Post
by Skodrinon » Thu, 19 May 2011 , 15:29
Vllaznia mposht Tiranën, prek titullin kampion
Kuqeblutë kanë fituar në “Skënder Halili” ndeshjen direkte, bardheblutë kontestojnë anësorin
Tirana - Vllaznia 0-1
Shënues: Erkoçeviç 7?
Tirana: Topi, Tirana (Bardhi 25?), Mehmeti, Çeka, Zeneli, Shima, Puci, Sinani, Batha, Morina, Branica (Dhëmbi 40?). Trajner: B. Omuri
Vllaznia: Tola, Bushaj (Beqiri 24?), Rusi (Markola 2?), Lekaj, Demiraj, Hasani, Karakaçi, Bardullla, Shaba (Halili 76?), Erkoçeviç, Puka. Trajner: S. Nikaj
Gjyqtarë: L. Jemini (Tiranë), G. Koka, R.Çokaj (Lezhë)
Kartonë të verdhë: Topi, Tirana, Bardhi,Puci, Mehmeti \ Bushaj, Demiraj, Karakaçi (2)
Kartonë të kuq: Karakaçi
Në finalen e kampionatit U-19, Tirana-Vllaznia, që është zhvilluar dje në mesditë në kompleksin “Skënder Hallili”, kuqeblutë kanë fituar me rezultatin 0-1, çka do të thotë se thuajse janë shpallur kampionë. Tashmë shkodranët do të presin Laçin në javën e fundit në Shkodër për t’u zyrtarizuar kampionë.
Loja ka nisur e shpejtë nga të dyja ekipet dhe protagonistë kanë qenë miqtë qysh në minutën e 7-të me anë të Erkoçeviçit. Mbrojtësit bardheblu kanë kujtuar se sulmuesi shkodran ka qenë në pozicion jashtë loje, ndërsa ai ka shënuar dhe ka kaluar Vllazninë në avantazh. Pas këtij goli ndeshja ka qenë e hapur.
Me miqtë nga Shkodra në avantazh, bardheblutë kanë kërkuar golin e barazimit me ngulm. Trajneri Bedri Omuri kishte aktivizuar 11-shen më në formë, ndërkohë që ka rënë në sy edhe mungesa e Kërçikut, që është grumbulluar me përfaqësuesen U-19.
Te miqtë binte në sy loja e Hasanit dhe e Karakaçit, por edhe rrezikshmëria e dy sulmuesve Erkoçeviç dhe Puka. Ndërsa te Tirana sulmuesi Mario Morina ishte gjithmonë problematik për mbrojtësit miq, ashtu si dhe Shima, që shpeshherë vinte nga mbrojtja në ndihmë të sulmit.
Organizimin e lojës trajneri Omuri ia kishte besuar Pucit, i cili është dalluar për 90 minuta, ndërsa Batha, një nga pikat e forta të bardhebluve këtë edicion, nuk ka mundur që të gjejë rrugën e rrjetës në këtë ndeshje, edhe pse është përpjekur shumë.
Gjithsesi, në pjesën e parë, miqtë kanë pasur një tjetër rast në të 25?-ën me anë të Pukës, i cili përballë portierit Topi ka gjuajtur, por ka pritur portieri vendës. Gjithsesi, pjesa e parë mbyllet me fitoren e ngushtë të miqve me rezultatin 0-1.
Në fraksionin e dytë të ndeshjes, bardheblutë janë më kërkues, madje bëhen më të rrezikshëm. Sulmuesi Mario Morina ka dalë i vetëm përballë portës në minutën e 63-të, por nuk ka shënuar. Miqtë kundërpërgjigjen me anë të Pukës, por edhe këtë herë portieri Topi ka qenë në lartësinë e detyrës, duke shpëtuar portën e tij.
Në minutat e mbetura janë bardheblutë që marrin frenat e lojës në dorë. Puci në minutën e 71-të ka mundësinë më të artë që të barazojë shifrat, pasi ka tribluar tre lojtarë miq, ka gjuajtur dhe traversa e ka ndalur golin.
Duket se edhe fati nuk u ka buzëqeshur dje bardhebluve, sepse pesë minuta para përfundimit të takimit, sulmuesi Morina ka ekzekutuar bukur një goditje dënimi nga 35-m, por edhe këtë herë traversa është bërë shpëtimtare për miqtë.
Bardheblutë, edhe pse kanë qenë më lart në pjesën e dytë, duke e kërkuar me ngulm golin, nuk arritën që të barazonin. Në fund miqtë kanë shpërthyer në festë, sepse mundën Tiranën, një rivale direkt për titullin kampion, ndërsa lojtarëve të përlotur bardheblu nuk u besohej se kishin humbur.
Nika: Fitorja përballë Tiranës të shijon dyfish
Pas fitores së djeshme, trajneri i Vllaznisë U-19 ka qenë mjaft entuziast, sepse skuadra e tij tashmë e ka fituar titullin kampion. Gjatë gjithë ndeshjes, trajneri shkodran Nika është parë në këmbë duke udhëzuar lojtarët e tij, ndërkohë që në një prononcim pas fitores, ai është shprehur: “E kishim vlerësuar shumë këtë transfertë, sepse luanim ndaj Tiranës, në një ndeshje që vlente sa një sezon për ne. Fituam dhe kur fiton ndaj Tiranës ndihesh dyfish i kënaqur, aq më tepër që ne tashmë jemi shumë pranë titullit kampion.
Patëm përballë një kundërshtar shumë të fortë, që na rrezikoi disa herë, megjithatë ne arritëm ta ruajmë fitoren deri në fund të ndeshjes. Tashmë jemi kampione dhe kemi një ndeshje me Laçin në “shtëpi”, e cila për ne është thjesht formalitet.
Dua të falënderoj shumë edhe djemtë, sepse ne tashmë jemi me një dorë te titulli dhe ata kanë meritë të padiskutueshme. Po konkretizohet me sukses një punë kolosale, që ne të gjithë së bashku kemi bërë për një sezon.
Vllaznia gjithmonë ka pasur traditë në nxjerrjen e talenteve dhe kjo rrugë do të vazhdojë gjatë,”- tha pas fitores së djeshme trajneri i kuqebluve “të vegjël”, Samuel Nikaj.
Fushaj: Moshat janë e ardhmja e Vllaznisë
Presidenti i skuadrës së Vllaznisë, Vlter Fuishaj, dje ka qenë i pranishëm në kompleksin “Skënder Halili” për të ndjekur ndeshjen. Pas fitores ai është ndier i lumtur, çka e ka shprehur edhe në një prononcim pas ndeshjes: “Jam i kënaqur për këtë sukses të skuadrës së të rinjve, që fituan titullin kampion, pas kësaj fitoreje të merituar ndaj Tiranës.
Jam shumë i kënaqur për punën që po bëhet te moshat. Kur punon, merr frytet, kështu që unë mendoj se ky sukses i skuadrës U-19 ka qenë i merituar dhe për këtë duhen përgëzuar për punën e tyre stafi teknik dhe të gjithë lojtarët.
Të gjithë janë dëshmitarë se në skuadrën e të rriturve të Vllaznisë po u kushtohet rëndësi e veçantë elementit të ri që premton. Çdo vit në ekipin e parë luajnë në formacion 2-3 lojtarë 18-19-vjeçarë. Kjo është një strategji që ne kemi si klub dhe këtë rrugë do të ndjekim.
Moshat janë e ardhmja e Vllaznisë. Futbollistët e talentuar që vijnë nga skuadrat zinxhir do të kenë gjithnjë përkrahje në ekipin e parë,”- tha presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj.
Trajneri Omuri konteston gjykimin
Në pushim të pjesës së parë, por edhe pas ndeshjes, trajneri i të rinjve të Tiranës, Bedri Omuri, ka kontestuar gjykimin. Pas pjesës së parë ai ka debatuar me anësorin Çokaj për golin e miqve, që sipas bardhebluve ka qenë në pozicion jashtë loje. Madje edhe në pjesën e dytë anësorët janë kontestuar, sepse jepnin faulle apo pozicione jashtë loje për Tiranën.