Post
by fpjalmi » Thu, 15 Jan 2009 , 23:14
Xhani: Kriza globale ndikoi te Partizani
15/01/2009 09:10
Problemet financiare të Partizanit nuk zgjidhen sa “hap e mbyll sytë”.
Është ky konkluzioni që nënkuptohet nga prononcimi për gazetën “Shqip” i presidentit të këtij klubi, Albert Xhani, i rikthyer vetëm dy ditë më parë nga Greqia, ku ka qenë i impenjuar në krye të bizneseve të tij.
Shtypi
Numri “Një” i të kuqve e thekson shpesh se është shumë i bezdisur nga shtypi, i cili interesohet deri në detaje për zhvillimin e ngjarjeve të fundit te Partizani dhe vazhdimisht thekson se “nuk jam i detyruar t’i jap llogari askujt”.
“Unë udhëtoj shumë shpesh për në Greqi, ku punojnë kompanitë e mia. Kam ardhur e kam ikur 100 herë dhe për këtë nuk jam aspak i detyruar t’i jap askujt llogari, sikurse nuk i jap llogari askujt se kur do t’i paguaj lojtarë, si do t’i paguaj etj., aq më tepër shtypit”, insiston Xhani. Është prej dy netësh në Tiranë, por vetëm sot mund të zbresë në zyrat e klubit, ku shpresohet se do të takojë lojtarët dhe drejtuesit e tjerë.
Kriza
Të gjithë prisnin se me mbërritjen e tij “në shtëpi” dhe brenda ditës do të zgjidheshin të gjitha hallet e klubit kryeqytetas, por duket se nuk do të ndodhë tamam kështu.
Këtë e konfirmon vetë Xhani, i cili premton se situata do të përmirësohet, por në asnjë moment nuk preferon të japë afate për zgjidhjet. Shkak për situatën jo të mirë financiare të klubit ai identifikon krizën globale, e cila ka goditur edhe financat e kompanive të tij në Greqi.
“Partizani ka pasur probleme, ka probleme dhe do të ketë probleme, thotë presidenti. Jetojmë në një botë të turbullt, e cila po kalon një nga periudhat më të vështira pas goditjes nga kriza financiare. Kjo krizë ka prekur edhe kompanitë e mia”. Ai pohon se përpjekjet për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë nuk kanë reshtur asnjëherë, por situata aktuale nuk është shumë e favorshme për zgjidhjet sa hap e mbyll sytë. “Po kalojmë një krizë financiare, ashtu siç po kalojnë të gjitha skuadrat. Lojtarët kanë tre-katër muaj pa marrë rrogat, rrëfen Xhani. Po punojmë për zgjidhjet, për këtë jemi të angazhuar të gjithë. Por situata do të rregullohet atëherë kur të rregullohet edhe gjendja financiare e kompanive të mia”.
Merkato
Situata nuk duket shumë shpresëdhënëse për futbollistët e papaguar. Megjithatë presidenti shikon përpara. Sot, ose në ditët në vazhdim, pritet të kontaktojë me drejtuesit e klubit dhe me lojtarët për të qartësuar gjendjen dhe do të planifikojë edhe kahet e zhvillimeve për pjesën e mbetur të sezonit.
Edhe pse financat nuk duken të shëndosha, Xhani nuk e fsheh se një sy e ka në merkato, por paralajmëron se do të ketë edhe largime nga të kuqtë aktualë.
“Në fillim do të mundohemi t’i bindim të qëndrojnë këta që futbollistë kemi, shpjegon presidenti. Mes tyre mund të ketë edhe disa që do të largohen. Pastaj synojmë të përforcojmë ekipin me 3-4 lojtarë të tjerë. Të shohim, kohë ka deri më 31 janar”.
Objektivi
Paraqitja jo e mirë e Partizanit në këtë pjesë të parë të sezonit, e ndikuar nga kriza financiare, e cila e ka prekur që në verën e fundit, ka zvogëluar në minimum objektivat e klubit me më shumë histori në futbollin shqiptar.
I parafundit në klasifikim me pikë të barabarta me Lushnjën, por me golavarash më të mirë, Xhanit nuk i ngelet tjetër veçse të kërkojë si fillim “qëndrimin në Kategorinë Superiore, pastaj të ngjitet sa më lart në renditje”.