Post
by loroborici » Mon, 05 Jul 2010 , 15:36
Trajneri pas eliminimit: Mesi një ditë do ta kuptojë çfarë do të thotë të marrësh përsipër Argjentinën
Sërish në tokë. Lakuriq. Vështrimin e ka fiksuar përpara. “Është njësoj si të marrësh një grusht të fortë nga Muhamed Ali.” Në momentin e zhgënjimit shtrëngon fort të bijën, ngushëllon futbollistët e tij që i kanë mbushur sytë me lot, më pas futet në dhomat e zhveshjes me hap të pasigurt. Kthen shikimin nga kamera dhe lëshon të shara për spektatorët e zhgënjyer:
Diego Armando Maradona sërish në një udhë pa krye për të disatën herë në jetën e tij në sytë e të gjithë botës. Është pikërisht ai mbreti i këtij zhgënjimi, jo Leo Mesi, prej të cilit pritej shumë më tepër. Maradona ka nja dy fjalë edhe për “yllin” e Barcelonës: “Një ditë do ta kuptojë se ç’do të thotë të marrësh përsipër Argjentinën.” Dhe kur një mbret bie nga froni, zhurma që bën është më e madhe.
Gjestet - Po, është pikërisht Diego Armando Maradona fatkeqësia universale, pa personazhe të tjera. Nuk ka bërë asgjë për të tërhequr vëmendjen me lëvizjet tekniko-taktike. Çfarë mrekullie ato gjeste të pakontrolluara të transmetuara nga televizonet sikur të ishte një komedian i shkëlqyer
tespiet që i mban mes gishtave, tre minutat për puthjet drejtuar nipit Benjamin, dy sahatët e mëdhenj të dorës, dy sy të mëdhenj të zgurdulluar, sikur t’i ketë kopjuar nga Al Paçino te filmi
“Njeriu me shenjë në faqe”, mirëseardhja shpërthyese për Salvatore Banjin para konferencës, gjestet entuziaste për Grobilarin, portierin e Liverpulit, që i bën një pyetjes. E sërish ato përqafime teatrale për të larguarin nga fusha si dhe puthjet për çdo futbollist para dhe pas ndeshjes, baleti me bashkëpunëtorët pas çdo goli, veprimet e nxemjes gjatë gjithë ndeshjes me xhaketën dhe kravatën elegante (”ma ka kërkuar vajza ime, Xhanina”).
Gjithmonë me këmbën gati për të rikuperuar çdo top që del në anësore, duke e goditur me plot finesë, sikur të thoshte: Unë jam akoma më i miri. “Pele është për ta vënë në muze, Platini francez i zakonshëm… Përkundrazi, jo, atij (Platinisë) i kërkoj të falur, por Pelesë…” FIFA ia fali këtë sjellje, por Federata Argjentinase e Futbollit ndoshta jo. Por a do të jetë Maradona trajneri i Argjentinës për Kupën e Amerikës, që do të zhvillohet pikërisht në vendin e tij?
E ardhmja - “Nuk e di, sapo kam marrë një grusht të fortë në fytyrë… Duhet të flas me familjarët e mi, futbollistët, bashkëpunëtorët dhe federatën. Për momentin nuk mund të them nëse do të qëndroj apo jo. Është momenti më i vështirë në jetën time,” - ka deklaruar Maradona. Më e vështirë të ringrihesh nga kjo disfatë apo nga droga?
Ekziston një kontratë që e mban të lidhur me Argjentinën deri në vitin 2011. Ose ndoshta ishte, kushedi çfarë do të ndodhë në Buenos Aires ditët e ardhshme. Përshtypja e fundit është që Maradona pret reagimin e futbollistëve më të rëndësishëm. Ndërkohë ul kokën si një qen i keqtrajtuar:
“Jam shumë i zhgënjyer, si të gjithë argjentinasit. Ishte një humbje shokuese, askush nuk mund ta fshehë. Jam i bindur gjithashtu që njerëzit e duan futbollin tonë. Ai që do të vijë pas meje duhet ta ketë parasysh. Futbolli duhet të jetë sulmues, si ai i Mesit. Ai i bën njerëzit të kënaqen.” Por ky i fundit nuk di ta tërheqë skuadrën dhe ka shënuar zero gola.
Dritëhijet - Flet me zë të ulët dhe kapet me golin e parë “që na i prishi planet”. Duket një trajner “normal”, në kërkim të shpjegimeve. Maradona nuk është më ai personazhi kryesor, i aftë ta bëjë për vete skenën e kësaj Argjentine, që mezi e kaloi rrezikun e kualifikimit në botëror me një gol në minutat e fundit të Martin Palermos (ndaj Perusë në Montevideo).
“Zaneti dhe Kambiaso në shtëpi. Nuk dua t’i jap shpjegime kurrkujt” (me Gjermaninë, pasi ka parë paraqitjen e Maksi Rodrigezit dhe Otamendit duhet të jetë penduar). Sapo filloi kampionati, ja polemikat me që pas fitores së parë: “Nuk pretendoj që shtypi të na marrë dorën, por do të ishte e drejtë nëse do të merrja përsipër disa gabime. Ky është një grup që do të kapë majat.”
Paaftësia - Ka kërkuar që familjarizimi me futbollistët të japë efektin e duhur, për të mbuluar mungesën e eksperiencës si futbollist (Me Gjermaninë ka qenë thjesht spektator). Ka qenë në duart e Maskeranos (gjatë pushimit u ka shpjeguar shokëve të skuadrës se si duhet të luanin), Higuainit, Hainçezit, Demikelisit, Burdizos dhe Jonasit. Si kope.
Ka besuar shumë tek aftësitë e Mesit, por i ka rreshtuar një mesfushë të çekuilibruar: këta janë elementët e shkatërrimit. Mënyra sesi Maradona e ka vendosur skuadrën, ka barazuar dy rezultatet më të këqija në histori: 1-6 me Bolivinë, i njëjti rezultat si në Botërorin e vitit 1954 me Çekosllovakinë, dhe 0-4 me Gjermaninë krahasuar me humbjen me të njëjtat shifra me Holandën në vitin 1974. Diegoja nuk ka alibi dhe as mund t’i gjejë. Gjatë orëve në vazhdim mund të kuptojmë nëse do të mund të ringrihet edhe një herë.
Vllaznia ne zemer