Vllaznia, stërvitja nis më 8 qershor
Kanë filluar disa nga enigmat e para të Vllaznisë europiane. Të asaj skuadre që do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës Europiane. Fakti që nuk ka shumë kohë në dispozicion për t’u përgatitur për këtë trofe, i ka detyruar drejtuesit shkodranë të fillojnë të mendojnë herët për këtë kompeticion.
Pikërisht për këtë arsye, dje në mesditë presidenti Fushaj ka mbledhur drejtuesit kryesorë të klubit dhe ka diskutuar me ta për shumë çështje që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në Europë. Ajo çfarë bie në sy është caktimi i datës 8 qershor si data kur do fillojnë zyrtarisht stërvitjet për Vllazninë.
Për këtë arsye, punonjësit e stadiumit duhet ta bëjnë gati terrenin për atë ditë, sepse gjatë javës së dytë të qershorit, mendohet që stërvitja e kuqebluve të zhvillohet në “Loro Boriçi”. Vetëm pas kësaj jave pastaj do të nisë faza intensive përgatitore që mendohet të zhvillohet diku jashtë vendit, ndoshta në Mal të Zi, si gjithnjë.
Tifozët shkodranë presin një merkato të bujshme
Mbarimi i sezonit natyrisht që ka lënë pas shumë enigma që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e skuadrave në të ardhmen. Kuptohet që përpara është merkatoja dhe brenda saj ka shumë enigma. Në Shkodër tifozët e zjarrtë të Vllaznisë kanë filluar të presin me shumë ankth atë se çfarë do të ndodhë te skuadra e tyre. Shumë prej tyre i sheh shpesh pranë hotel “Colosseu”, aty ku i ka zyrat presidenti Fushaj.
Duan të marrin vesh ndonjë lajm në lidhje me lojtarët që do largohen, por më tepër janë të interesuar për ata që do vijnë. Ata duan një Vllazni kampione për sezonin e ardhshëm dhe kuptohet që puna për këtë nis nga ky moment. Zhvillimi i një merkatoje të mirë do të thotë gjysma e punës. Aq më tepër që shkodranët marrin pjesë edhe në kupat e Europës.
Komentet