Post
by fpjalmi » Fri, 08 Jan 2010 , 04:11
Fushaj: Ndryshime, Sinani të ikë po deshi!
Presidenti flet për merkaton. Kontrata me Elvin Beqirin nuk zgjatet dhe ai lihet i lirë
Vllaznia nuk resht së ndryshuari. Merkatoja e janarit ka nisur vrullshëm për këtë skuadër. Mes afrimesh dhe largimesh, por në fakt, këta të fundit janë më të shumtë. Normale, sepse drejtuesit e klubit kërkojnë një ndryshim tërësor të asaj skuadre që bëri një paraqitje të shëmtuar në gjysmën e parë të sezonit. Vetë presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, në një intervistë për “Sportin shqiptar”, ka sqaruar pozicionin e secilit lojtar të afruar apo të larguar.
? Zoti Fushaj, duket se Vllaznia do të ketë shumë ndryshime në merkaton e janarit. Çfarë po ndodh realisht?
? Ndryshimet kanë qenë të nevojshme, për këtë të gjithë ne kemi qenë të vetëdijshëm. Vetë ecuria e skuadrës në gjysmën e parë të sezonit e bënte të domosdoshme ndërhyrjen dhe për këtë arsye kemi filluar lëvizjet e para.
? E nisim me afrimet. Kanë ardhur Kraja dhe Belisha…?
? Ka qenë kërkesa e trajnerit Martini për t’i marrë këta dy lojtarë dhe meqë ata ishin futbollistë të lirë, arritëm t’i marrim dhe ata janë pjesë e Vllaznisë tashmë. Pas Krajës, që ka firmosur për një vit e gjysmë që të martën, sot (dje) të njëjtën gjë ka bërë edhe Belisha, që po ashtu ka firmosur për 18 muaj.
? Ndërkohë, largimet duken më tepër. Elvin Beqiri mund të konsiderohet një humbje e madhe për Vllazninë?
? Unë nuk mendoj kështu. Elvin Beqiri mbaroi kontratën që kishte me Vllazninë dhe për rrjedhojë nuk kishte më detyrime ndaj klubit. Megjithatë, u ulëm në bisedime me të për të parë mundësinë e një kontrate të re, por akordi nuk u arrit. Ishim larg nga ana financiare me atë çfarë pretendonte lojtari, ndërkohë që ne nuk deshëm të bënim ndonjë shpenzim shumë të madh për ta mbajtur, ngaqë kemi marrë edhe Krajën dhe prandaj nuk arritëm asnjë marrëveshje tjetër me të. Çka do të thotë se ai tashmë është i lirë për të gjetur ndonjë ekip tjetër, që do t’i plotësojë kërkesat financiare. ? Ardit Beqiri është larguar edhe ai në të njëjtën ditë. Cila ishte arsyeja e largimit të tij?
? Ditën e martë, përpara se ekipi të nisej për në Ulqin, lojtari ka pasur një bisedë me trajnerin Martini. Vetë Arditi ka dashur të sqarojë pozicionin e tij dhe trajneri ndërkohë i ka deklaruar se nuk e shikonte si titullar për vazhdimin e sezonit. Vetë sportisti ka kërkuar të shohë qëndrimin e tij te Vllaznia. Në këto kushte, edhe kur kemi pasur nga Partizani një kërkesë për ta lënë të lirë atë, vendosëm që ta ndërpresim kontratën.
? Sot (dje) ndërkohë keni lënë të lirë edhe Kasapin…?
? Edhe për të e njëjta situatë. Trajneri nuk e ka garantuar të qenit e tij titullar dhe, në këto kushte, dy palët u ulën në tavolinë dhe biseduam për të ardhmen. Vetë Kasapi e pranoi që në kushte të tilla është e kotë të qëndronte më në Shkodër dhe kuptohet që edhe ne si klub nuk kishim ndonjë interes për ta mbajtur. Biseduam në mënyrë shumë miqësore, i dhamë dorën njëri?tjetrit dhe për rrjedhojë kontrata është ndërprerë me mirëkuptim.
? Do të ndodhë e njëjta gjë edhe me Rustemin?
? Nëse me Kasapin apo lojtarë të tjerë gjërat janë bërë me marrëveshje, në rastin e Rustemit puna qëndron më ndryshe. Ky lojtar ka thyer tri herë rëndë disiplinën e klubit. Mjafton të themi faktin që aktualisht ai nuk është në Ulqin duke u stërvitur me skuadrën. Ne si klub na lind e drejta e prishjes së njëanshme të kontratës me këtë futbollist. Për këto shkelje të kontratës nga vetë Rustemi, ne kemi njoftuar edhe FSHF?në dhe prandaj fare mirë ai mund të mos quhet më pjesë e Vllaznisë.
? Do të ketë largime të tjera në ditët e ardhshme?
? Këtë nuk mund ta them me saktësi as unë dhe askush tjetër. Këtë gjë do ta mësoni në ditët në vazhdim dhe gjithçka do të varet nga lojtarët që do të na vijnë nga merkatoja.
? Nëse bëjmë një bilanc, kemi katër lojtarë të larguar dhe vetëm dy të afruar. Mund ta quajmë negativ këtë bilanc?
? Për momentin po. Di të them se ne kemi mbi një muaj që ndjekim disa lojtarë dhe për rrjedhojë që nga dita e djeshme ata kanë filluar provën me Vllazninë. Do të jetë një numër i konsiderueshëm lojtarësh që do të testohen dhe madje për çdo repart. Duke filluar nga porta, ku do të provohen dy apo tre portierë, do të vijnë lojtarë për mbrojtjen, mesfushën dhe sulmin. Shpresojmë të bëjmë goditjet e duhura dhe për pjesën e mbetur të sezonit të kemi një skuadër më të fortë.
? Kur do të jetë e plotë skuadra për të rinisur kampionatin?
? Ne do të bëjmë ç’është e mundur që skuadra me 90 për qind të jetë e plotësuar më datë 20 janar, në mënyrë që të mos kemi probleme për nisjen e kampionatit. Për 10-përqindëshin pastaj do të presim deri në fund të merkatos për të bërë ndonjë lëvizje të fundit.
“Sinanin nuk e pengojmë nëse do të ikë”
Presidenti Fushaj ka folur edhe në lidhje me sulmuesin shkodran Vioresin Sinani, për të cilin ka pohuar se derën e ka të hapur nëse nuk do të qëndrojë te Vllaznia. “Unë di të them që në adresë të Sinanit kanë ardhur një apo dy oferta. Tashmë është në dorën e tij të vendosë nëse do të qëndrojë te Vllaznia apo do të largohet. Vllaznia nuk do të bëhet pengesë për largimin e tij, nëse ai e dëshiron këtë gjë,” - ka pohuar Fushaj. Kujtojmë që ofertë konkrete për të ka ardhur nga Besa dhe nuk është çudi që ai të kalojë atje.
Avenir Dani plotëson stafin teknik
Përgatitësi i portierëve, Avenir Dani, që nga dita e djeshme është rikthyer në stafin e Vllaznisë. Presidenti Valter Fushaj, pas shkarkimit të Paulin Ndojës, së bashku me Luçin e Cungun pak kohë më parë, vendosi të rikthejë në pankinë Danin. Ky i fundit u largua nga kjo detyrë në fillim të sezonit të kaluar. Kohët e fundit ai ka qenë trajner i ekipit të Tërbunit të Pukës, por nuk ka mundur t’i rezistojë ofertës së Vllaznisë, duke i thënë “po” ofertës së numrit një të saj. Këtë e ka konfirmuar vetë presidenti Fushaj, që dje ka thënë: “Pas Esat Rakiqit, që do të jetë ndihmësi i trajnerit Martini, kam vendosur që detyrën e përgatitësit të portierëve ta kryejë Avenir Dani. Me të është mbyllur çdo gjë dhe ai që sot (dje) është nisur drejt Ulqinit për t’iu bashkuar skuadrës në stërvitje.” Në fakt, për trajnerin e sapoemëruar të portierëve të Vllaznisë puna që e pret është shumë e madhe, ngaqë ai gjatë këtyre ditëve do të testojë dy apo tre portierë të huaj, që do të vijnë për t’u provuar. Shkodranët, ashtu si dhe në verë, duan të gjejnë një portier të mirë për ta vënë përkrah Grimës.
Bozhoviç, një serb për portën shkodrane
Ka mbërritur në kampingun shkodran në Ulqin i pari lojtar që do të provohet te Vllaznia gjatë këtyre ditëve. Bëhet fjalë për një portier dhe ai është pikërisht një serb. Emri i tij është Aleksandër Bozhoviç, 24 vjeç, që kohët e fundit ka qenë pjesë e një klubi serb. Portieri ka udhëtuar dje nga Beogradi dhe ka mbërritur në orët e para të mbrëmjes te hotel “Olimpik”, ku prej së martës në darkë ndodhet i akomoduar ekipi shkodran. Bozhoviç do të jetë deri në ditët e para të javës së ardhshme në provë dhe më pas do të jetë trajneri i portierëve, Dani, dhe dy kolegët e tij, Martini e Rakiqi, që do të vendosin për fatin e tij. Por ky nuk do të jetë portieri i vetëm që do të testohet, pasi pritet për t’u provuar edhe një tjetër portier.
Në provë një mesfushor serb e një sulmues anglez
Bashkë me Bozhoviçin, me skuadrën kuqeblu në Ulqin dje është bashkuar edhe një mesfushor serb, i cili ka luajtur kohët e fundit në Maqedoni. Ai është një organizator i mirëfilltë me të dhëna shumë të mira, rol për të cilin ka nevojë Vllaznia. Edhe serbi i dytë do të jetë në provë, ashtu siç do të jetë edhe një sulmues i nga Anglia, që në fakt është pritur që dje. Ai u është sugjeruar kuqebluve nga Rudi Vata. Gjatë ditës së sotme priten edhe lojtarë të tjerë për të ardhur në provë.