Mbrojtësi Semina parapëlqen rikthimin në Shqipëri: Këtu në Bullgari më do Sllavia e Sofjes
Është një emër tashmë i njohur në futbollin shqiptar. Vetëm 20 vjeç dhe me një të ardhme të sigurtë mbrojtësi shkodran Klodian Semina është edhe njëherë tjetër në merkato. Me Vllazninë por edhe me një klub të njohur bullgar të gatshëm për të marrë shërbimet e tij. ditët e ardhshme do të flasin shumë për këtë mbrojtës, i cili prej kohësh është në xhiron e ekipeve kombëtare të moshave në Shqipëri.
Karriera- E ka nisur me ekipet zinxhir të Vllaznisë dhe ka qenë një titular i padiskutueshëm edhe në ekipet kombëtare të moshave, deri tek të rinjtë dhe tani shpresat. Kërkesat ndaj vetes për të luajtur në një kampionat jashtë vendit bënë që Semina të kalonte një përvojë mjaft interesante në kampionatin bullgar, sezonin e kaluar. Duke qenë pjesë e skuadrës bullgare Belasitsa Petrich, shkodrani Semina, luajti si titullar në repartin e mbrojtjes, herë në qëndër dhe herë në krah, duke qënë një nga më të mirët, jo vetëm të skuadrës së tij. Në kampionatin bullgar, u votua disa here në 11-tëshin më të mirë të javës. Faktikisht, skuadra me të cilin është aktivizuar nuk ka qënë në nivelin e kërkuar, por kjo nuk e ka penguar aspak Seminën të evidentojë vlerat e tij të verteta si futbollist. Në një farë mënyre kjo ka qënë edhe platforma e tij. ky ka qenë në fakt edhe misioni i tij, kur pranoi të luante me këtë skuadër. Duke shfaqur vlerat e tij në fushën e lojës të tërhiqte vemendjen e klubeve të tjera, qoftë të kampionatit bullgar, apo edhe më gjerë. E në këto kushte, të parët që kanë hedhur sytë nga ai janë drejtuesit e skuadrës së Sllavies së Sofies, një nga ekipet e elitës së kampionatit bullgar. Menaxherë dhe drejtues të këtij klubi, kanë arritur të kontaktojnë disa herë me shkodranin shtatlartë që tashmë është bërë një personazh shumë i njohur në kampionatin bullgar, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në faqet e shtypit apo emisinet televizive ku ai shpesh herë është i ftuar.
Ofertat- Gjatë një prononcimi të dhënë për “Sport Ekspres”, Semina, thotë se oferta që i është drejtuar atij nga drejtuesit e Sllavies është për t’u pasur në konsideratë, po aq sa duhet vlerësuar edhe interesimi që janë duke bërë drejtuesit e skuadrës Lokomotiv Mezdren, edhe kjo një skuadër me peshë në kampionatin bullgar. Për Seminën, qëndrimi në Bullgari do të zgjasë vetëm edhe 4-5 ditë, pasi me përfundimin e kampionatit bullgar, ai do të vrapojë me shumë kënaqësi që të kthehet në Shkodër për të kaluar disa ditë mes familjes dhe shokëve të sportit që ka lënë në këtë qytet, ditë që do t’i shërbejnë atij, jo vetëm për relaksim në Shirokën e tij të preferuar pranë tavës së krapit, siç e ka cilësuar jo pak këto ditët e fundit edhe në komunikimet përmes Facebook-ut që ai ka bërë me miqtë e tij në Shkodër, por në të njëjtën kohë edhe për testuar edhe një tjetër ide, atë të rikthimit pranë skuadrës së zemrës Vllaznia. “Që do të lëvizi nga kjo skuadër ku po luaj, “Belasitsa Petrich”, kjo nuk diskutohet, pasi skuadra e ime është tashmë e rënë nga kategoria, dhe pas pak ditësh jamë krejt i lirë për të vendosur për fatin tim pa asnjë lloj detyrimi financiar ndaj kësaj skuadre”, thotë Klodi, i cili pyetjes sonë në lidhje me Vllazninë nuk nguron t’I përgjigjet menjëherë. “Natyrisht, edhe pse në adresën time ka interesime të drejtpërdrejta nga kampionati bullgar, nuk kam pse ta fsheh, që për mua veshja e fanelës së Vllaznisë është jo vetëm nder dhe kënaqësi, por edhe sukses, pasi kjo skuadër është profesioniste. E them këtë nisur nga vetë funksionimi i klubit është për t’u marrë shembull edhe këtu në Bullgari…”, thotë Semina, i cili bën të ditur se edhe ai vetë personalisht nuk ka kujtime të bukura nga klubi me të cilin ka luajtur për çështjen e korrektesës financiare. Kësisoj, edhe pse dy skuadrat bullgare e kanë shfaqur hapur ambicjen e tyre për ta pasur në gjirin e tyre futbollistin shqiptar, njëra prej pistave të mundshme është edhe ajo e rikthimit sërishmi në Shqipëri për t’iu bashkangjitur skuadrës së zemrës Vllaznia për edicionin e ardhshëm futbollistik. Për hir të së vertetës, Semina, duhej të ishte pjesë e formacionit kuqeblu në sezonin futbollitik që sapo u mbyll. Prania e tij ishte bërë fakt i kryer, pasi ai gjatë të gjithë fazës përgatitore ishte pjesë e skuadrës shkodrane, dhe se mirëkuptimet me presidentin Fushaj ishin gjetur. Për një gjë të tillë flet edhe lista e federimit e dërguar në FSHF, ku emri i Seminës ishtë pjesë e K.F Vllaznia. Por pikërisht, një ditë përpara startit të kampionatit, kur të gjithë e prisnin në autobus për të udhëtuar në trasfertën e parë me skuadrën, një pretendim në lidhje me dokumentacionin që kishte pasur me skuadrën e tij në Bullgari e detyroi të rikthehej edhe një herë atje duke ia mohuar të drejtën dhe kënaqësinë e aktivizimit me kuqeblutë. E, tani që kartoni jeshil i aktivizimit të tij është në duart e Seminës, ndërkohë që edhe në përbërje të skuadrës kuqeblu priten largime titullarësh në masë, duket se është mundësia më e mirë për të bërë realitet atë që iu mohua një vitë më parë. “Për momenti, kjo është situata, thotë përmes një bisede në facebook Semina, unë do të jem në Shkodër në fillimin e javës tjetër, dhe gjërat do t’i diskutoj kokë më kokë me drejtuesit e Vllaznisë, dhe nëse do të gjijë mirëkuptimin e duhur, edhe oferta bullgare është joshëse, ju them sinqerisht, që unë do të zgjidhja Vllazninë për të vazhduar karrierën time sportive, për shumë faktorë, një ndër të cilat shumë bindës, është edhe ajo që ju thashë më sipër, pasi konstatoj se është një klub shumë profesionist dhe korrekt në marrëdhënie me sportistët”.
S.Ekspres
Komentet