Post
by loroborici » Mon, 28 Jun 2010 , 17:05
Dështon protesta e tifozëve të Vllaznisë
Autori: Gjergj Kola
Data: 28/06/2010
Version Print
Vetëm 20 tifozë shkodranë janë mbledhur para Bashkisë Shkodër, duke mos pasur efekt kjo protestë
Ka dështuar protesta e djeshme e tifozëve të Vllaznisë para bashkisë. Prania e pakët e tyre, ka bërë që efekti i protestës të mos ndihet fare. Mbase shumë prej tifozëve kanë menduar se, si ditë e diel, nuk ishte zgjedhur dita e duhur për zhvillimin e kësaj proteste, ngaqë zyrat e këtij institucioni kanë qenë të gjitha të mbyllura. Në orën 11:00, ashtu siç ishte paralajmëruar, një grup shumë i vogël tifozësh janë mbedhur para zyrave të bashkisë. Nuk kanë qenë më shumë se 20 të tillë, të cilët me një parullë të tyre, më tepër se për t’i tërhequr vëmendjen zyrtarëve të bashkisë (nuk kishte asnjë në zyra), kanë dashur të bëjnë më tepër “shoë” mediatik.
Grupimi “Vllaznit Ultras” nuk është përkrahur nga tifozët e tjerë kuqeblu dhe, për rrjedhojë, ata janë gjendur të vetëm në këtë protestë. Ndërtesa gjigande e bashkisë dukej shumë e madhe para këtyre pak tifozëve. Qoftë edhe për ta lëkundur disi nga gjumi që ka zënë këtë institucion sa u takon çështjeve të sportit. Problemet e fundit që kanë lindur në mes tij dhe presidentit të klubit të Vllaznisë, Valter Fushaj duan një zgjidhje sa më të shpejtë. Natyrisht, në të mirë të futbollit shkodran, sepse çdo ditë që kalon tashmë, është në të keqen e ndërtimit të skuadrës. Numri 1 i klubit ka pasur një kontratë me bashkinë dhe pas pak muajsh, kjo kontratë merr fund.
Natyrshëm, duke parë këtë gjë, Fushaj zyrtarisht i ka kërkuar një takim prej kohësh për të përcaktuar mënyrën si do të bashkëpunohet për të ardhmen. Ky takim nuk është realizuar ende dhe prandaj te Vllaznia nuk ka asnjë lëvizje. Kjo gjë ka shqetësuar shumë tifozët që, pavarësisht protestës së dështuar dje, vazhdojnë të jenë shumë të shqetësuar për fatet e skuadrës së tyre. Në çdo bisedë që bëhet për sportin, ata duken qartë se mendjen nuk e kanë fare te Botërori, por te skuadra e tyre.
“Ajo që realisht po na shqetëson është amullia dhe indiferentizmi që ka pushtuar drejtuesit dhe klubin, e bashkë me to edhe Bashkinë e Shkodrës, si përgjegjëse kryesore për mbarëvajtjen e ekipit. Dita ditës po largohen edhe xhevahirët e pakët të kësaj skuadre, si talenti Bala, Nallbani, edhe ky me shumë mundësi drejt Turqisë dhe ndonjë lojtar tjetër.
Duket sikur ka shumë kohë në dispozicion, por në të vërtetë nuk ka. Sezoni është në prag dhe ne ende s’kemi bërë asnjë lëvizje, ende nuk dihet emri i trajnerit të ri dhe aq më pak, grupi i futbollistëve që do të përfaqësojë Vllazninë për sezonin 2010 2011. Ajo që e vuan më shumë këtë situatë është Vllaznia dhe tifozët e saj, ku si kënaqësi të pakta të tyre, kanë ekipin e futbollit. Prandaj, i ftojmë drejtuesit shkodranë që t’i vënë gishtin kokës dhe të merren me hallet e problemet e ekipit,” thuhet ndër të tjera në deklaratën e djeshme të grupimit “Vllaznit-Ultras”.
Radonjiç ka mbetur në…Han të Hotit
Konsiderohet nga të gjithë si kandidatura më serioze për marrjen e postit të trajnerit të Vllaznisë. Malazezi Mojash Radonjiç është duke punuar prej kohësh për këtë dhe megjithatë duket se tashmë pret vetëm emërimin.
Edhe në kampin shkodran nuk duket të ketë një trajner më të mirë se ai për momentin në listë dhe prandaj gjasat janë që Radonjiç të emërohet trajner në ditët në vazhdim. Koha e emërimit u zgjat paksa si shumë, aq sa në Shkodër në formë humori thuhet: “Trajneri i ri ka mbetur në Han të Hotit me valixhe në duar për të ardhur në Shkodër dhe pret vetëm telefonatën e Fushajt.”
Vllaznia ne zemer