Post
by Skodrinon » Mon, 29 Sep 2014 , 14:05
Tirana kampione, thyen më në fund Vllazninë
Tirana rrëzon nga froni Vllazninë në boks për të rritur në edicionin e 40-të. Pas pritjes 19- vjeçare, më në fund titulli kampion i ringut nuk është më “pronë” e skuadrës shkodrane, por transferohet në kryeqytet dhe pikërisht në “folenë” e saj në sallën sportive “Fahrie Hoti”. Dhe vulën e dhanë djemtë e trajnerit Sead Bushati dhe Skënder Kurti. Lot gëzimi në fund për bardheblutë dhe hidhërimi për kuqeblutë. Indrit Laçi i Tiranës ishte ai që i bëri një mbyllje spektakolare finaleve të kampionatit kombëtar. I ngjitur në ring me Nelson Hysën e Vllaznisë në peshën +91 kg, Laçi përtej diferencave në gjatësi nuk u ndie aspak inferior. Në fund gjyqtaria e mbylli ndeshjen në barazim dhe me preferencë, kampion i Shqipërisë u shpall boksieri i Tiranës. Më pas shpërthen festa kryeqytetase. Hysa i zhgënjyer me vendimin e marrë dhe me duar në kokë lë paqësisht ringun. Kampionati ul siparin dhe renditja ekipore shpall Tiranën në vend të parë me 27 pikë, pas tij Vllaznia e shkurorëzuar dhe vendi i tretë u nda mes Apolonisë dhe Flamurtarit. Boksieri më i mirë luftarak u përzgjodh Arnold Kuqari i Apolonisë. Në finalen e peshës 64 kg Kuqari fitoi bindshëm 3-0 me sfidantin e Vllaznisë, Kristjan Shytanin. Trofeu i boksierit më teknik u mor nga Albi Sorra i ekipit privat Arena. Në duelin e peshës 69 kg që pati polemika për gjykimin, Sorra regjistroi rezultatin 3-0 ndaj Denis Nurjes të Tiranës. Ndërkohë Vllaznia u “ngushëllua” me trofeun e boksierit më të mirë të kampionatit që e mori Kristjan Demaj i peshës 91 kg. Demaj u shpall kampion përballë Emiljano Xhedikut të Partizanit ku përtej rezultatit final 3-0 në favor të shkodranit, sfida ishte emocionuese deri në sekondën e fundit. Federata Shqiptare e Boksit nderoi me pllakatë mirënjohjeje Kapllan Ukën. Ajo që ngjalli së shumti interesimin e tifozëve nga të gjitha klubet pjesëmarrëse ishte ndeshja demonstrative në ring që bënë dy boksieret femra, Arzida Bregu dhe Çentina Morina, duke thyer kështu edhe tabunë e femrave në ringun shqiptar.
Bushati: Ky, brezi i artë i Tiranës
Sead Bushati, trajneri i Tiranës në boks u shpreh entuziast me titullin kampion të shumëpritur prej vitesh. Në fjalën e tij, Bushati përgëzoi të gjithë boksierët duke i cilësuar si brezin e artë të skuadrës së Tiranës. “Pa diskutim që kjo është plejada më e artë e Tiranës në boks që nga koha e Todi Jankut. Pretendimet tona ishin për kampionë edhe në tri pesha të tjera, por për shkak të gjykimit ku kam rezervat e mia, ne nuk arritëm do të fitonim. Gjithsesi Tirana e meritoi titullin kampion dhe për këtë meritojnë të gjithë një bravo”, deklaroi për mediat trajneri Bushati, i cili bëri gjithçka me stafin e tij për të thyer edhe “mitin” e Vllaznisë në ring.
OLGERT SERANI
FINALET
KAMPIONËT SHKOLLORË
Sazan Zaimi (Tirana) pesha 32 kg
Florjan Dano (Teuta) pesha 35 kg
Editon Uka (Teuta) pesha 38 kg
Artur Demaj (Kukësi) pesha 42 kg
Marenglen Maitmujaj (Kamza) pesha 47 kg
Adhurim Spahiu (Korabi) pesha 53 kg
Ledion Çeku (Teuta) pesha 59 kg
Visard Pelivani (Kukësi) pesha 66 kg
Elsajed Guri (Vllaznia) pesha 73 kg
Ditmir Shehu (Kukësi) pesha 85 kg
Ekipi kampion: Kukësi
Sportisti më i mirë: Elsajed Guri
PARATËRINJ
Bekim Shaqiri (Kukësi) pesha 42 kg
Oltjan Bardhi (Tirana) pesha 46 kg
Arlind Gjoni (Tirana) pesha 50 kg
Shazivar Lala (Tirana) pesha 54 kg
Eriglent Prizreni (Teuta) pesha 58 kg
Eraldo Hyka (Teuta) pesha 63 kg
Hans Mara (Teuta) pesha 69 kg
Erion Stojani (Teuta) pesha 76 kg
Enes Murataj (Teuta) pesha 85 kg
Paris Karepi (Teuta) pesha 100 kg
Ekipi kampion: Teuta
Sportisti më i mirë: Erion Stojani
PESHA 46-49 kg
Vuksan Guri (Vllaznia)-Klevis Vrapi (Teuta) 0-3
PESHA 52 kg
Krenar Zeneli (Flamurtari)-Agur Velaj (Apolonia)
Fiton Zeneli me nokaut teknik
PESHA 56 kg
Rexhildo Zeneli (Flamurtari)-Mauro Cani (Tirana)
Fiton Zeneli, s’paraqitet sfidanti
PESHA 60 kg
Elsid Kalemi (Tirana)-Llambi Malaj (Apolonia)
Fiton Kalemi, tërhiqet sfidanti
PESHA 64 kg
Arnold Kuqari (Apolonia)-Kristjan Shytani (Vllaznia) 3-0
PESHA 69 kg
Denis Nurja (Tirana)-Albi Sorra (Arena) 0-3
PESHA 75 kg
Alfred Herceku (Teuta)-Alban Beqiri (Tirana)
Fiton Beqiri, s’paraqitet sfidanti
PESHA 81 kg
Manuel Kaçaj (Vllaznia)-Alban Bermeta (Tirana) 0-3
PESHA 91 kg
Kristjan Demaj (Vllaznia)-Emiljano Xhediku (Partizani) 3-0
PESHA +91 kg
Nelson Hysa (Vllaznia)-Indrit Laçi (Tirana) 1-2
Renditja ekipore: Tirana, Vllazna, Apolonia/Flamurtari
Boksieri më luftarak: Arnold Kuqari
Boksieri më teknik: Albi Sorra
Boksieri më i mire Kristian Dema