Post
by fpjalmi » Sat, 24 Apr 2010 , 00:29
Martini: Humbëm shumë raste shënimi
Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, ka mbetur i zhgënjyer nga rezultati përfundimtar i ndeshjes me Kastriotin. Loja e zhvilluar, rastet e pastra që kanë pasur futbollistët e tij, nuk janë konkretizuar me marrjen e pikëve në këtë ndeshje. Duke qenë kështu, shkodranët tashmë kanë mbetur sërish në kuotën e 39 pikëve, duke qenë në një pozitë jo shumë komode në renditje.
Duke folur në lidhje me ndeshjen ndaj krutanëve, trajneri Martini do të shprehej: “Pavarësisht gjykimit shumë të dobët në këtë ndeshje dhe që na penalizoi jo pak, ajo që dua të them unë është se kemi shpërdoruar shumë raste shënimi. Dy rastet e Shtubinës, dy rastet e tjera kur topi u largua nga vija fatale nga mbrojtësit krutanë, pritjet e Likës, janë tregues që vërtetojnë faktin se kemi luajtur mirë dhe mbase mungesa e fatit para portës na dëmtoi. Na duheshin këto pikë, sepse do të kishim qenë më të qetë në renditje, megjithatë tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës.”