Holanda, revolucioni i “tre muskëtierëve” drejtues Van Gal ,Patrik Kluivert dhe Deni Blind
Van Gal Nuk është më ajo Holanda e dikurshme. Ajo e futbollit total, e cila solli jo thjesht një model loje, por atë e ktheu në një shkollë, përderisa e kopjuan thuajse të gjithë. Tani shikon në fushë djem shumë herë më të qetë, punëtorë, të cilët duket sikur nuk kanë lidhje fare me të shkuarën e kësaj skuadre. Por, në një mënyrë tjetër, post-moderne, tani ashtu si 40 vjet më parë, “tulipanët” mbeten inovatorë, madje edhe kur duket sikur po e kthejnë futbollin pak vite prapa. Nuk kanë më flokë të gjatë të viteve ’60, përkundrazi janë thuajse të gjithë të qethur zero, ose me ndonjë cullufe aty-këtu. Nuk luajnë më në sulm, por mbrojnë mirë dhe kundërsulmojnë. Nuk mbrohen më me 4 lojtarë pas, por me 5 të tillë, madje markim një për një, si njëherë e një kohë. Po, një për një. Pikërisht ata, “portokallinjtë”. Pra, holandezët. Tani e presin kundërshtarin në gjysmëfushën e tyre, madje deri në zonën e tyre dhe sapo të marrin topin të kundërsulmojnë nga çdo cep i fushës, aq sa nuk arrin dot më t’i mbash. Agresivë, të përulur dhe në pjesën më të madhe të saktë me veprimet e tyre. Edhe një si Uesli Shnajder, kur duhet, e shikon që markon kundërshtarin deri te zona e portierit të tij. Pikërisht ai, Shnajder. Janë sekrete të futbollit, të cilat mbajnë aktualisht firmën e Luis van Galit, një person që nuk lodhet së surprizuari.
Mbrojtja - Holanda e tij është skuadra më e mirë në sulm, me 10 gola të shënuar dhe e vetmja që i ka fituar që të tria ndeshjet. Sakaq, ka edhe një nga mbrojtjet më të mira, jo në aspektin e numrave (ka skuadra që kanë pësuar edhe më pak se tre gola), por në mënyrën se si mbrojtësit mbyllin zonat para portierit të tyre. Kanë pësuar tre gola, ndaj Spanjës dhe Australisë, nga të cilët dy nga pika e bardhë e penaltisë dhe një supergol, i shënuar nga Tim Kahill, pas një gjuajtje fluturimthi, me topin që pasi preku traun, u ndal në rrjetë. Supergol, që edhe holandezët nuk bëhen pishman që e pësuan. Sa i përket pjesës tjetër, Holanda e Van Galit mbrohet mirë, e organizuar dhe kompakte. Me një modul loje që ka brenda pak Itali, por që më pas shndërrohet në një skuadër tipike holandeze, me kundërsulm të shpejtë, ku përveç atyre të dyve: Van Persit dhe Robenit, marrin pjesë edhe të paktën katër të tjerë, duke na kujtuar gjithsesi Holandën e 40 viteve më parë. Në dy takimet e para u vërejt një Holandë që luante me tre qendërmbrojtës dhe dy lojtarë krahu, shumë të shpejtë (Janmat dhe Blind), të cilët shndërroheshin sa në mbrojtës dhe në sulmues, sipas rastit. Me një qendër mesfushe plot muskuj dhe me një Shnajder në rolin e fantazistit pas krahëve të Van Persit dhe Robenit. Ndërsa në ndeshjen e tretë, Van Gal surprizon sërish, teksa provon mbrojtjen me 4 lojtarë, me tre mesfushorë tipikë, ku në të majtë shihej një si Dirk Kajt dhe me Shnajderin që vihej pas krahëve të Roben dhe Lens (Van Persi ishte i skualifikuar).
Revolucioni - Ideja e Van Galit ishte që të mbronte dy qendërmbrojtësit (De Vrij dhe Vlar), të cilët nuk kanë ndonjë eksperiencë të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare dhe t’i mundësonte De Jongut që herë pas here të mund të merrte frymë lirisht, pa dashur që të bënte sakrifica të tejskajshme. Kësisoj, edhe një si Roben e Shanjder shiheshin teksa mbronin deri në limitet e zonës së tyre, në një skuadër ku të gjithë mbrojnë dhe të gjithë sulmojnë. Van Gali duket se ka punuar shumë mbi motivimin e lojtarëve. Pastaj është kjo lloj mënyre e të mbrojturit, që trajneri aktual i “tulipanëve” e pat provuar në mes të viteve ’90-të me Ajaksin, Kampion i Europës, paçka se asokohe ai luante me një modul 3-3-1-3, të cilin askush tjetër nuk arrinte që ta bënte. Pra, kjo Holandë funksionon në këtë mënyrë: i pret kundërshtarët teksa vendoset me një modul 5-2-3 ose 4-3-3 dhe më pas secili lojtar pikas “gjahun” e tij, ndërsa e ndjek këmbakëmbës, në çdo cep të fushës, sikundër bënte dikur Xhentile ndaj Maradonës. Është një punë taktike, e cila është perfeksionuar në seanca të shumta stërvitore, që tanimë duket se po jep frytet e veta. Është Holanda që mbron fort dhe një për një, sikundër asnjëherë nuk e kishim parë më përpara. Është Holanda që më pas lëshon pasin e gjatë dhe të shpejtë atyre dy “bishave”, Roben dhe Van Persi, një çift sulmuesish që, sot për sot, asnjë skuadër nuk e ka. Rezultati: dhjetë gola në tri ndeshje, tre të pësuar dhe nëntë pikë mbi nëntë të mundshmet. Dhe s’duhet të harrojmë një Holandë-Meksikë në 1/8-at e finaleve, me dy skuadrat me mbrojtjet më të mira, ku normalisht nuk mungojnë edhe talentet e shumtë në të dy krahët. Spektakli është i garantuar…
http://www.panorama-sport.com/boterori- ... -drejtues/" onclick="window.open(this.href);return false;