Futbollisti i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, ndihet i kënaqur në aspektin personal

Para pak kohësh ka mbushur 22 vjeç. Në pamje të parë nuk është një zbulim i momentit, por gjithsesi fakti që shkëlqeu me Vllazninë në këtë sezon, e kanë evidentuar si një nga lojtarët më të mirë të saj. Ka arritur të shënojë 4 gola këtë kampionat me kuqeblutë, ka qenë protagonist edhe në disa të tjerë. Për Ndriçim Shtubinën, gjërat kanë shkuar në mënyrë më të mirë të mundshme. “Të them të drejtën, as unë nuk e mendoja se do arrija këtë sukses sivjet me Vllazninë.

Ndoshta ngaqë kisha kaluar disa përvoja jo në nivele të tilla më parë. Megjithatë, dua të them se 6 muajt e aktivizimit tim te Skënderbeu sezonin e kaluar më kanë ndihmuar shumë, sepse më bënë edhe më të fortë për të përballuar superligën.

Tani më duhet t’i shijoj për pak ditë këto momente të bukura që kalova gjatë këtij sezoni, sepse më presin shumë punë për të bërë për të ardhmen,” ka thënë ai. Lojtari i krahut të majtë të mesfushës, sidomos në pjesën e dytë të sezonit, ka qenë më i miri te Vllaznia, ka krijuar lojë, raste dhe gola, duke e nxjerrë shpeshherë skuadrën e tij nga përgjumja.

Ndoshta edhe falë aspektit të mirë atletik, sepse kemi të bëjmë me një futbollist shpërthyes. Goli i parë i shënuar në ndeshjen e fazës së dytë ndaj Partizanit pikërisht në minutat e fundit të ndeshjes, e ka ndihmuar atë të luajë më lirshëm.

Një gol shumë i rëndësishëm ky që e ka ndihmuar shumë për vazhdimësinë. Pikërisht këtë gol kaq të rëndësishëm Shtubina ia ka dedikuar babait të tij, që nuk jeton më. Një dedikim i veçantë ky për njeriun që e mbështeti gjatë gjithë jetës së tij, me qëllimin e vetëm për ta parë të birin protagonist në fushat e blerta. Dhe në të vërtetë ai tashmë është bërë protagonist.

Madje për pak sa nuk u bë protagonist edhe në fitimin e trofeve me Vllazninë. Për vetë Shtubinën, mosfitimi i titullit sivjet është një peng jo i vogël dhe prandaj këtë gjë ai e thotë edhe në fjalën e tij më poshtë: “E dëshiroja shumë këtë titull kampion sivjet dhe sigurisht që më vjen keq që nuk e arritëm në fund.

Do të ishte mirë për të gjithë ne dhe veçanërisht për mua që në sezonin e parë si titullar me Vllazninë, të shpallesha kampion, megjithatë tashmë duhet të pres rastet e tjera që do të më paraqiten.” Në kampin shkodran të gjithë japin vlerësimet më të larta për këtë futbollist.

Dhe jo vetëm në fushën e blertë, por edhe jashtë saj. Një paraqitje e tillë e këtij lojtari nuk kishte si të kalonte pa rënë në sytë e drejtuesve të ekipeve të tjera. Vetë Shtubina para pak kohësh është shprehur se drejtuesit e Tiranës i kishin kërkuar të bisedonin me të.

Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit turk të Koniasporit, që erdhën para disa kohësh për të vëzhguar disa futbollistë të Vllaznisë, vunë gishtin pikërisht tek ai. Kjo do të thotë se nuk përjashtohet mundësia që sezonin e ardhshëm mesfushori 22-vjeçar të lërë Shkodrën. Kuptohet, një gjë e tillë do bëhet me lejen e klubit, sepse ka edhe dy vjet kontratë me të.

I pyetur në lidhje me këtë fakt, vetë Shtubina në fund do të shprehej: “Në Shqipëri sigurisht që dua të luaj vetëm me Vllazninë. Sa për ofertat e tjera që kanë filluar të më vijnë, kuptohet që i mirëpres, por çdo gjë do bëhet në marrëveshje me drejtuesit e klubit. Dëshira është e madhe të luaj në një klub të huaj, por t’ia lëmë kohës më mirë.”

Komentet