashkëpunimi edhe me disa lojtarë të Vllaznisë, ku tre të tillë janë konfirmuar tashmë, Vujadinoviç, Rajoviç dhe Nallbani, pa harruar Smajlin, nëse ai nuk gjen ekip jashtë.
Fushaj: Kalimi i dy tureve në Europë, ëndrra ime
Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, pas firmosjes edhe një vit me Josën, ka deklaruar edhe objektivat për ndeshjet ne Europë, por edhe për sezonin e ri. “Objektivat e Vllaznisë dhe të trajnerit Josa nuk ndryshojnë, si fillim duhet të kalohet të paktën një tur në Europa League dhe për sezonin e ri patjetër një trofe, duke luftuar në dy fronte, ashtu siç ka qenë për çdo sezon ekipi ynë.
Por ëndrra ime është që Vllaznia të kalojë du turne në kupat europiane, do të ishte vërtetë mrekulli. Nuk është vetëm fiksim, them se mund të arrihet dhe këtë e dëshiroj shumë,” - është shprehur numri një i Vllaznisë.
Josa: Më quani shkodran, por përgjegjësia rritet
Ka rritur kërkesat e tij financiare, por natyrisht edhe ka marrë përgjegjësitë e tija për epokën e re që do të nisë në krye të Vllaznisë. Trajneri Mirel Josa e ka pranuar sfidën e re, duke deklaruar: “Ndihem shumë mirë në Shkodër, ndihem si në shtëpinë time.
Zgjatja e kontratës me Vllazninë e tregon më së miri këtë, por nga ana tjetër, përgjegjësia ime shtohet. E di mirë që tifozëria shkodrane do trofe dhe këtë do të përpiqemi të arrijmë. Po gjërat do t’i marrim një e nga, së pari, të lëmë gjurmë në Europë, të ndërtojmë një ekip cilësor dhe pastaj të pretendojmë në kampionat, apo edhe në Kupën e Shqipërisë.”