Post
by fpjalmi » Mon, 13 Dec 2010 , 19:17
Armando Vajushi, lojtari më i mirë i ri i superligës për vitin 2010
Armando Vajushi, sulmuesi i ri i talentuar i Vllaznisë, është lojtari i ri më i mirë i superligës shqiptare për vitin kalendarik 2010, që premton shumë edhe për kombëtaren kuqezi. Ky është verdikti i tifozëve dhe lexuesve të "Sporti Shqiptar" online, që kanë marrë pjesë dhe kanë parapëlqyer lojtarin në fjalë mes kandidaturave të ndryshme në sondazhin tonë javor. Vajushi ka triumfuar pas një dueli të fortë dhe të ashpër në fakt, gjatë tërë kohës që sondazhi ka qenë në dispozicion të lexuesve tanë, ndaj Elis Bakajt të Dinamos, teksa në ditën e fundit ka kryesuar dhe është distancuar në krye, me 436 vota, ose 19 përqind e totalit prej 2304 pjesëmarrësish në sondazh. Sulmuesi shkodran, i datëlindjes 3 dhjetor 1991, i ardhur nga ekipet zinxhirë të Vllaznisë, shndërruar në një titullar të padiskutueshëm në skuadrën e parë kuqeblu, sponsorizuar fuqishëm nga ish trajneri malazez Radonjiç, Armando Vajushi e ka zëvendësuar më së miri talentin tjetër të ri, Bekim Bala, që këtë edicion u zhvendos në Turqi, me Genclerbirligi. Golat që ka shënuar në këtë kampionat për Vllazninë, por edhe asistet e krijuara për shokë të tjerë të skuadrës, e kanë vënë në fokusin e specialistëve dhe tifozëve të futbollit shqiptar këtë talent. Që bën pjesë në ekipin kombëtar Shpresa, por shikohet nga lexuesit tanë edhe si lojtari i ri i superligës, më i miri për t'u bërë pjesë e kombëtares kuqezi në vazhdimësi. Vajushi ka parakaluar kësisoji Elis Bakajn, lojtarin më të mirë të superligës për vitin e shkuar, 2009, me një diferencë jo të paktë votash. Kështu, sulmuesi i Dinamos, pjesë përbërëse edhe e kombëtares sonë, që drejtohet nga Josip Kuzhe, është renditur i dyti në sondazhin tonë, pasi ka marrë 389 vota të lexuesve, ose 17 përqind të totalit të pjesëmarrësve. Duhet thënë se performanca e Bakajt në vitin kalendarik në mbyllje ka qenë mjaft e mirë, teksa është shpallur kampion i Shqipërisë me Dinamon, verën e këtij viti, për llogari të kampionatit të shkuar, por ka qenë në mënyrë të rregullt i grumbulluar edhe me kombëtaren kuqezi, pavarësisht se ka luajtur pak me të. Një lider i Dinamos, një golashënues i spikatur në kampionatin shqiptar, Elis Bakaj, sikurse e tregon edhe sondazhi në fjalë, mbetet "kryefjalë" e superligës, por edhe shpresa e së ardhmes së fanellës kuqezi