Post
by Miri » Sat, 06 Dec 2008 , 11:18
Tirana, problemet mes donatorëve drejt gjykatës
Refik Halili ndihet më i lehtësuar, pasi kishte frikë se shumë nuk e besonin. Më në fund, sipas tij, janë vërtetuar ato që ai kishte trumbetuar kohë më parë si problemet e Tiranës.
“Tashmë të gjithë e dinë se kush nuk është treguar korrekt me kontratat që ka nënshkruar me Tiranën. Unë kam qenë gjithmonë korrekt, madje këtë herë e mësuan të gjithë se kam realizuar 200% kontratën time”, Megjithatë, ende nuk e ka fituar “luftën”, të cilën ai shprehet se nuk e ka dashur kurrë. “Kam dashur shumë të ishim bashkë të katërt, por kështu është e pamundur”.
Ai premton se shumë shpejt çështjen do ta ndjekë ligjërisht.
Shefi i klubit
Nuk janë vetëm dy donatorët jokorrektë, siç i quan ai, problemi i vetëm. Që nga e marta, tashmë në listën e tij, ku mban emrat e “plan-prishësve” të Tiranës ka shënuar zyrtarisht edhe emrin e shefit të klubit, Eduard Gjini.
Ky i fundit është bërë pre e akuzave të ashpra të presidentit të Tiranës për njëanshmëri mes donatorëve.
“Shefi i klubit po bën lojën e njerëzve jokorrektë, denoncon Halili. Ai komandohet nga njerëz që nuk e duan Tiranën, dhe është lojtari nr. 1, i cili po bën një lojë shumë të pisët. Pasi la në ‘baltë’ Nurin, tani vazhdon të bëjë lojën e Papulit. Me sa mësova nga gazetat, ai ka futur pa të drejtë në lojë edhe bashkinë, duke na bërë edhe një kërcënim, se mund të na largojë, pasi ka edhe donatorë të tjerë. Në konferencën për shtyp u tregua i paskrupullt. Unë vetë personalisht i paguaj atij 1 milion e 250 mijë lekë rrogë dhe më detyrohet të më informojë për çdo gjë, edhe për konferencat e shtypit”.
Mbledhja e kryesisë
I pyetur në lidhje me mbledhjen e kryesisë, kryedonatori i thellon akoma edhe më tej akuzat e tij ndaj shefit të klubit, ku thekson se “paturpësinë më të madhe e bëri kur mohoi zhvillimin e asaj mbledhjeje, e cila u zhvillua një ditë para ndeshjes Tirana-Teuta.
Aty, përveç meje dhe zotit Gjini morën pjesë anëtarët e tjerë Shefikat Ngjela, Arben Çela, Riza Hicka, Rauf Dimraj e Alban Tafaj, me përjashtim të dy donatorëve Papuli e Nuri.
Anëtarët e tjerë ishin të ashpër, pasi, sipas tyre, ishte shkelur afati i likuidimit të detyrimeve financiare. Ndërsa unë ndërhyra duke u thënë të jenë më të përmbajtur.
Më pas u mbajt një procesverbal, i cili u firmos nga të gjithë të pranishmit dhe nga vetë shefi i klubit. Edhe nga Gjini, i cili madje tha se do të na shpërndante të gjithëve nga një kopje”. Mbledhjen e konfirmoi edhe donatorja Ngjela.
Drejt gjykatës
“Ju garantoj se do të vazhdoj sponsorizimin te Tirana. Do të jap maksimumin tim për të përmbushur objektivat që kam premtuar në fillim të sezonit, sqaron Halili, i pyetur në lidhje me lëvizjen e ardhshme në lidhje me çështjen.
Do ishte mirë që të ishim të katërt. Unë nuk dua luftë, por nuk mund të vazhdoj kështu. Unë do të njoftoj edhe bashkinë për gjithçka, duke i vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Kjo çështje nuk do të mbyllet këtu, shumë shpejt do ta ndjek atë ligjërisht. Kam ndërmend t’i shkoj deri në fund”, përfundon Halili.