Intervista

Lajme te fundit nga Vllaznia

Moderators: GOLDIAN, Miri, vllaznia1919

Post Reply
vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sun, 27 Mar 2005 , 15:21

Shehi: Vllazni, s'ke pse dyshon tek unë!

Në lojën e Vllaznisë në këtë sezon, natyrisht që një pjesë të konsiderueshme të suksesit e zë edhe loja e mirë e portierit Orges Shehi. Durrsaku i njohur ka zhvilluar ndeshje shumë të mira, megjithatë herëpashere polemikat në lidhje me paraqitjen e tij nuk kanë munguar. Një e tillë ka qenë edhe ajo e ndeshjes së fundit ndaj Teutës. Stafi drejtues i Vllaznisë ka menduar që të aktivizojë nga minuta e parë në këtë 90 minutësh portierin e dytë Gaspër Ndoja. Kjo me shpjegimin që Shehi luante para ish-skuadrës së tij dhe për pasojë do të kishte emocione. E njëjta situatë ishte shfaqur edhe në ndeshjen e fazës së dytë mes këtyre dy ekipeve, në të cilën Orgesi gaboi në një moment, duke i dhuruar fitoren durrsakëve. Pasndeshja e fundit me Teutën u shoqërua me shumë debate dhe polemika, të cilat çuan edhe në vendimin për dorëheqje të trajnerit Bici. Komentet kanë qenë të shumta në lidhje me ndryshimin e portierëve, aq sa u tha se kishte qenë vetë Shehi që kishte kërkuar mosaktivizimin e tij. Por një javë më pas, vetë portieri i Vllaznisë ka marrë përsipër të sqarojë shumë gjëra në lidhje me këtë çështje. "Nuk e di se çfarë është thënë apo diskutuar. Unë nuk kam qenë as i sëmurë as kam kërkuar të mos luaj në Durrës. Ka qenë thjesht vendimi i trajnerit për të aktivizuar kolegun tin Ndoja dhe kaq. Kjo nuk është vendosur vetëm të shtunën para ndeshjes, pasi mua më është thënë që të enjten. Nuk ka arsye të mendohet se kam patur frikë të luaj në këtë ndeshje. Mund të kem gabuar njëherë, por janë gabime që i ndodhin çdokujt dhe nuk kishte pse të mendohej se sa herë do të luanim në Durrës, unë do të gaboja. Vllaznia është skuadra ime dhe jo Teuta. Ma merr mendja se nuk ka njeri në botë që dëshiron fitoren e një skuadre tjetër, kushdo qoftë ajo dhe të diskretitojë veten. Kësisoj, ju garantoj se, si unë, ashtu edhe kolegu im Ndoja, kemi marrë përsipër të mbrojmë portën e Vllaznisë dhe do ta bëjmë këtë në mënyrën më të mirë," - është shprehur portieri Shehi. Duke e lënë pas atë çfarë ka ndodhur, numri një i portës shkodrane kërkon të flasë për të ardhmen. Sipas vetë atij, skuadra duhet të përgatitet në mënyrën më të mirë për t'i bërë një mbyllje të mirë këtij kampionati. "Në prag kemi ndeshjen e radhës, atë me Dinamon. Unë personalisht e konsideroj atë ndeshje të radhës, krejt thjesht, pa e mbivlerëssuar atë, sepse, duke e konsideruar të tillë, natyrisht që mund të ndikojë për keq te skuadra. Jemi të tretët dhe vendin e tretë e kemi ne në dorë ta mbajmë. Duke mundur Dinamon, natyrisht që ky kapitull merr fund, prandaj ne jemi duke u përgatitur për këtë gjë," - shprehet Orgesi. Nga ana tjetër, ruajtësi i portës kuqeblu jep një mendim edhe për ndeshjet e kupës, një tjetër pikësynim ky i mbetur ende në lojë për Vllazninë, prandaj në fund do të shtonte: "Sa për kupën, të gjithë e dinë që është objektivi kryesor i Vllaznisë dhe do të luftojmë deri në fund për fitimin e saj."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Mon, 28 Mar 2005 , 20:01

Medja: Dinamo, "provim" për mua dhe Vllazninë

Për të ndeshja e së shtunës do të jetë premierë. Në skuadrat elitare ai nuk ka provuar kurrë të jetë vetë njeriu-trajner. Agim Medja ka preferuar që në dy raste të drejtojë si ndihmës dhe vetëm kaq. Pjesa tjetër e CV-së së tij është e mbushur me drejtime të ekipeve zinxhir (përmendim këtu ata të Vllaznisë si dhe të ekipeve kombëtare të moshave), pa harruar edhe një sezon si zyrtari numër një i klubit shkodran. Megjithatë, e tanishmja pritet të jetë një përvojë krejt tjetër. Si pakkush tjetër, Medja ka pranuar të guxojë. Shumë kolegë e miq të tij mund t'i kenë tërhequr vëmendjen që ka gabuar me pranimin e ofertës për të marrë drejtimin e Vllaznisë në këto momente. Por 52 vjeçari shkodran ka vendosur të ndërmarrë një sfidë deri diku të rrezikshme. Me fatin e tij luhet në këtë rast, por trajneri i përzgjedhur për të drejtuar kuqeblutë ka qenë i prerë në vendimin e tij. Shkodra pret shumë nga kjo Vllazni dhe Agim Medja është i gatshëm të provojë për t'i dhënë kënaqësinë e duhur këtij qyteti. Skuadrën e tij e presin sfida shumë të vështira dhe profesor Gimi, siç e thërasin të gjithë, e ka parasysh këtë gjë. Mendja e tij fluturon vetëm në një pikë: të shtunën luhet ndeshja me Dinamon dhe ajo duhet fituar. Përveçse do të shërbejë për një nisje të mbarë të trajnerit të ri, përveçse do ta ndihmojë Vllazninë të harrojë sa më parë luhajtet e ndeshjeve të fundit, sfida me blutë vlen edhe për një gjë tjetër. Nëse ajo fitohet, sigurohet vendi i tretë dhe për rrjedhojë Agim Medja e merr "provimin" e parë. Kështu e konsideron edhe vetë numri një i pankinës shkodrane, i cili do të shprehej: "Pa diskutim që të gjithë ndeshjet e mbetura janë të rëndësishme, por ajo me Dinamon e pranoj që është e një rëndësie të veçantë. Një fitore në këtë ndeshje do të shërbente jo vetëm për të siguruar përfundimisht vendin e tretë, por do të më ndihmonte edhe mua si trajner në punën që kam nisur. Një nisje me fitore ka rëndësinë e vet dhe prandaj e dëshiroj arritjen e saj." Ecuria e Vllaznisë në këtë sezon ka pasur shumë ulje e ngritje. Trajneri që ka ardhur në vend të Vasil Bicit, të larguar tashmë, kuptohet nuk vjen me "shkopin magjik", por do të mundohet të bëjë më të mirën për të. Pozitive për Medjen do të jetë njohja thuajse tërësisht e elementit aktual të ekipit. Shumë prej tyre kanë kaluar nëpër duart e tij në ekipet zinxhir të klubit dhe për rrjedhojë ai ua njeh më së miri aftësitë dhe veçoritë e gjithësecilit. Megjithatë kjo nuk mjafton. Për të pasur rezultatet e duhura, në skuadër duhet të ketë mirëkuptim dhe përkushtim maksimal të të gjithëve. Këtë kërkon me fjalët e tij edhe tekniku i kuqeblu Agim Medja, kur në fund do shprehej: "Unë e di që vetëm nuk mund të bëjë asgjë pa pasur edhe ndihmën e presidencës së klubit. Madje ajo çfarë është më e rëndësishme për mua, është mirëkuptimi me lojtarët. Ata duhet të japin supermaksimumin e tyre në mënyrë që skuadra të arrijë objektivat e saj."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 01 Apr 2005 , 13:25

Alcani: Dinamo ta harrojë fitoren

Në radhët e ekipit shkodran ai luan për të dytën herë. Kuptohet, kësaj radhe ai dëshiron që të marrë një trofe dhe, për më tepër, Vllaznia është ende në rrugë të mbarë për të fituar Kupën e Shqipërisë. Alert Alcani, mbrojtësi lezhjan i kuqebluve, është entuziast se kjo mund të arrihet, por më parë se të mendojë për kupën, ai ka dëshirë të flasë për kampionatin. Ndeshja e radhës për shkodranët është shumë e rëndësishme. Përballë tyre do të jenë dinamovitët e Agim Canajt, të cilët kanë vetëm një synim për këtë ndeshje: fitoren. Por ky synim është edhe për Vllazninë. Nëse arrihet kjo gjë, atëherë Vllaznia duhet ta "gëzojë" përfundimisht vendin e tretë, duke i lënë me "gisht në gojë" dinamovitët edhe në kampionat. Megjithatë, para se të jepet ky verdikt, janë për t'u luajtur edhe 90 minuta lojë. Secili prej ekipeve bën llogaritë e tij. Sulmuesi afrikan i bluve Gudjabi, në një prononcim të tij, deklaronte se kishte ruajtur edhe një gol për Vllazninë. Por ai që e kundërshton këtë gjë është mbrojtësi i Vllaznisë, Alcani. "Gudjabi vërtet mund të ketë dëshirë të shënojë në portën tonë, por tjetër është dëshira dhe tjetër mundësia. Ai dhe sulmuesit e tjerë të Dinamos duhet ta kenë të qartë një gjë: ata nuk do të arrijnë të shënojnë dot në portën tonë, ose më e keqja, do të shënojnë një gol nëse ne shënojmë dy, që do të thotë se fitorja do të na takojë neve këtë radhë,"thotë 25-vjeçari i mbrojtjes shkodrane. Një nga arsyet pse Alcani beson te fitorja është siguria që krijon tek ai dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të ekipit sulmi, i përbërë nga lojtarët nga më të njohur të kampionatit tonë. "Besimi që do të fitojmë vjen nga fakti që lojtarët tanë të sulmit, Sinani, Abilio apo dhe Ahi, që do të luajë si i tillë në këtë ndeshje, janë të aftë për të shënuar në çdo moment. Edhe ne si mbrojtje nuk do të lejojmë të pësohet gol. Mungesa e Telit na prish disi punë, pasi dihen vlerat e këtij lojtari, megjithatë me Licin dhe Krajën mendoj se mbrojtja nuk ka për të çaluar. Për rrjedhojë, jam i bindur se do ta mundim Dinamon. Vendi i tretë është i Vllaznisë dhe nuk ka pse të mendojë kush ndryshe,"shton Alcani. Në këtë mënyrë duket se gjithçka është gati për të dhënë edhe përgjigjen e vetme të mbetur pa marrë nga ky kampionat i sivjetëm, vendin e tretë. Me shumë të ngjarë, përgjigjja do të merret nesër, duke mos i lënë gjërat për shtatë javët e tjera të mbetura.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 05 Apr 2005 , 13:08

Abilio: Kush tha se u dorëzua Vllaznia?

Dëshpërimi në radhët e kuqebluve ka qenë tejet i madh pas humbjes së fundit kundër Dinamos. Në Shkodër është krijuar një atmosferë e tillë, sikur Vllaznia të ketë humbur të shtunën titullin kampion. Në të vërtetë, vendi i tretë, që ajo synonte, i tillë ishte për të, sepse skuadra nuk kishte forcë të mendonte për dy vendet e para. Megjithatë, në lojë janë shumë faktorë që vendosin. Në radhë të parë, përgatitjet e dy ekipeve, pastaj përbërjet dhe avantazhet e një ekipi ndaj një tjetri. Në "Loro Boriçi", tri ditë më parë ka vendosur fatin e ndeshjes pikërisht përbërja e skuadrave. Një Dinamo e kompletuar në të gjitha repartet dhe një Vllazni me një formacion të sajuar nga mungesat e shumta. Pikërisht, kjo, sipas shumëkujt, ka qenë edhe arsyeja kryesore e triumfit të bluve. Këtë e pranon edhe njëri prej lojtarëve kryesorë të ekipit shkodran, pikërisht braziliani Abilio, që thotë: "Nuk e kishim menduar humbjen, por ja që ky është një realitet tani. Dinamo luajti më mirë se ne dhe e meritoi fitoren. Pse humbi Vllaznia? Kjo është skuadra. Këta lojtarë kemi. Po të mungojnë dy apo tre, problemet janë të mëdha dhe kjo diktohet edhe në lojën tonë." Braziliani ka folur hapur dhe ka thënë atë që ka ndierë në shpirt. Humbjen askush nuk e ka dëshiruar, aq më tepër futbollistët dhe trajneri Medja. Po t'i kishe pyetur të gjithë në Shkodër para ndeshjes se kush do fitonte, askush, mbase as më pesimistët, nuk e kanë çuar ndër mend një disfatë të tillë të kuqebluve. Atyre u hynte në punë edhe barazimi për të ruajtur të paktën diferencën prej katër pikësh, por kjo nuk ka ngjarë. Tani diferenca është vetëm një. Shumë pak, natyrisht, kur ke parasysh luhatjet e shkodranëve. Megjithatë, Abilio, në emër të skuadrës ka bërë publik faktin se jo çdo gjë është mbyllur sa i takon vendit të tretë. "Kush tha që e lëshuam vendin e tretë? Jemi ende një pikë para Dinamos dhe janë edhe 7 ndeshje për t'u luajtur. Se çfarë mund të ngjasë, nuk i dihet, por për një gjë të jeni të sigurt: ne nuk do të heqim dorë kollaj nga vendi i tretë. Do të luftojmë fort deri në fund për këtë qëllim dhe besoj se mund t'ia arrijmë,"është shprehur braziliani, që ka shënuar deri tani 15 gola në kampionat për kuqeblutë. Ndërkohë, Dinamo, dashje pa dashje, është lënë tashmë pas. Shkodranët kanë filluar të mendojnë për takimin e kupës kundër Tiranës. Në të vërtetë, të gjithë e konsiderojnë pretendente skuadrën që udhëheq edhe kampionatin, megjithatë djemtë e Agim Medjes do të mundohen të bëjnë maksimumin. Këtë e thotë edhe Abilio, që në fund do të shprehej: "Tirana vërtet është një skuadër më e mirë se jona, por kjo nuk do të thotë që e ka të sigurt kualifikimin. Vllaznia do të bëjë maksimumin në këto ndeshje për të synuar deri në fund daljen në finale të kupës."

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Wed, 06 Apr 2005 , 13:03

Mesfushori i dalluar kuqeblu mendon se skuadra e tij ka shanse kualifikimi për në finale


Belisha: Tirana nuk e ka të sigurt finalen




Nëse mesfusha shkodrane e ka vërtet një element që e mban gjallë atë, kuptohet që ai është Amarildo Belisha. Lojtari i grumbulluar kohët e fundit edhe në ekipin kombëtar nga trajneri Brigel, po kalon një moment mjaft të mirë në karrierën e tij. Kuptohet, gjendja e tij nuk mund të mbyllë të gjitha boshllëqet që ka pasur kohët e fundit mesfusha shkodrane, por gjithsesi ai ka vënë "shpirtin" në fushë. Kjo u pa edhe në ndeshjen me Dinamon, ku ai u përpoq mjaft, por nuk arriti ta mbante ekipin e tij larg disfatës. Ndërkohë, sot, për Belishën dhe shokët e tij të skuadrës vjen një tjetër përballje shumë e vështirë, ajo për kupë kundër Tiranës. Mendimi i përgjithshëm është që bardheblutë janë favoritë, por në Shkodër nuk kanë qejf "të dorëzohen". Njëri prej tyre është edhe mesfushori Belisha, i cili e pranon që kundërshtari është më lart vetëm në një drejtim. "Nuk mendoj se Tirana e ka të sigurt kualifikimin. Ne do të bëjmë maksimumin për t'u kualifkiuar, sepse kupa është objektivi ynë kryesor. Avantazhi i Tiranës është vetëm në një drejtim: ajo është më e qetë nga ana psikologjike, pasi e ka të sigurt titullin kampion dhe kupën e ka pikësynim të dytë. Ndërsa ndaj nesh, siç e thashë, presioni është më i madh se të gjithë presin që ne të fitojmë kupën. Por mendoj se ky fakt nuk ka për të na penguar në lojën tonë," ? shprehet numri 8 i kuqebluve. Vetë Belisha është i kënaqur që sot do të ketë përkrah edhe mesfushorin tjetër, Gjokoviç, me të cilin merren vesh mjaft mirë. Një dyshe e tillë natyrisht që është një garanci për lojën e kuqebluve në mesfushë, megjithëse jo gjithçka varet nga ata. Në një ballafaqim kupe, natyrisht ai që vendos në shumicën e rasteve është rezultati i ndeshjes së parë. I pyetur nëse Vllaznia do të ishte e kënaqur edhe me një humbje minimale, përveçse barazimit ndaj bardhebluve, i preferuari i Brigelit përgjigjet: "Nuk mund të them me saktësi se me çfarë rezultati do të ishim të kënaqur në këtë ndeshje të parë. Vllaznia shkon në Tiranë me synim marrjen e një rezultati sa më të mirë, në mënyrë që ta kemi sa më të lehtë ndeshjen e dytë në Shkodër." Vetë këto deklarata optimizmi që shihen në radhët e kuqebluve (përveç frikës) vërtetojnë atë se Tirana mund të thyhet. Atë e mendon edhe Belisha, i cili, i pyetur për shanset që skuadra e tij ka për të dalë në finale, shprehet: "Përderisa jemi në gjysmëfinale, kjo do të thotë që e kemi merituar që kemi ardhur deri këtu. Meqë është kështu, atëherë nuk ka arsye pse të mos e mendojmë edhe daljen në finale. Të paktën ta provojmë deri në fund këtë gjë. Ne nuk kemi asgjë tjetër për të humbur në këtë mes." Kuqeblutë kësisoj kanë vendosur të provojnë deri në fund fatin e tyre. Një fat që në futboll nuk dihet se ku të degdis.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Wed, 06 Apr 2005 , 13:04

"Bosi" i kuqebluve deklaron edhe një herë që do t'i japë 100 mijë dollarë Vllaznisë nëse fiton kupën


Çela: Tirana nuk është e pathyeshme


Takimi i sotëm kundër Tiranës është i pari i turit gjysmëfinal të kupës për Vllazninë. Një ballafaqim që ndoshta nuk ka ardhur në kohën e duhur për shkodranët, të cilët vijnë pas një humbjeje në kampionat kundër Dinamos dhe njëkohësisht edhe me mungesa në formacion. Megjithatë, presidenti Agron Çela, si gjithnjë, është optimist për paraqitjen e skuadrës së tij kundër bardhebluve. Madje në mendjen e tij ka vetëm një fjalë: kualifikim. Pikërisht duke menduar finalen, ai dhe stafi i tij nuk kanë ngurruar të bëjnë publike edhe shumën e premios që ekipi do të marrë nëse arrin ta bëjë pronë të vetën Kupën e Shqipërisë. Një shumë që mbase është më e madhja e akorduar ndonjëherë në rast fitimi të një trofeu në futbollin tonë. "Ajo që kam thënë edhe më parë, mbetet ende në fuqi. Nëse Vllaznia arrin të fitojë kupën, ne si presidencë kemi vendosur ta shpërblejmë me shumën e konsiderueshme prej 100 mijë dollarësh. Vendosëm ta deklarojmë në këto momente shumën e premios nisur nga mendimi që, po kaluam Tiranën, që është skuadra më e mirë, atëherë kupa është jona," ? shprehet "bosi" i kuqebluve. Por a do të jetë në gjendje skuadra shkodrane t'u bëjë ballë bardhebluve? Kësaj pyetjeje nuk është në gjendje t'i përgjigjet askush për momentin, pasi këtë do ta tregojë më së miri 90-minutëshi i sotëm. Megjithatë, kur nga kampet respektive vijnë edhe prognozat e pragndeshjes, kuptohet qartë që nga pala shkodrane optimizmi nuk mungon. Agron Çela, njeriu që drejton për të dytin vit me radhë klubin shkodran, mundohet t'u japë zemër të tijve, duke thënë: "E rëndësishme është të shfaqemi ndryshe nga ndeshja me Dinamon. Skuadra jonë ka vlera dhe këtë e ka treguar vazhdimisht. Prandaj mbetet që kundër Tiranës sot të luajmë pa frikë dhe, nëse kjo ndodh, atëherë edhe rezultati do të vijë. Në formacionin tonë sërish do të ketë mungesa, por shpresoj se ata që do të luajnë do të japin maksimumin e tyre." Ekipi shkodran ndodhet në prag të një udhëkryqi të madh para ndeshjes së sotme. Me të duket se është i lidhur i gjithë fati i Vllaznisë jo vetëm për në kampionat, por edhe për kupë. Këtë e pranon edhe vetë presidenti Çela, i cili do thoshte: "Vllaznia ka gabuar shumë në këto javët e fundit. Edhe vendin e tretë në kampionat e rrezikuam vetë, kur ishim plot 10 pikë larg Dinamos dhe tani jemi vetëm një. Kuptohet, ne nuk do heqim dorë kollaj nga ky vend, por megjithatë e kuptoj fare mirë që fati i skuadrës sonë është i lidhur ngushtë me fatin e ndeshjes së sotme. Nëse kundër Tiranës arrijmë një rezultat pozitiv, kuptohet që edhe vendi i tretë do të jetë përfundimisht yni. Nëse jo, atëherë pasojat e disfatës në kupë mund të shoqërohen edhe me ato në kampionat. Por gjithsesi shpresoj që kundër Tiranës mund të bëjmë diçka të mirë." Në këtë kontekst, për shkodranët takimi i sotëm është shumë vendimtar dhe jo më kot presidenca e klubit ka vendosur ta zgjidhë mirë qesen në prag të saj.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 08 Apr 2005 , 13:32

Medja: Po e sajoj formacionin e Vllaznisë

Ka humbur edhe të dytën sfidë të tij në stolin kuqeblu, megjithatë Agim Medja duket më i kënaqur pas ndeshje me Tiranën. Arsyet janë disa, por më e rëndësishmja është se skuadra që tashmë drejton po reagon për mirë pas asaj minikrize (nëse mund të quhet e tillë) që kaloi javët e fundit. Vllaznia luante në Tiranë përballë kryesueses së kampionatit dhe për rrjedhojë pritej gjithçka, pse jo edhe një disfatë e thellë, nisur edhe nga mungesat që kuqeblutë kishin në radhët e tyre. Ekipi anti-Tiranë ka qenë një "sajesë" e trajnerit Medja, i cili edhe për këtë arsye duket më kurajoz pas kësaj ndeshjeje. Aktivizimi i Licit në rolin e mbrojtësit të qendrës, apo dhe i Beqirit pas dy sulmuesve, kanë rezultuar zgjedhje të goditura për vetë misionin që bënë. "Unë si trajner kuptohet që para ndeshjes e kisha të vështirë të ndërtoja formacionin e duhur, meqë mungonin disa lojtarë, por megjithatë duhej bërë diçka. Zgjidhja e vetme ishte gjetja e vendeve të duhura për ata lojtarë që kisha në dispozicion. Vendosa të aktivizoj Licin në qendër të mbrojtjes, duke parë garancinë që afron ky lojtar në çdo repart që luan dhe, në njëfarë mënyre, me këtë lëvizje apo dhe kthimin e Doçit prapa mbrojtja u rregullua. Por problemi pastaj kalonte te mesfusha, ku krijoheshin vende bosh. Si trajner i njoh mirë vetitë e Beqirit, prandaj dhe i besova atë vend pas dy sulmuesve. Jam i kënaqur nga loja e tij, pasi lëvizi, krijoi volum loje, madje edhe mund të kishte shënuar në një moment. Pra, përgjithsësisht jam i kënaqur edhe nga loja e gjithë ekipit, pavarësisht se humbi. E mira do të ishte që të kishim shënuar të paktën një gol në këtë takim, por megjithatë gjërat janë të hapura për ndeshjen e kthimit,"thotë trajneri i Vllaznisë. Të gjithë e kanë konsideruar shumë delikate punën e Medjes në këto pak javë në krye të këtij ekipi. Ai vetë, megjithatë, ka vendosur të mos ndikohet nga ato çfarë thuhen. Kontestimet e para ai i ka pasur edhe nga ana e tifozërisë shkodrane, e cila, e pakënaqur nga loja e ekipit, sidomos në ndeshjen me Dinamon, ka reaguar, duke mos qenë dakord me shumë zgjedhje të tij. Por kjo është skuadra, këta janë lojtarët dhe si rrjedhojë Medjes i mbetet vetëm të bëjë më të mirën për këtë skuadër. Në lojë janë ende Kupa e Shqipërisë dhe vendi i tretë në kampionat, prandaj dhe duhet marrë maksimumi nga këto takime. Këtë kërkon edhe vetë trajneri i ekipit shkodran, kur në fund do të thoshte: "Pikësynimet tona dihen tashmë. Kupa është ende në lojë për ne dhe do të bëjmë maksimumin për ta kaluar Tiranën dhe pastaj edhe skuadrën që do të dalë në finale. Po ashtu, megjithëse diferenca me Dinamon në kampionat është ngushtuar në një pikë, ne sërish do të bëjmë ç'të jetë e mundur për të mos lëshuar, duke nisur nga kjo javë kundër Egnatias."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Mon, 11 Apr 2005 , 13:01

Medja: Nuk duhej ta lejonim barazimin

"Barazimi 1-1 në Rrogozhinë ka ardhur për faj të të gjithëve." Kështu ka deklaruar trajneri i Vllaznisë, Agim Medja, dje në lidhje me barazimin e fundit. Kuqeblutë, përveçse po udhëhiqnin rezultatin që në minutat e para të pjesës së dytë, kanë pasur mundësi të shënojnë edhe gola të tjerë. Për këtë qëllim, trajneri Medja në njëfarë mënyre fajëson edhe lojtarët e tij të sulmit, ndoshta edhe fatin e tyre të keq. "Duhej ta kishim mbyllur ndeshjen më parë. Kemi pasur disa raste për shënim, por nuk ia arritëm, ndoshta edhe ngaqë nuk patëm fat. Duke qenë kështu, erdhi ai lëshim i lojës në 10 minutat e fundit, çka solli pastaj edhe golin e barazimit. Këto pikë të lëna ishin mëkat për ne, që na kushtëzuan edhe lënien e vendit të tretë,"thotë Medja. Duke e marrë të gjithë përgjegjësinë e humbjes mbi vete dhe lojtarët e tij, Medja nuk harron të ndalet edhe te një fakt tjetër: gjykimi i ndeshjes. Velçani, gjatë të gjithë lojës ka ndikuar për keq në lojën e Vllaznisë. Vendimet e tij kanë qenë gjithnjë kundër saj dhe, duke shtuar edhe gjendjen e keqe të fushës, të gjithë këta faktorë çuan në atë barazim që u kushtoi shumë shkodranëve.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 13 Apr 2005 , 20:41

Shehi: Duam vendin e tretë dhe kupën

Ka ardhur te Vllaznia në fillim të sezonit me një dëshirë të papërmbajtur për të bërë diçka të mirë me këtë ekip. Te Teuta e kishte provuar suksesin, megjithatë një përvojë e dytë e suksesshme nuk do të ishte keq. Natyrisht, kënaqësia më e madhe do të ishte që në Shkodër të kurorëzohej me titullin kampion, por për mënyrën si rrodhën ngjarjet, Orges Shehi do të jetë shumë i kënaqur edhe me fitimin e Kupës së Shqipërisë. Durrsaku i njohur ka bërë një paraqitje relativisht të mirë në radhët e kuqebluve, duke qenë një pikë e fortë e tyre. Ai ishte protagonist në takimin e parë gjysmëfinal të kupës kundër Tiranës, teksa ka pritur penalltinë e Devi Mukës. Kjo solli njëkohësisht edhe mbylljen e atij takimi me rezultatin e ngushtë 1-0, çka u jep shpresë shkodranëve për një kalim të mundshëm në finale. "Kam bërë vetëm detyrën. Natyrisht, një rezultat i tillë është më i favorshëm se një 2-0, prandaj dhe tani duhet t'i përkushtohemi maksimalisht ndeshjes së kthimit. Kupa është pikësynimi ynë kryesor dhe sigurisht që do të bëjmë më të mirën për të qenë ne finalistë,"thotë portieri 28-vjeçar. Por më përpara se sfida e kthimit gjysmëfinale e kupës, do të luhet ajo e kampionatit, po ndaj Tiranës. Dikush mendon se këto dy takime, që do të luhen në distancë prej 4 ditësh, do të kenë ndikimin e vet. Nga njëra anë për mirë, sepse një rezultat pozitiv në ndeshjen e kampionatit, të jep moral edhe për kupë. Ndërsa nga ana tjetër, ndokush mund të mendojë se këto dy takime nuk kanë lidhje. Ndërkohë, mendimi i Shehit është i dyfishtë, prandaj shton: "Unë personalisht edhe mund t'i lidh, por edhe jo këto dy takime me njëri-tjetrin. Secili prej tyre ka specifikën e vet. Për ne, më i rëndësishëm, kuptohet, është ai i kupës, por nuk do të lëmë pas dore as atë të kampionatit. Një rezultat i mirë të shtunën, natyrisht që ndikon për mirë pastaj për të mërkurën. Megjithatë, e përsëris, që rëndësinë më të madhe do t'ia kushtojmë ndeshjes së kupës. Tek ajo është i varur fati i Vllaznisë së këtij sezoni, prandaj dhe duhet të bëjmë më të mirën për t'u kualifikuar." Presioni natyrisht që është i madh në këtë drejtim. Shehi e ka të qartë këtë gjë, ndonëse sipas tij, nuk është e lehtë edhe dalja nga situata ku ndodhet aktualisht ekipi. Gjithsesi, të shtunën shkodranët do të udhëtojnë drejt "Qemal Stafës" për t'u ndeshur për kampionat me bardheblutë e Starovës. Javën e kaluar, Vllaznia e lëshoi vendin e tretë, duke ia lënë Dinamos. Megjithatë, asgjë nuk ka përfunduar, përderisa janë edhe gjashtë ndeshje për t'u luajtur. Në lojë janë edhe 18 pikë, kur diferenca me blutë është vetëm një pikë. Për rrjedhojë, edhe vetë Shehi mendon se nuk duhet hequr krejt dorë edhe nga kampionati, prandaj në fund do të thoshte: "Pavarësisht se pikësynimi ynë kryesor është kupa, kjo nuk do të thotë se nga kampionati kemi hequr dorë përfundimisht. Edhe këtu do të luftojmë deri në fund për vendin e tretë, duke nisur nga kjo javë kundër Tiranës, ku do të kërkojmë maksimumin".

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 14 Apr 2005 , 13:05

Abilio: Dua të qëndroj gjatë te Vllaznia

Pasaporta Emri: Abilio Neves dos Reis Datëlindja: 25.03.1974 Vendlindja: Brazil Karriera: Partizani 2000-2004, Vllaznia 2004-2005 Gola në kampionat: 15 Gola në kupë: 6 Loja e tij ka qenë e një niveli të lartë sivjet te Vllaznia. Jo vetëm golat e shënuar, por edhe paraqitja në çdo ndeshje ka qenë për t'u evidentuar. Si rrjedhojë e kësaj, Abilio ka fituar simpatinë e të gjithëve në Shkodër. Braziliani që po i reziston më tepër se çdo i huaj tjetër futbollit shqiptar, ndihet shumë mirë në Shkodër dhe prandaj nuk mendon se duhet të largohet nga ky qytet. Të ardhmen e tij e sheh të lidhur me Vllazninë, prandaj ai pret që të përfundojë sezoni dhe të ulet të bisedojë me presidentin për shtyrjen e kontratës. Kjo është ajo që dëshiron 31-vjeçari që po luan sezonin e tij të pestë në kampionatin shqiptar dhe që e shpreh edhe në këtë intervistë: - Abilio, sezonit po i vjen fundi. A e keni menduar të ardhmen tuaj pas përfundimit të kontratës me Vllazninë? - Natyrisht që planet për të ardhmen bëhen gjithmonë në momentet kur të përfundon një kontratë. Prandaj edhe unë nuk kam menduar shumë për këtë problem. - Por dëshira e të gjithëve në Shkodër është që ju të vazhdoni të jeni sërish kuqeblu edhe sezonin tjetër... - I falenderoj të gjithë këta njerëz që më kanë mbështetur gjithnjë dhe po ju them vetëm kaq: edhe dëshira ime personale është të vazhdoj të luaj për Vllazninë. Këtu në Shkodër më duan të gjithë, prandaj dhe është një obligim më tepër për të luajtur sërish në këtë ekip. Por si gjithnjë ajo që mbetet në mes është ana financiare. Pas përfundimit të sezonit do të ulem të bisedoj me presidentin dhe nëse biem dakord, unë do të jem sërish këtu. - Jeni i kënaqur nga kushtet e kontratës së këtij viti? - Deri në këto momente që po flasim, jam shumë i kënaqur. Drejtuesit e Vllaznisë janë treguar shumë korrekt në respektimin e të gjitha pikave të kontratës, prandaj dhe nisur nga kjo mendja më thotë të vazhdoj të qëndroj në Shkodër, mundësisht deri në fund të karrierës sime. E përsëris, Vllaznia mbetet prioriteti im i parë në përzgjedhjen e skuadrës së ardhshme. - Të kthehemi tek ecuria e skuadrës. A mendoni se Vllaznia do t'i arrijë objektivat që ka? - Di të them që këtë javë duhet të mundim Tiranën dhe objektivi i parë për zënien e vendit të tretë në kampionat mund të arrihet. Pastaj të mendojmë edhe për kupën. - Dhe kush do të ishte finaliste e kupës? - Patjetër që Vllaznia. Madje unë do të thosha që skuadra ime do të jetë edhe fituese e kupës. Pa një trofe nuk e mbyll këtë sezon. Për këtë të jeni të bindur. - Mos e keni fjalën për atë të golashënuesit më të mirë? - Jo, jo, trofe për ekipin. Sa për atë të golëshënuesit më të mirë, nuk e fsheh që është një objektiv i imi.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 14 Apr 2005 , 13:07

Abilio: Frikë kam vetëm Zotin

Duke folur për futbollin, natyrisht që shpesherë bëhet edhe pyetja: a keni frikë ndaj këtij apo atij kundërshtari? Në rastin e Dos Reis kjo pyetje nuk zë vend. Braziliani është shumë fetar dhe për rrjedhojë thotë se frikë ka vetëm nga Zoti. "Jam besimtar dhe si i tillë e kam frikë Zotin. Mbi të gjitha se ai të vret, nëse bën një mëkat, bën një poshtërsi apo diçka të tillë. Sa për futbollin, unë nuk kam frikë nga asgjë," - shprehet lojtari që po mbyll sezonin e tij të pestë në futbollin shqiptar. Pikërisht ky besim apo dhe vetë karakteri i tij kanë bërë që ai të jetë shumë njerëzor dhe njëkohësisht i dashur me të gjithë.

Sulmuesi kuqeblu: Dua ta mbyll në Shqipëri

Vitet kalojnë dhe mosha natyrisht që bën të vetën. Para pak ditësh braziliani ka festuar me gruan dhe djalin e tij përvjetorin e 31-të të lindjes, që do të thotë se edhe karriera e tij dalëngadalë po shkon drejt fundit. Megjithatë, Abilio mendon se nisur nga regjimi sportiv që mban dhe forma e tij aktuale, ai do të luajë edhe për tre apo katër vjet të tjera në këtë nivel. Kuptohet, para se t'i japë fund pastaj karrierës së tij futbollistike. Braziliani ka edhe një dëshirë tjetër: ta mbyll karrierën në Shqipëri. "Kjo është dëshira ime. Këtu kam kaluar momente të mira dhe për rrjedojë nuk ka pse të mendoj ndryshe. Do ta mbyll karrierën në Shqipëri dhe mundësisht në Shkodër," - shprehet ai.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 14 Apr 2005 , 13:12

Braziliani: Në Shkodër jetohet mirë

Prej disa muajsh është bërë banor i qytetit të Shkodrës. Ashtu i thjesht dhe shumë miqësor, Abilio Neves dos Reis ka fituar simpatinë e të gjithëve. Jeton në një apartament në lagjen "Parrucë", shkon shpesh në kishë, nganjëherë edhe në internet dhe pjesën tjetër të kohës e kalon me familjen e tij. Kjo është një ditë e zakonshme e jetës së sulmuesit të Vllaznisë, shoqëruar edhe me angazhimet e stërvitjes apo ndeshjeve. Duke folur për të ardhmen e tij, lojtari që vetëm 5 ditë më parë ka festuar 31 vjetorin e lindjes, thotë se është i gatshëm të firmosë sërish për Vllazninë. Një deklarata që të bën shumë përshtypje për vetë faktin se në këto vite të shumtë janë lojtarët që kanë provuar të luajnë me fanellën kuqeblu dhe janë zhdukur shpejt nga qyteti verior. Ndër ta përfshihen jo vetëm të huaj, por edhe tanët. Preteksti i tyre është se në Shkodër nuk jetohet mirë. Ai që e kundërshton këtë gjë nuk është një shkodran "puro", por një lojtar nga Brazili i largët. "Kam dëgjuar shumë shpesh të thuhet se në Shkodër nuk jetohet. Nuk e di si ka dalë kjo shprehje, pasi unë vetë jam i huaj në këtë qytet dhe e shoh që jetohet normalisht. Prandaj dhe nëse biem dakord nga ana financiare me presidentin, dua të qëndroj sërish te Vllaznia," - shprehet sulmuesi i ardhur nga vendi i sambas dhe i kafesë. Oferta e drejtuesve të Vllaznisë në këtë sezon u janë bërë disa lojtarëve të njohur, si Rraklli, Çipi, Dhëmbi, Poçi, Ndreka etj. Por asnjëri prej tyre nuk ka preferuar të futet në diskutime për anën financiare të kontratës. Të gjitha janë shmangur, duke nxjerrë pretekst se në Shkodër nuk bëhet jetë, ashtu siç kanë thënë edhe të huajt të kanë provuar të veshin fanellën kuqeblu. Por ai që kundërshton është sërish Abilio, që shprehet: "Për mendimin tim janë justifikime kot. Dritat? Ato fiken pas orës 12 të natës dhe nëse je një futbollist profesionist nuk duhet ta ndjesh shumë këtë faktor, pasi në atë orë normalisht je duke pushuar. Pastaj, kështu po jetojnë gjithë banorët e këtij qyteti dhe nuk po i gjen asgjë". Mungesës së jetës së natës, ai përgjigjet: "Nëse do vërtet të jesh futbollist, nuk ma merr mendja se të tepron kohë për disko dhe jetë nate. Prandaj të mos i ngatërrojmë gjërat. Unë jam edhe me familje dhe sërish ndihem mirë."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 20 Apr 2005 , 13:54

Medja: Vllazni, gëzoje sot Shkodrën!

Detyra e Vllaznisë sot është shumë e vështirë. Ajo duhet të fitojë dhe mbi të gjitha të mundë, përveçse Tiranën, edhe opinionet që kanë qarkulluar prej ditësh në lidhje me këtë takim. Skuadra kuqeblu duket e motivuar, por edhe e tensionuar. Megjithatë, besimi ekziston te të gjithë. Sulmi i kësaj skuadre edhe një herë tjetër e ka për detyrë të tregojë vlerat e tij të vërteta, ashtu si edhe mbrojtja dhe repartet e tjera të ekipit. Megjithatë, vëmendja më e madhe e stafit drejtues të Vllaznisë është përqendruar te loja mbrojtëse e ekipit. Ndoshta sepse një gol i pësuar në këtë takim mund të kushtonte shumë. Prandaj dhe në këtë drejtim është punuar më me kujdes. Jo se ka pasur mundësi të riparojë shumë gjëra, por të paktën të shtohet motivimi për ta kryer më së miri detyrën secili lojtar. Trajneri Medja, bën të ditur se për të e rëndësishme është që mbrojtja të funksionojë mirë. "Gjatë gjithë këtyre ditëve, në këtë drejtim e kam përqendruar punën. Madje edhe para ndeshjes të së shtunës për kampionat u kam kërkuar lojtarëve të mi të bëjnë maksimumin të paktën për të mos pësuar gol, gjithnjë duke e pasur mendjen te ndeshja e kupës, por pa kaluar mirë një minutë, u ndëshkuam në Tiranë. Gol ky që do të kishte qenë fatal po të pësohej në kupë. Prandaj edhe në këto pak seanca që pata në dispozicion për ndeshjen e sotme jam munduar ta bëj sa më mirë harmonizimin e këtij reparti. Po të mos pësohet gol, skuadra e kërkon fitoren deri në minutën e 90-të dhe atëherë ndoshta mund të shënojmë, çka do të na çonte në shtesë. Prandaj dhe shpresojmë që këtë herë të luajmë më ndryshe në lojën mbrojtëse,"ka thënë ai. Ndonëse nuk bëhet publike, duket e sigurt që treshja e mbrojtjes së Vllaznisë në ndeshjen e sotme do të jetë po ajo e së shtunës. Pra, me Krajën të lirë dhe Telin e Doçin në rolin e stoperave. Shpresa për kualifikim ka dhe kjo duket edhe në radhët e kuqebluve. Ata e presin me dëshirë sfidën e sotme, ku përveçse do të kenë mundësi t'i mundin për herë të parë bardheblutë në këtë sezon, do të kenë mundësi të sigurojnë edhe finalen e kupës. Me të njëjtën dëshirë, por edhe ankth njëkohësisht, e pret edhe vetë trajneri Agim Medja. Shumëkush e ka paragjykuar atë "po"-në e tij për të marrë drejtimin e Vllaznisë pak javë më parë, por ai ka bërë atë që ka qenë më e mira, duke mos u ndikuar nga ato që thuheshin. Për rrjedhojë, triumfi i sotëm ndaj Tiranës do të ishte njëkohësisht edhe një fitore për njeriun që drejton për herë të parë një ekip futbolli të superligës. Megjithatë, kualifikimin e sotëm nuk e sheh thjesht si një mundësi të tij për të marrë emër, prandaj në fund do të thoshte: "Unë vërtet mezi e pres që Vllaznia të kualifikohet, por kjo gjë nuk do ishte kënaqësi vetëm imja, madje as e futbollistëve që e kanë për detyrë të lozin e të argëtojnë tifozët, as për presidencën që ka shpenzuar mjaft për këtë ekip. Ky kualifikim do të ishte dhurata më e madhe që do t'i bënim Shkodrës, qytetit tonë të dashur, që është aq shumë i lidhur me futbollin dhe që pret prej 18 vjetësh që t'i gëzohet fitimit të kësaj kupe."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 20 Apr 2005 , 13:56

Shehi: Shanset e kualifikimit, të barabarta

Për ruajtësin e portës shkodrane, Orges Shehin, takimi i sotëm, që është i vlefshëm për sfidën e kthimit të turit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë, nuk ka pretendentë. Ndonëse përballë njëra-tjetrës janë dy skuadra ndër më të njohurat e futbollit shqiptar, sipas durrsakut, që mban fanellën me numrin 1 të Vllaznisë, shanset për t'u kualifikuar për në finale janë të barabarta. "Takimi është shumë i rëndësishëm, kjo as që diskutohet. Vlerësimi për të është shumë i madh nga ana jona dhe na mbetet që të demonstrojmë në fushë vlerat më të mira. Unë nuk shoh favoritë para se të nisë kjo ndeshje. Mundësitë për kualifikim i ka si Tirana ashtu edhe Vllaznia. Kundërshtari ynë, kuptohet, vjen me një fitore minimale nga ndeshja e parë dhe kjo në njëfarë mënyrë e favorizon. Por nga ana tjetër, ndeshja luhet në Shkodër dhe për ne kupa është objektivi kryesor, prandaj dhe shanset kthehen nga ne. Duke qenë kështu, mendoj se përqindjet e kualifikimit janë 50 me 50,"shprehet Shehi. Pikërisht ka qenë ky portier ai që me pritjen e 11-metërshit të Mukës në ndeshjen e parë i ka dhënë më tepër shanse Vllaznisë për të pretenduar daljen në finale. Megjithatë, edhe me 1-0 Shehi nuk sheh ndonjë avantazh të madh, madje këtë ai e quan "rezultat të keq". Pavarësisht nga kjo, vetë ruajtësi i portës kuqeblu, këtë humbje minimale e sheh si një motiv për të karikuar skuadrën. "Ajo që mund të them unë është se rezultatin 1-0 i ndeshjes së parë është një rezultat i keq. Me 1-0, apo dhe 2-0 asgjë nuk ke të sigurt, pasi një gol i kundërshtarit në fund do të prishte gjithçka. Megjithatë, ajo humbje minimale na shërbeu për të na treguar se Tirana nuk është ajo e pathyeshmja. Këtë e pamë edhe të shtunën për kampionat, ku arritëm të marrim barazimin, pse jo edhe mund të fitonim. Prandaj dhe nisur nga kjo, jam i bindur se do të bëjmë diçka të mirë," ? vijon më tej 28-vjeçari, që është ndër portierët më të njohur të kampionatit tonë. Por a mundet Vllaznia të fitojë ndaj Tiranës? Kësaj pyetjeje, po të nisesh nga statistikat e këtij sezoni, natyrisht që do t'i vinte nga pas një përgjigje negative. Megjithatë, Orges Shehi mendon ndryshe dhe prandaj do të përgjigjej në një mënyrë tjetër: "Tirana na ka mundur vërtet katër herë këtë sezon, por të mos harrojmë që në dy apo dhe tri ndeshje, fitorja e tyre ka qenë më tepër fat, apo e mbështetur edhe nga gjyqtarët. Mendimi im është që mes skuadrave tona nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Këtë e patë edhe në dy ndeshjet e fundit me këtë ekip, ku kemi qenë afër fitores. Duke qenë kështu, pse të mos mendojmë për të fituar dhe kualifikuar ne sot? Shanset dhe mundësitë janë, por sigurisht që do të dëshiroja të kishim me vete edhe fatin."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 21 Jun 2005 , 14:03

Agron Çela: Stafin e zgjedh unë

Natyrisht që nuk i ka ardhur mirë që një koleg i tij ka dalë në shtyp dhe është prononcuar në lidhje me disa pakënaqësi që e kanë shoqëruar atë. Në radhë të parë, me atë që ka pasur të bëjë me emërimin e dy personave që nuk kanë lënë shije të mirë te zëvendëspresidenti Fushaj. "Unë jam presidenti, mua ma kanë vënë kapelen për të drejtuar Vllazninë dhe unë përgjigjem për këtë punë. Përderisa jam unë presidenti, atëherë edhe stafin e bëj unë dhe nuk pendohem për këtë," është shprehur presidenti Çela. Nga ana tjetër, numri 1 i klubit shkodran ka konfirmuar edhe se e vetmja zgjidhje për futbollin shqiptar është kalimi i klubeve në shoqëri aksionere. "Gjithsecili që financon sot në sport e bën këtë gjë nga dashamirësia për të dhënë një kontribut për të. Por natyrisht vetëm duke kaluar në shoqëri aksionere i hapet rruga financimit ashtu siç duhet të një klubi futbolli. Ne jemi drejt kësaj rruge dhe besoj se shumë shpejt Vllaznia do të kthehet në shoqëri aksionere. Ndërkohë, shumë shpejt ju bëj të ditur se pranë ekipit mund të afrohen për të financuar edhe 2-3 donatorë të tjerë,"ka shtuar Çela. Në këtë mënyrë është mbyllur zhurma e krijuar në lidhje me një çarje të mundshme të presidencës së Vllaznisë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 28 Jun 2005 , 20:39

"Deda": Sinani?Abilio, dyshja që më kënaq.

Nëse ka ndonjë fakt që e kënaq ende pa filluar punën në krye të Vllaznisë trajnerin e saj, Dervish Haxhiosmanoviç, ky është lajmi se do të ketë fatin të drejtojë dyshen Sinani-Abilio. Për të dy këta futbollistë, trajneri nga Podgorica ka shprehur vlerësime shumë pozitive. "Për mendimin tim, një dyshe e tillë është ajo që duhet të bëjë diferencën në gjithë dyshet tjera të kampionatit shqiptar. Janë dy futbollistë që kanë dhunti të mira dhe besoj se kanë për të bërë shumë gjëra të bukura për Vllazninë. Mua më ka gëzuar fakti që presidenti Çela konfirmoi praninë e këtyre dy lojtarëve në skuadrën që do të ndërtojmë. Me të tillë lojtarë, natyrisht që edhe puna jonë si trajner bëhet më e lehtë,"ka thënë "Deda". Por a do të qëndrojë Sinani në ekip nisur nga fjalët që qarkullojnë për një lëvizje të tij drejt Partizanit? Haxhiosmanoviçi përgjigjet: "Unë nuk jam presidenti, por ky i fundit, siç e thashë, ma ka bërë të ditur që askush nga kontigjenti aktual nuk do të largohet nga ekipi. Nisur nga kjo, unë po i bëj planet duke i menduar te Vllaznia edhe Sinanin, apo dhe Licin."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 05 Jul 2005 , 14:35

Çela: Ndërtimi i Vllaznisë nis që sot.

Ndërtimi i Vllaznisë së edicionit të ri futbollistik do të fillojë duke nisur që sot. Ashtu siç pritej, ashtu duket se do të ngjasë teksa drejtues të klubit shkodran bëjnë të ditur se tani, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, do të merren me problemet që ekzistojnë aktualisht në këtë skuadër. Këtë e ka pohuar dje në një prononcim vetë presidenti i saj, Agron Çela, i cili, duke folur në lidhje me këtë çështje, ka lënë të kuptojë se punët do të nisin tani që edhe vendi duket se po gjen rehatinë e duhur pas një muaji fushate shumë të zhurmshme. "Normalisht, tani që u qetësuam pak edhe nga zgjedhjet, puna do të nisë që nesër (sot), kur unë do të merrem direkt me çështjet që duhet të zgjidhen te Vllaznia, në mënyrë që ajo të kthehet në atë skuadër që presin të gjithë,"ka thënë numri 1 i klubit shkodran. Në këtë logjikë, sot pritet që Vllaznia të fillojë të dalë nga "ngërçi" që e kishte zaptuar. Siç dihet, nga sa është bërë publike tashmë, drejtues të kuqebluve janë në kontakte me një numër të konsiderueshëm, numër ky që e kalon shifrën 15, të cilët janë piketuar për t'u provuar dhe më pas për të qenë pjesë e Vllaznisë. Vetë presidenti Çela ka konfirmuar dje se ende nuk ka asnjë kontratë të firmosur me ndonjë prej këtyre lojtarëve, pasi, sipas tij, ata më parë do të testohen nga ana e trajnerit Haxhiosmanoviç. "Kur thashë që do të filloj kontaktet me këta lojtarë, nuk thashë që do të kalohet menjëherë në firmosjen e kontratave. Të gjithë këta lojtarë, nëse duan që të vijnë të luajnë në Shkodër me skuadrën tonë, më parë do të testohen nga ana e trajnerit Haxhiosmanoviç. Vetëm pasi ai të ketë dhënë "ok"-in e tij, do të ulemi të bisedojmë sa u takon kushteve të kontratës,"ka shpjeguar presidenti Çela. Në këtë mënyrë, tashmë duhet pritur edhe pak ditë për të mësuar se çfarë do të ndodhë më konkretisht me ekipin shkodran. Deri para dy ditësh, shumëkush në qytetin verior e ka parë të ardhmen e Vllaznisë të lidhur ngushtë me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë. Por vetë fjalët e Agron Çelës dje duket se nuk kanë ndonjë lidhje me këtë gjë, pasi ai ka garantuar për një mbarëvajtje të ecurisë së skuadrën në të gjitha drejtimet. Për t'i justifikuar edhe më tepër këto fjalë, ai ka përmendur edhe një herë objektivat e merkatos së tij dhe stafit të kuqebluve në merkato. "Siç e kam shprehur edhe më parë, jemi në bisedime me disa futbollistë malazezë, apo dhe me dy kosovarë, pa përmendur disa prej lojtarëve që tashmë i kemi bërë publikë. Vetë ky interesim yni si presidencë, tregon qartë vendosmërinë tonë si presidencë për të vazhduar më tej, duke bërë më të mirën për Vllazninë,"ka thënë ai në fund. Në këtë mënyrë, shkodranët duket se mund të jenë të qetë sa i takon të ardhmes së futbollit shkodran.

Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Post by Admin » Wed, 06 Jul 2005 , 16:08

"Deda": Të ardhurit i kam zgjedhur vetë


"Janë lojtarë që mund t'i shërbejnë Vllaznisë, prandaj dhe i kam sjellë këtu." Këto janë fjalët e para që ka thënë dje pas firmosjes së kontratës të dy futbollistëve malazezë trajneri i ekipit shkodran, Dervish Haxhiosmanoviç. Në këtë mënyrë, te skuadra shkodrane, me sa duket, po formohet edhe një herë "kolonia" malazeze. Dashuria e këtyre të fundit për Shkodrën dhe Vllazninë ka qenë gjithnjë evidente dhe për pasojë i madh është numri i lojtarëve nga shteti fqinj që kanë luajtur vitet e fundit në "Loro Boriçi". Ndërkohë, deri dy ditë më parë, në zyrat e klubit shkodran thuhej se asnjë futbollist nuk do të firmoste pa marrë më parë "vizën" nga ana e trajnerit Haxhiosmanoviç. Dje, dy të parët e kanë marrë atë. Bëhet fjalë për Radusinoviçin dhe Çetkoviçin, të cilët "Deda" i njeh nga afër dhe mendon se mund të jenë të nevojshëm për të mbyllur "plagët" që ka pasur mbrojtja shkodrane. "Radusinoviçi është një lojtar shumë i saktë për në qendër të mbrojtjes dhe besoj se ka për të zgjidhur shumë punë te Vllaznia. Ndërsa Çetkoviçi luan jo vetëm në rolin e stoperit, por edhe në krah, pasi është një lojtar shumë i shpejtë dhe punëtor. Besoj se të dy këta lojtarë do të jenë në gjendje të tregojnë vlerat e tyre te skuadra jonë, duke rregulluar në njëfarë mënyre edhe problemet që mbrojtja e saj ka pasur kohët e fundit, siç jam informuar," - ka shtuar më tej njeriu që i ka sjellë këta dy futbollistë në Shkodër. Por nga ana tjetër, ndokush mund të mendojë se ai, duke vepruar në këtë mënyrë, po luan rolin e menaxherit. Haxhiosmanoviçi, megjithatë, përgjigjet menjëherë: "Unë vërtet i kam sjellë këta lojtarë dhe ata menjëherë kanë firmosur kontratën, por kjo nuk do të thotë se ata e kanë vendin të sigurt për të luajtur. Atyre u duhet të punojnë shumë dhe të gjejnë vendin e tyre në 11-shin e titullarëve të skuadrës. Çdo gjë është në dorën e tyre për të luajtur, nëse e meritojnë, do ta arrijnë këtë. E përsëris, nuk ka shumë rëndësi nëse kanë firmosur, apo jo kontratën". Mbërritja në Shkodër e Radusinoviçit dhe Çetkoviçit, natyrisht që ka filluar t'i rregullojë gjërat te kjo skuadër. Nëse mbrojtja deri dje konsiderohej pikë e dobët e skuadrës, me këto dy blerje patjetër që gjërat janë rregulluar. Prandaj dhe "Deda" ka filluar të bëjë planet edhe se si do të luajë skuadra, duke menduar dhe rreshtimin paraprak në fushë. Me marrjen e Igorit dhe Sashës, duket se trajneri i kuqebluve ka ndër mend të vërë në zbatim edhe skemën e tij të preferuar, atë të futbollit modern, me një mbrojtje në vijë të drejtë. Por ndërkohë, në fund të prononcimit të tij, trajneri i skuadrës shkodrane ka bërë të ditur se ka në planet e tij të sjellë edhe ndonjë malazez tjetër te Vllaznia, pas vistos që i ka dhënë presidenti Çela për këtë problem. "Plani ky është, por të shohim. Ata lojtarë që kam piketuar unë do të jenë prezent në ndeshjet miqësore që ekipi do të zhvillojë gjatë qëndrimit në Cetinjë dhe pasi t'i shohim do të vendosim për ta," - përfundon Haxhiosmanoviçi.
Vllaznit Ultras

Image

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 16 Jul 2005 , 19:37

Hoxha: Kalendari, favorizues për Vllazninë

Prej tij, shorti i sapohedhur i Kampionatit të 67 të Kombëtar të Futbollit konsiderohet normal. Kjo pasi në njëfarë mënyre ka një shpërndarje të kalendarit për të ashtuquajturat ndeshje të vështira dhe ndeshje më të lehta. Sekretari i klubit të futbollit "Vllaznia", Ismet Hoxha, duke folur në lidhje me kalendarin, tashmë zyrtar të kampionatit të ri, teksa e ka mësuar atë që në zyrat e FSHF së, ku ka qenë prezent në momentin e hedhjes së shortit, nuk mendon se ka ndonjë zhbilancim të madh në ndryshim nga java në javë. Madje numri një i ekzekutivit të klubit shkodran e konsideron normale edhe ndeshjen e parë me Tiranën, që do të jetë ajo e hapjes së edicionit të ri. "Për dikë ky short mund të konsiderohet jonormal, pasi që në javën e parë do të ndeshemi me skuadrën më të mirë, kampionen në fuqi, Tiranën. Ky takim, për mendimin tim, do të jetë një tregues i mirë edhe për skuadrën tonë. Do të jetë prova më e mirë për të parë se si janë zhvilluar përgatitjet dhe a është e gatshme skuadra të rivalizojë për trofe. Përveç kësaj, pozitive do ta quaja edhe zhvillimin e kësaj ndeshjeje në stadiumin tonë, çka do të jetë një plus më tepër në mbështetjen që tifozët do t'i japin ekipit tonë," ka thënë sekretari Hoxha. Bëhet e ditur se kjo ndeshje e 27 gushtit do të zhvillohet nën dritën e projektorëve, për ta bërë edhe më të bukur festën e hapjes së kampionatit të ri. Nga ana tjetër, gjithnjë duke folur për shortin, Hoxha, duke i marrë ndeshjet javë për javë, vlerëson ndryshimin që kalendari i sivjetëm ka në ndryshim me atë të dy viteve të fundit, prandaj shton: "E rëndësishme është që nuk është më ai kalendar i dy sezoneve të fundit, kur Vllaznisë në të pesë javët e para të kampionatit i duhej të përballej me skuadrat më të forta, ndërsa në katër javët e fundit shorti sikur "zbutej". Ndërsa sivjet është më ndryshe, pavarësisht se unë do të evidentoja faktin që kampionati i ardhshëm, për mendimin tim, do të jetë shumë më i vështirë, prandaj dhe kemi njëfarë shtrirjeje të ndeshjeve me rivalët tradicionalë."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 19 Jul 2005 , 20:12

Çela: Do vijnë edhe lojtarë të tjerë

Prania e tij në seancën e djeshme së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Fushajn dhe Amulin, ka rikthyer entuziasmin edhe në radhët e futbollistëve dhe të tifozërisë shkodrane. Ata kanë premtuar se do të bëjnë më të mirën për të ndërtuar atë Vllazni që dëshirojnë të gjithë. "Jemi të vendosur për të bërë më të mirën për këtë skuadër dhe besoj se sivjet kemi për të bërë gjëra të mira. Me firmosjen e Sinanit është hedhur hapi i parë i kontratave të tjera që do të firmosim me lojtarët që do të vijnë. Të mërkurën presim të vijnë malazezët e premtuar nga trajneri Haxhiosmanoviç, ndërsa deri në fund të kësaj jave mendojmë të kemi përfunduar çdo gjë edhe me disa lojtarë të tjerë të kampionatit tonë. Pa harruar 4 lojtarët që kemi tek Elbasani dhe të gjithë sëbashku mendojmë se do ta plotësojmë kontigjentin e nevojshëm të lojtarëve që do të duhen për të pretenduar për trofe,"ka thënë presidenti Çela.

Kuqeblutë, seleksionimi këtë javë
Në stërvitjen e djeshme kanë qenë prezent gati 40 futbollistë. Shumica e tyre ishin të rinj dhe normalisht që ajo e cila pritet është seleksionimi i tyre. Kjo është bërë e ditur edhe dje nga drejtuesit e klubit, të cilët kanë menduar të lënë në skuadër ndoshta gjysmën e tyre, pra rreth 20 futbollistë. Duke i shtuar këtij numri edhe ata që pritet të vijnë në ditët e ardhshme, atëherë do të krijohet dhe kontigjenti i plotë i lojtarëve me të cilët mendohet të përballohet sezoni i ri. Për të bërë sa më shpejt këtë seleksionim, është menduar nga ana e stafit drejtues të skuadrës të zhvillohen dy ndeshje kontrolli. Njëra do të zhvillohet të mërkurën dhe tjetra të shtunën. Vetëm pas këtyre dy testeve do të jetë krijuar edhe grupi i lojtarëve që të hënën e ardhëshme do të nisen drejt Malit të Zi për të zhvilluar fazën më intensive të përgatitjeve.

Post Reply