Post
by Miri » Fri, 25 Jan 2008 , 13:19
Kush shet ndeshje dënohet me 7 vjet burg
“Paracaktimi i rezultateve në garat sportive, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri ne 2 vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë lekë deri në 3 milionë lekë”. Ky është thelbi i ndryshimeve që pritet të miratohen në “Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë” ose ligjin Nr. 7895 date 27.01.1995. Ndryshime këto të propozuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Prokurorëve dhe Zyrën e Mbrotjes së Qytetarëve.
Kërkesa për një futboll me “këmbë të pastra” synon rishikimin e ligjit për të frenuar fenomenenin shkatërrues të futbollit shqiptar si trukime, shitje, e fiksime te rezultateve në botën e sportit.
VEPER PENALE – “Fenomeni i paracaktimit te rezultateve te garave sportive si dhe rastet kur këto rezultateve paravendosen me qellim përfitimi ose jo, kane qene te shpeshta. Kjo del ne pah, duke ju referuar dhe një seri faktesh të rënda,të njohura për të gjithë, në denoncime të vazhdueshme publike e jo publike, të bëra nga drejtues klubesh, gazetarë sportivë e deri institucione prestigjioze ndërkombëtare”, - shkruhet në relacionin e paraqitur në emër të grupit të punës nga prokurori, Shkëlqim Hajdari. “Trukimet e sporteve tashmë do të gjykohen në bazë të Kodit Penal dhe çdo ndërhyrje në sport do të dënohet si vepër penale”, - tha kreu i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari. “Kjo nismë ligjore është një përmirësim i një boshllëku në Kodin Penal dhe i shërben drejtpërdrejtë përmirësimit të sportit dhe largimit të tij nga fenomenet e trukimeve që janë një shkatërrim për sportin në tërësi”, - theksoi Hajdari. “Ishte e domosdoshme që të bëhej një ndërhyrje e tillë në kodin penal dhe se duhen luftuar të gjitha ato trukime apo fiksime rezultatesh që nuk pasqyrojnë realitetin. Kryerja e veprës penale që do të klasifikohet tashmë, ajo e shitjes, trukimit apo fiksimit të rezultateve në sport është një shkatërrim për sportin dhe ndaj duhet vlerësuar si një vepër që meriton ndëshkim sipas Kodit Penal”.
HETIMI I NDESHJEVE- “Kryerja e veprës penale që do të klasifikohet tashmë, ajo e shitjes, trukimit apo fiksimit të rezultateve në sport është një shkatërrim për sportin dhe ndaj duhet vlerësuar si një vepër që meriton ndëshkim sipas Kodit penal”, pohoi pëerfaqësuesi i prokurorisë, Hajdari. "Futja e kësaj dispozite në Kodin Penal do të bëjë të mundur hetimin e çdo dyshimi për përcaktimin e rezultateve në garat sportive dhe do të sjellë parandalimin e këtyre fenomeneve, të cilat dëmtojnë rëndë sportin në vendin tonë".
“FAIR-PLAY”- “Hartimi dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë te Bashkimit Evropian ka qenë dhe mbetet një nga detyrat parësore të MTKRS. Në fushën e legjislacionit sportiv ne jemi bazuar në përvojën më të mirë dhe të përparuar ndërkombëtare, duke e përshtatur atë sipas kushteve tona”, - deklaroi zëvendësministri i MTKRS-së, Ekrem Spahia. “Ne jemi të bindur se kjo nismë, që është edhe në kuadrin e bashkëpunimit me UEFA-n dhe FIFA-n për një futboll "Fair -Play", do të ndihmojë për minimizimin e fenomeneve të dëmshme në sport dhe ndëshkimin e personave përgjegjës" - tha zëvendësministri i MTKRS, Ekrem Spahia.
AFERA KORUPTIVE- “Zyra e Mbrojtjes së Qytetarëve sheh të konkretizohet një angazhim i saj i herëshëm. Ne si organizëm kemi mjaft kohë që kemi ngritur zërin dhe kemi denoncuar një mori problemesh që kanë shqetësuar botën e sportit në Shqipëri”, - tha përfaqësuesi i ZMQ, Guri. “Projektligji do të plotësonte një mangësi të dukshme në kuadrin ligjor, duke ndihmuar përpjekjet e të gjitha palëve për të luftuar aferat korruptive në botën e sportit". Futja e kësaj dispozite në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë do të bëjë të mundur hetimin për çdo dyshim të trukimeve në sport dhe do të parandalojë zhvillimin e këtyre fenomeneve shkatërruese në sport dhe do të ndikojë në zhvillimin e një sporti të pastër dhe larg “këmbëve të pista”.
Vakuum ligjor
Në zbatim të detyrave të veta funksionale dhe duke u bashkuar me shqetësimet e arsyeshme të shprehur nga drejtues të klubeve, trajnerë, sportistë, media dhe sportdashës, pas trukimit të disa ndeshjeve, MTKRS-ja ka arritur në përfundimin se është e domosdoshme që të plotësohet një vakum ligjor që egziston në Kodin Penal në lidhje me këtë çështje.
24 amendime
Gjatë vitit 2007, me nismën e MTKRS-së dhe në konsultim me grupet e interesit, Kuvendi i Shqipërisë, më 22 tetor të vitit 2007 miratoi me votat e maxhorancës dhe të opozitës plot 24 amendime në Ligjin “Për Sportin”, të cilat synonin permiresimin e ligjit Nr.9376 të miratuar, më 21 prill 2005.