Post
by vllaznia1919 » Fri, 02 Jun 2006 , 13:29
Vllaznia, shpresat të varura te bashkia
Tashmë topi ka kaluar në anën e Bashkisë së Shkodrës. Institucioni i pushtetit lokal të Shkodrës ka në dorë fatet e ekipit të futbollit të këtij qyteti, Vllaznisë. Vetëm prej zyrave të këtij institucioni pritet të dalë zgjidhja përfundimtare e çështjes së mbarëvajtjes së skuadrës kuqeblu për të ardhmen. Por ndërkohë shumë pak gjëra kanë lëvizur në këtë drejtim. Në momentet kur duket se gjërat po marrin rrugën e zgjidhjes, problemi neglizhohet, apo dhe ngatërrohet ndoshta pa dashje, për rrjedhojë gjërat kanë mbetur në vend. Tre donatorët aktualë të Vllaznisë kanë dalë hapur me mendimin e tyre se, nëse nuk krijohet shpejt shoqëria aksionare, ata do të heqin dorë nga financimi i mëtejshëm në të njëjtën mënyrë siç kanë bërë deri tani, që do të thotë se do të harrohen njëherë e mirë shumat e mëdha që kanë shpenzuar në këto tri vite që janë në krye të klubit shkodran dhe për futbollin do të ketë vetëm "thërrime". Në këtë aspekt shumëkush pyet: Përse nuk largohen përfundimisht nga Vllaznia? Përgjigje të drejtëpërdrejtë natyrisht që nuk mund të marrësh, por e vërteta duket se ka të bëjë me faktin se ata kanë dëshirë të vazhdojnë financimin e mëtejshëm të klubit kuqeblu, por duke gjetur mënyrën e duhur të funksionimit të tij. Kjo ngaqë nuk kanë dëshirë që ato para që kanë hedhur këto tre vjet të jenë hedhur kot. Presioni i donatorëve ndaj bashkisë për krijimin e shoqërisë aksionare vazhdon të jetë në tabelën e kryebashkiakut Haxhi, por ende nuk është bërë asgjë për t'i dhënë një përgjigje, nëse bëhet sh.a ja, apo jo. Në takimin e së hënës, donatorët e Vllaznisë dhe dy drejtuesit e lartë të Bashkisë së Shkodrës ranë dakord që për një, apo dy ditë, do niste një "tur inspektimi" nëpër klubet që i kanë formuar shoqëritë aksionare, për të marrë përvojën e tyre dhe po ashtu edhe në ministritë përkatëse për të parë legjislacionin që nevojitet në këtë rast. Për rrjedhojë, u deklarua që deri të mërkurën, apo të enjten, do të kishte ndonjë gjë të re dhe njëkohësisht do të zhvillohej edhe mbledhja e radhës me donatorët e skuadrës për të dalë edhe publikisht me një konkluzion se çfarë do të bëhet. Por e enjtja e djeshme ka kaluar dhe asgjë nuk ka lëvizur. Askush nga bashkia, apo klubi i futbollit nuk ka marrë mundimin të bëjë atë që duhej të bënte. Shkodranët presin përgjigje: Do të ribëhet Vllaznia që presin të gjithë, apo do të shkatërrohet? Këtë përgjigje duan edhe futbollistët e saj, të cilët duke mos pasur shumë dijeni se çfarë po ndodh, duken si "jetimë". Askush deri më sot që me mbarimin e kampionatit nuk ka marrë mundimin t'i thërrasë dhe të bisedojë me ta. Ndërkohë, drejtues të klubit shkodran thonë se deri më 15 qershor problemi i Vllaznisë do të marrë një zgjidhje. Por a është vonë kjo datë? Dikush thotë jo, ndërkohë që vetë disa prej titullarëve të skuadrës thonë se skuadrat që i kanë kontaktuar i kanë kërkuar të vendosin nëse do të zgjedhin apo jo ofertat e tyre deri më 10 të këtij muaji. Në këtë mënyrë, ajo që duhet të shpejtojë duhet të jetë Bashkia e Shkodrës. Nëse ekziston vullneti për të bërë diçka të mirë për Shkodrën, ajo mund të bëhet. Këtë e dinë të gjithë, por mbetet të gjendet vetëm mënyra si do të bëhet.