Post
by Miri » Sun, 11 Jan 2009 , 16:42
Canaj: Vllaznia s’duhet ta lëshojë kreun
Trajneri Agim Canaj thotë se detyra e vetme e ekipit është mbajtja e pozicionit aktual
Paraqitja e Vllaznisë në 17 javët e para të kampionatit ka qenë mbresëlënëse. Sigurisht që ka pasur uljet dhe ngritjet e veta, por mbi të gjitha rëndësi kishte fakti që në fund të dhjetorit kuqeblutë janë renditur të parët. Meritë të padiskutueshme në këtë ecuri shumë të mirë sigurisht që, veç të tjerëve, ka pasur edhe trajneri Agim Canaj. Gjithnjë kërkues në punën e tij, vlonjati kërkon sukses edhe me Vllazninë. Megjithatë, ai duket modest teksa e pyet për atë çfarë ka kaluar deri tani, teksa thotë: “Jemi munduar të bëjmë më të mirën dhe duhet të jemi të kënaqur me këtë çfarë kemi arritur deri tani. E them këtë, sepse thuajse në çdo ndeshje kemi qenë të penalizuar nga mungesat e shumta. Megjithatë, ndonëse jemi të parët, nuk duhet të kënaqemi me kaq, por duhet të kërkojmë më të mirën për të arritur objektivin që ka klubi.” Në pamje të parë të duket vërtet e pabesueshme që Vllaznia ka pasur atë ecuri deri në këtë periudhë me atë kontigjent lojtarësh që ka pasur të gatshëm. Por falë punës së mirë që është bërë në fushën e stërvitjes, harmonisë që ekziston në skuadër dhe mbështetjes së madhe që ka dhënë presidenca, e cila njëkohësisht është treguar shumë korrekte në aspektin financiar, kuqeblutë janë këtu ku janë. Jo më kot edhe kur e pyet Canajn se kë veçon më tepër në paraqitjen e tij deri tani, ai nuk dëshiron të japë emra konkretë, por deklaron: “Nuk mund të veçoj asnjë emër të posaçëm. Të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre maksimal dhe, nëse Vllaznia është këtu ku është, kjo është meritë e të gjithëve. Kuptohet që peshën më të madhe e kanë mbajtur lojtarët me përvojë, por jo pak kontribut kanë dhënë edhe lojtarët e rinj. Madje kemi aktivizuar edhe futbollistë 17-vjeçarë dhe kjo do të thotë se gjithçka ka qenë në harmoni të plotë. Kjo mendoj se do të vazhdojë edhe më tutje, teksa do të kërkojmë që lojtarët të cilët do vijnë të ingranohen shpejt me ekipin.” Por a është e domosdoshme merkatoja për Vllazninë në këtë periudhë? Për Canajn po, sepse të gjitha rivalet e saj po bëjnë të njëjtën gjë. “Duke parë që Dinamo e Tirana që janë poshtë nesh në renditje, kanë bërë lëvizje në merkato, kjo do të thotë se edhe ne duhet të forcohemi. Kurrsesi nuk duhet të mendojmë të marrim lojtarë të cilësisë së dytë, por lojtarë me emër që duhet t’i vënë shpatullat skuadrës në këtë periudhë. Sukaj që ka ardhur është një përforcim shumë i rëndësishëm. Shpresoj të mbetet edhe Beqiri e po ashtu të vijë edhe një apo dy lojtarë të tjerë dhe pastaj çdo gjë do të jetë në rregull,” ka thënë ai më tutje. Shkodranët e kanë të qartë se nuk u falet humbja e vendit të parë në fund të kampionatit. Ata janë duke u përgatitur për këtë gjë dhe Canaj e ka të qartë se çdo vend tjetër, përveç këtij aktual, është dështim.
Kuqeblutë, dje seanca e parë në Ulqin
Ekipi i Vllaznisë ka mbërritur rreth orës 19:00 të së premtes në rezidencën e tij, në hotelin “Olimpik”. Me të mbërritur në hotel, futbollistët dhe stafi drejtues kanë nxituar në dhomat e tyre dhe pasi kanë ngrënë darkë, kanë shkuar për të fjetur, ngaqë stërvitja e zhvilluar paradreke në “Loro Boriçi” ka qenë vërtet rraskapitëse për ta. Kushtet në hotelin “Olimpik” këtë radhë kanë qenë shumë më të mira se në vitet e kaluara e kjo është konstatuar lehtë nga shkodranët. Ndërkohë dje pasdite kuqeblutë kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore në tokën malazeze. Ajo është zhvilluar në një nga fushat pranë hotelit, më e mira prej tyre që është vënë në dispozicion për Vllazninë. Trajneri Canaj dhe stafi i tij kanë filluar t’u japin ngarkesat e duhura futbollistëve, por kuptohet që disa prej tyre që kanë pasur probleme muskulore dhe janë stërvitur më veçmas nën kujdesin e fizioterapistit Mlloja. E njëjta stërvitje do të jetë edhe në ditët në vazhdim, kur nuk mendohet të zhvillohet ndonjë ndeshje miqësore, sepse më shumë rëndësi në këto momente ka përgatitja fizike.
Vijnë Boadu e Sukaj, gati bashkimi me skuadrën
Ganezi Xhejms Boadu ka mbërritur në mesnatën e së premtes dhe ka marrë rrugën drejt Shkodrës. Dje në drekë ndërkohë ka mbërritur nga Turqia edhe Sukaj. Ata të dy tashmë do të vihen në dispozicion të trajnerit Canaj për t’u stërvitur. Madje ganezi duhet të ketë mbërritur që mbrëmë në Ulqin, ndërkohë që të njëjtën gjë do të bëjë sot edhe Sukaj. Në këto dy ditë mendohet që me skuadrën të bashkohet edhe ndonjë futbollist tjetër që do vijë për t’u provuar te Vllaznia.