Skuadra shkodrane, dje ka zhvilluar seancën stërvitore të parafundit, në prag të nisjes për në Kroaci, ku të shtunën do të ndeshet me NK Zagreb, pë turin e parë të Kupës Intertoto. Në përbërje të skuadrës nuk ka patur ndryshime, ndërkohë që kuqeblutë, ndryshe nga java e kaluar, këto ditë janë stërvitur me nga një seancë, nën drejtimin e teknikut Josa dhe dy ndihmësve të tij, Cungu e Dani. Lidhur me ndeshjen e parë, që do të luhet në Zagreb, për gazetën “Sport Ekspres” është prononcuar shtatlarti i mbrojtjes shkodrane, Admir Teli. “Kemi dëgjuar nga kampi kroat për një kalim pa probleme të turit, madje, duke mos na llogaritur fare”, thotë Teli, i cili e ka të gatshëm edhe reagimin. “Patjetër që e vlerësojmë skuadrën kundërshtare, jo vetëm për vendin e tretë në kampionatin kroat, por edhe sepse ka mjaft futbollistë të kombëtares në përbërje. Megjithatë, më duket e pakuptimtë siguria që ata shprehin në kualifikimin pa probleme” thotë mbrojtësi shkodran. Edhe pse koha e përgatitjeve ka qenë e pamjaftueshme, Teli nënvizon se skuadra ka ardhur duke u harmonizuar në lojën e saj, edhe pse temperaturat e larta kanë shoqëruar të gjitha seancat stërvitore. “Megjithatë, jemi stërvitur me përkushtim dhe të shtunën, në Zagreb, do të luajmë me synimin për të mos dalë të humbur nga fusha. Kjo do të na favorizonte për ndeshjen e kthimit në Shkodër, një javë më pas, që të kërkojmë kualifikimin”, ka shtuar Teli. Stafi teknik, edhe pse dita e ndeshjes afroi, ka akoma disa pikëpyetje për formacionin, sidomos për vijën e parë, ku akoma nuk konfirmohet plotësisht qenia e Sinanit. Më i konfirmuar është reaprti i mbrojtjes, ku do të luajë edhe Admir Teli, përkrah Licit e Dabullës. Në fakt, gjatë ndeshjeve të fundit të kampionatit të kaluar, Josa e pati aktivizuar Telin edhe në rolin e mesfushorit të djathtë, duke shfrytëzuar praninë e Vukçeviçit prapa. Por, tani që malaziasi nuk është pjesë e skuadrës, kthimi i Teli prapa është i padiskutueshëm. “Ne kemi të qartë se në këtë ndeshje barra më e rëndë do t’i takojë repartit tonë”, thotë Teli, duke patur parasysh sulmin që do të ndërmarrin vendasit, në kërkim të realizimit të objektivit për t’u kualifikuar. “Ne jemi përgatitur për një gjë të tillë, ndaj do të përpiqemi t’u bëjmë ballë sulmeve të kundërshtarit, por në të njëjtën kohë do të ishte shumë pozitive, nëse do të arrinim të shënonim ndonjë gol në portën e vendasve”, thotë Teli. Ndërsa, duke iu referuarobjektivit, që skuadra shkodrane synon të realizojë në këtë ndeshje, Teli shton se do të kërkohet për të mos dalë të humbur nga fusha e lojës. Dhe, në këtë kuadër, nëse një gjë e tillë arrihet me gola, atëherë do të ishte akoma më mirë, që i hap shanse kualifikimi skuadrës kuqeblu, nisur nga avantazhi i shënimit në fushën kundërshtare”. Admir Teli, një nga shtyllat e formacionit shkodran, edhe pse luan në mbrojtje, jo pak herë ka befasuar me golat e tij, të shënuar me kokë në portat kundërshtare, çka do ta dëshironte ta arrinte edhe në ndeshjen e së shtunës, në Zagreb.

Sport Ekspres

Komentet