Post
by Skodrinon » Thu, 13 Aug 2009 , 18:24
Thiam e Rankoviç, njëri bëhet partner i Sinanit
Senegalezi ose norvegjezi me origjinë malazeze mund të jetë titullar në sulmin kuqeblu
Vllaznia po tenton të gjejë një sulmues cilësor në merkato dhe prej ditësh është duke u provuar disa lojtarë, por ende nuk është gjetur ai i duhuri. Tashmë pistat janë ngushtuar shumë, sepse dy janë mundësitë që kanë mbetur: senegalezi Muhamedi Thiam dhe norvegjezi me origjinë malazeze, Petar Rankoviç.
Kush prej tyre do të qëndrojë, kjo gjë do të fillojë të kthjellohet pikërisht duke filluar nga sot, kur në stadiumin “Loro Boriçi” do të luhet miqësorja e parë e Vllaznisë. Përballë Laçit, trajneri Hasan Lika do të ketë mundësi të krijojë një mendim më të qartë për këta dy lojtarë. Në fakt, për afrikanin, trajneri i kuqebluve e ka një ide, sepse e ka pasur në dispozicion që të premten pasdite.
Ndonëse përshtypjet e para për të nuk kanë qenë shumë të mira, stafi drejtues është rezervuar në dhënien një vendimi dhe i kanë lënë sërish kohë atij për t’u ambientuar me skuadrën e re. Për lojtarin e ardhur nga Norvegjia, Petar Rankoviç, dje kanë qenë dy seancat e para me shkodranët dhe sigurisht që askush nuk mund të japë një mendim.
Eshtë e sigurt që trajneri Lika do t’i aktivizojë të dy këta lojtarë në miqësoren e sotme. Mbase të dy ata do të aktivizohen gjatë pjesës së dytë ose do të alternohen. Mbetet për t’u parë si do ta zgjidhë trajneri prezantimin e tyre të parë para sportdashësve shkodranë. Askush nuk është në gjendje të të thotë se cilin sulmues do të mbajë Vllaznia për sezonin e ri.
Dëshira dhe objektivi i drejtuesve të klubit, por edhe stafit teknik, është për të zgjedhur njërin, atë që do t’i shërbejë më shumë. E sigurt është që Vllaznia në dispozicion ka vetëm Sinanin si sulmues të mirëfilltë dhe me përvojë.
Gjithashtu janë edhe dy të rinj: Bekim Bala, i cili me paraqitjet e tij në Ligën Europiane është një garanci më tepër për stafin teknik, si dhe Arens Dibra. Një skuadër pretendente duhet patjetër të ketë lojtarë me përvojë në radhët e saj dhe, për këtë arsye, drejtuesit kuqeblu po përpiqen të gjejnë një sulmues tjetër për ta vënë përkrah Sinanit.
Miqësorja e sotme me Laçin dhe ajo e së dielës me Kastriotin do t’i japin fund këtij ankthi. Thiam apo Rankoviç? Kësaj pyetjeje askush nuk mund t’i japë përgjigje. Lojtari që ka ardhur nga Norvegjia vjen nga aktiviteti dhe duket në formë të mirë, ndërkohë që senegalezi thuhet se dy ditët e fundit ka pasur një dëmtim të vogël.