Post
by Skodrinon » Thu, 21 May 2009 , 17:25
Në Shkodër, optimizmi për finalen e sezonit me Tiranën fillon që nga drejtuesit
“Titulli varet vetëm nga Vllaznia”
Shefi i klubit, Agim Medja: Prisni, asgjë s’ka mbaruar! Janë edhe 90 minuta
Vërtetë barazimi i ditës së shtunë, në stadiumin “Loro Boriçi”, 1-1 me Lushnjën, për Vllazninë dhe mbarë opinionin
sportdashës në Shkodër është konsideruar shumë tragjik, por në krahun tjetër, për krerët më të lartë të klubit
shkodran asgjë s’ka mbaruar. Sekretari i këtij klubi, Agim Medja, e konsideron betejën të hapur dhe titullin
“kampion” plotësisht të arritshëm prej kuqebluve. Shefi i klubit “Në fakt, ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Barazimi me Lushnjën për neve, si ekip pretendent për titullin kampion, ka qenë tërësisht i papranueshëm. Megjithatë, futbolli njeh edhe të tilla disfata. Sigurisht që nuk ka asnjë lloj justifikimi për këtë rezultat, por realisht në krahun tjetër nuk duhet ta dramatizojmë aspak situatën. Unë mendoj se janë 90 minuta në lojë për të përcaktuar titullin kampion. As Tirana nuk e ka të sigurt një gjë të tillë, edhe pse është një pikë më shumë dhe më lart se ne, por as Vllaznia. Madje, do të theksoja faktin që, sikur edhe Vllaznia të shkonte me një pikë përpara se kundërshtari në kryeqytet, përsëri asgjë s’do të kishim të përfunduar. Unë mendoj se fati i titullit kampion varet vetëm nga neve dhe askush tjetër”, ka thënë në fillim për gazetën “Panorama Sport”, plot optimizëm numri dy i klubit shkodran,
i cili beson në fitoren e Vllaznisë ditën e shtunë në kryeqytet, përballë Tiranës.
Masat
Ditët e fundit u krijua një situatë e turbullt, përreth kampit shkodran pas atyre masave paraprake, që mori
presidenca e klubit për të ndëshkuar skuadrën dhe individë të veçantë për mungesë impenjimi ndaj Lushnjës,
por më pas gjithçka u kthye mbrapsht. “Mund të them se ishin disa masa paraprake, e nuk mund të them të
nxituara, por që gjithsesi nuk ishin në momentin e duhur, prandaj pas një analize të gjatë të bordit drejtues u
vendos që ato të hiqeshin deri pas takimit me bardheblutë, në mënyrë që t’i krijojmë qetësinë e duhur skuadrës
për të reaguar pozitivisht ditën e shtunë, e duke shpresuar që titulli kampion këtë sezon të vijë në Shkodër, -
shpjegon Medja. - Ky ka qenë mirëkuptimi i të gjitha palëve në këtë takim dhe që mendoj se do t’i shërbejë siç
duhet ekipit. Gjithashtu, kam besim se edhe tifozeria shkodrane duhet të përkrahë ekipin e saj të zemrës, ashtu siç di vetëm ajo të bëjë, duke qenë një faktor plus në suksesin tonë të përbashkët kësaj radhe”, ka mbyllur prononcimin e tij sekretari i klubit të futbollit “Vllaznia”, i cili e ka parë dhe e shikon situatën rreth skuadrës shkodrane në një
këndvështrim ndryshe dhe shumë më pozitiv se mjaft specialistë të tjerë.
Shkodranët, të plotë në Tiranë
Vllaznia do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi”, për ta vazhduar atë në qytetin bregdetar të Durrësit. Në seancën e djeshme, tekniku malazez i kuqebluve, Dervish Haxhiosmanoviç, ka pasur të gatshëm të gjithë lojtarët e tij, madje me një frymë shumë optimiste. Për teknikun do të jetë i gatshëm ndaj Tiranës edhe mesfushori 22-vjeçar Ndriçim Shtubina, i cili ka qenë i dëmtuar në shpatullën e djathtë. Por nga sa mësohet, shkodrani i ri do të bëjë maksimumin që të shtunën të jetë në fushë përballë Tiranës. Ndërsa, përsa i
përket pjesës tjetër të ekipit, mësohet se gjendja e tyre është shumë optimale. Shpresohet që kjo forme
të ruhet deri në fund.
Klubi vë në dispozicion 10 autobusë për tifozerinë
Drejtuesit e klubit të Vllaznisë përsëri edhe në këtë takim final për titullin kampion kanë kërkuar ndihmesën e tifozerisë së zjarrtë shkodrane. Për këtë takim drejtuesit e klubit shkodran kanë porositur 10 autobusë,
që do të jenë falas për tifozët shkodranë, të cilët do të udhëtojnë drejt Tiranës të shtunën. Por kjo nuk do të jetë e prerë, pasi drejtuesit e klubit mund t’i shtojnë autobusët në vartësi të fluksit të tifozëve. Këta të fundit, edhe pse janë zhgënjyer nga paraqitja e ekipit të Vllaznisë në takimin e fundit, përsëri duket se do ta mbështetin fuqishëm
ekipin e tyre në ndeshjen e fundit të sezonit, që përcakton titullin kampion. Drejtuesit e klubit para takimit me Lushnjën kishin programuar që për ndeshjen me Tiranën të vinin në dispozicion të fansave trenin. Por vetë barazimi dhe ftohja disi e atmosferës para finales i ka detyruar këto të fundit që të kthehen përsëri tek autobusët.
Presidenca kërkon të ketë maksimumin e tifozëve në “Qemal Stafa”, në mënyrë lojtarët të mos ndihen të pambështetur në sfidën më të rëndësishme të sezonit.