Post
by Skodrinon » Sun, 05 Jul 2009 , 14:27
“Zmijani jo trajner i Teutës, i shtrenjtë”
Presidenti Edmond Hasanbelliu nuk ka rënë dakord për anën financiare me Hysen Zmijanin
Hysen Zmijani nuk do të jetë trajner i Teutës. Këtë e konfirmon vetë presidenti i ekipit dursak Edmond Hasanbelliu, i cili është shprehur se marrëveshja me Zmijanin është prishur përfundimisht dhe shkak për këtë është ana financiare. “Sapo e kemi prishur marrëveshjen me Zmijanin, i cili nuk do të jetë trajner i Teutës. Të them të drejtën, unë e afrova Zmijanin te Teuta me shumë dëshirë, nisur nga emri që ka ai në futbollin shqiptar dhe kemi biseduar në përgjithësi e jo me detaje. Edhe kur biseduam këtu, parimisht Zmijani ishte dakord për drejtimin e Teutës, por lamë edhe një çështje për të diskutuar, siç është ajo financiare. Unë i kam ofruar Zmijanit një rrogë prej 200 mijë lekë të rinj në muaj, shtëpi etj., ndërkohë që Zmijani nuk ra dakord. Atëherë unë i kërkova Zmijanit të paraqiste kërkesëne tij dhe ai kërkoi dyfishin e kësaj page, pra 400 mijë lekë të rinj në muaj, gjë që ishte e papranueshme nga ana jonë. Nuk m’u duk e arsyeshme një kërkesë e tillë që në fillim, megjithatë e mendova dhe e peshova mirë problemin për disa ditë dhe më pas i ktheva përgjigje Zmijanit se kjo kërkesë nuk mund të pranohej. Që të jem i sinqertë, unë i ofrova Zmijanit të njëjtën pagë që merrte edhe trajneri Starova, i cili dihet që është një nga trajnerët më të mirë shqiptarë, ndërkohë që Zmijani kërkoi dyfishin, aq më tepër kur Starova i ka të dyja licensat e UEFA s, ndërkohë që Zmijani vetëm njërën. Kur ja komunikova Zmijanit se nuk isha dakord me kërkesën e tij, ai u mërzit dhe mund t’i ketë mbetur qejfi, por realisht kërkesa e tij ishte e papranueshme, ndërkohë që oferta jonë ishte logjike, sepse ishte pothuajse e njëjta që kishte Starova. Unë mendoj se kam qenë shumë korrekt kundrejt Zmijanit dhe kam pasur dëshirën e mirë që ai të drejtonte Teutën, por paga që ai kërkonte ishte e pamundur të realizohej. Nuk e kishim nënshkruar ende kontratën dhe ishim ende ne nivelin e marrëveshjes, kështu që gjithçka përfundoi menjëherë,” - ka theksuar presidenti i Teutës. Më tej Hasanbelliu shprehet se prishja e kësaj marrëveshjeje nuk ndryshon asgjë për ekipin durrsak, i cili gjatë verës do të rinovohet dhe do të jetë një ekip i fortë e pretendent për sezonin e ardhshëm. “Largimi i Zmijanit nuk ka asnjë ndikim tek ekipi, i cili do të vazhdojë të konturohet. Po bisedoj me të gjithë lojtarët që janë aktualisht në ekip për të rinovuar ose jo kontratat me ta. Pasi të nënshkruajmë kontratat me të gjithë lojtarët që duan të qëndrojnë në ekip, do të fillojmë të afrojmë futbollistë cilësorë nga vendi dhe rajoni. Sa për emrin e trajnerit të ri, ende nuk e kemi menduar, por nuk do të zgjasë shumë,” - ka përfunduar Edmond Hasanbelliu.
s.shqiptar