Dy ditë para përballjes së parë të Intertotos mes ekipit kroat NK Zagreb dhe Vllaznisë së Shkodrës, drejtuesit e kësaj të fundit janë të vendosur për të bërë më të mirën në këtë sfidë të parë të këtij turi. Fakti që luhet në transfertë nuk i tremb shumë ata, përkundrazi, i ka motivuar më tepër në kërkim të një rezultati sa më të mirë. Trajneri Josa ka marrë të gjitha masat që skuadra të japë më të mirën e saj në kryeqytetin kroat, duke pretenduar të marrë maksimumin nga lojtarët që ka në dispozicion. Për këtë arsye, në pamje të parë, ai nuk e sheh Vllazninë favorite për të kaluar turin tjetër, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk do të kërkojë të realizojë ndonjë surprizë të këndshme që në ndeshjen e parë. "Tashmë jemi në përgatitjet e fundit të skuadrës për ndeshjen e parë dhe mendoj se ekipi ka bërë më të mirën e mundshme në këto ditë stërvitore. Kuptohet që kontigjenti i cili kam në dispozicion nuk është ai që mund të dëshiroja, ngaqë alternativat për të luajtur i kam të pakta, megjithatë kjo nuk do të thotë se shkojmë për të humbur.
 
Nuk do të ishte çudi edhe nëse do ta fitonim këtë ndeshje," - ka thënë dje Josa për "Sportin shqiptar". Trajneri kryeqytetas i kuqebluve tashmë e ka të qartë në mendjen e tij edhe formacionin me të cilin do të luajë në takimin e pas dy ditëve. Thuajse është ai që kishim paralajmëruar dje në faqet e gazetës sonë, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që në momentet e fundit të ketë ndonjë lëvizje tjetër. "Formacionin thuajse e kam përcaktuar, megjithatë do ta shpall vetëm ditën e ndeshjes, sepse mund të bëj edhe ndonjë lëvizje tjetër në momentet e fundit," - ka shpjeguar Josa. Vllaznia do të zhvillojë paradreken e sotme seancën e fundit stërvitore në Shkodër, ndërkohë që në orën 17:00 do të bëhet nisja me autobus. Destinacioni i parë do të jetë qyteti i Hercegnovit në Mal të Zi, vend ku do të kalohet edhe nata, ndërkohë që të premten në mëngjes ekipi sërish me autobus do të marrë rrugën drejt Dubrovnikut dhe më pas që aty me çarter për në Zagreb.

Pasditen e kësaj dite kuqeblutë do të zhvillojnë një seancë stërvitore në fushën ku do të luajnë ndeshjen zyrtare dhe kaq, sepse pastaj do të nisin "ethet" e ndeshjes. Ndërkaq, lajmi më i fundit që është marrë vesh nga ana e trajnerit Josa ka pasur të bëjë me Sinanin. Sipas drejtuesit të stolit shkodran, sulmuesi i njohur është federuar tashmë për ndeshjet e Intertotos dhe e sigurt është se për ndeshjen e kthimit ndaj Zagrebit ai do të jetë i gatshëm për të luajtur, madje nuk përjashtohet mundësia që të udhëtojë me ekipin edhe për në Kroaci, por më shumë si spektator. E rëndësishme është se Vllaznia do të mundohet të bëjë më të mirën në këto ndeshje europiane për të treguar vlerat e vërteta të saj, pavarësisht se kontigjenti i saj aktual nuk lë shumë vend për pretendime të mëdha.

Sporti Shqiptar

Komentet