Post
by Skodrinon » Fri, 08 Jan 2010 , 15:53
Martini: Vllazninë ta çojmë aty ku e ka vendin
Trajneri Edi Martini kërkon ta ngjisë ekipin shkodran ashtu siç e duan të gjithë tifozët kuqeblu
Drejtimi i Vllaznisë ka qenë gjithnjë ëndrra e tij. Tashmë që e ka realizuar këtë gjë, kërkon të justifikojë besimin e atyre që vendosën t’ia besojnë drejtimin e skuadrës. Edi Martini prej disa ditësh ka nisur punën me kuqeblutë dhe në skuadër ka filluar të ndihet dora e tij. Pikësëpari në merkato, teksa po bëhen lëvizjet e para, gjithnjë sipas dëshirave të tij. Në një intervistë të tij, tekniku i ri i Vllaznisë rrëfen gjithçka.
? Martini, gjithnjë e keni ëndërruar pankinën e Vllaznisë. Tani që e keni arritur këtë gjë, ndiheni i kënaqur?
? E kam shprehur edhe më parë, se për çdo njeri të futbollit, është kënaqësi të punojë për Vllazninë, për vetë emrin dhe historinë e saj. Natyrisht, unë si pjesë e kësaj historie, kisha dëshirën e madhe që një ditë të isha në krye të saj. Tashmë që është realitet kjo gjë, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të justifikoj besimin e presidentit Fushaj dhe drejtuesve të tjerë të klubit, që më dhanë votëbesimin e tyre.
? Emërimi juaj u shoqërua me një zhurmë në lidhje me largimin e Luçit. Realisht ka pasur diçka mes jush dhe presidentit Fushaj që më përpara?
? Luçin e kam pasur mik dhe nuk kishte asnjë arsye pse duhej të punoja pas krahëve. Fjalët që mund të jenë përhapur, janë ato të zakonshmet që qarkullojnë gjithnjë në Shkodër. I kam përjetuar këto edhe kur kam qenë futbollist dhe po i përjetoj edhe tani. E rëndësishme është të them se nuk është bërë asgjë pas krahëve të Luçit.
? E keni takuar Luçin pas emërimit tuaj në vendin e tij?
? I kam telefonuar dhe më pas jemi takuar dhe kemi pirë kafe së bashku. I kam shpjeguar gjithçka dhe besoj se ai është tashmë i qartë se nuk ka pasur asgjë kundër tij. Nuk mendoj se marrëdhëniet tona mund të prisheshin nga thashetheme që qarkullojnë gjithnjë nëpër ambientet sportive.
? Një tjetër çështje që është përfolur ka qenë edhe ajo e hartimit të një liste lojtarësh që do të largoheshin (e konsideruar “lista e zezë”) që para ardhjes suaj në krye të Vllaznisë. Ka pasur vërtet një listë të tillë?
? Absolutisht nuk ka pasur një listë të tillë që më përpara. Por në të vërtetë gjërat mbase kanë shkuar në këtë mënyrë ngaqë të gjithë sportdashësit shkodranë kanë qenë të mendimit se shumë nga blerjet e Vllaznisë në verë nuk kanë dhënë rezultat, prandaj duheshin larguar. Mbase nga kjo ka dalë ideja e listës së largimeve.
? E keni nisur punën me gjobë. Me këtë mos doni të tregoni se keni dëshirë të vendosni autoritetin tuaj në skuadër?
? Unë nuk do ta quaja gjobë, megjithëse nëse merret e tillë, ashtu do ta lëmë. Thjesht janë ndëshkuar disa lojtarë me një shumë tepër simbolike, ngaqë nuk respektuan orarin e stërvitjes. Kjo nuk ka ndodhur ngaqë kam dashur të vë autoritetin tim para skuadrës, por do të ndodhë kështu gjithmonë sa të jem unë trajner.
? Mund të konsiderohet problem për ju të qenit në skuadër të disa lojtarëve me moshë më të madhe se ju, apo të tjerë me të cilët keni luajtur bashkë futboll?
? Grimën, Sinanin, Osjen e ndonjë tjetër unë vërtet i kam pasur dhe i kam shokë, sepse kam luajtur futboll me ta, por tani gjërat kanë ndryshuar disi. Tashmë jam unë trajneri dhe kuptohet që do të jem unë ai që do të vendos për gjithçka. Kam qenë vetë sportist, kam pasur edhe unë problemet e mia me trajnerët, megjithatë në fund ai që ka marrë vendimet ka qenë trajneri. Prandaj nuk mendoj se ky do të jetë ndonjë problem.
? Keni kërkuar që pranë skuadrës të ketë sa më shumë shkodranë. Belisha e Kraja janë të parët që janë kthyer. Pse?
? Gjatë karrierës sime kam provuar të luaj me ekipe të tjera dhe natyrisht që nuk kam ndier asnjëherë atë çfarë ndjente një futbollist vendës. Kështu ka ndodhur edhe te Vllaznia gjithë këto vitet e fundit. Kanë ardhur shumë lojtarë nga qytetet e tjera apo dhe nga jashtë vendit, të cilët asnjëherë nuk kanë ndier shumë për skuadrën dhe rezultatet e saj. Me shkodranët është shumë më ndryshe, sepse ata vuajnë dhe gëzohen më tepër me ecurinë e Vllaznisë. Unë prandaj kam kërkuar të kthehen shkodranët dhe jo vetëm se janë shkodranë, por edhe se dinë të luajnë mirë futboll.
? Do të vazhdojë kjo politikë edhe në qershor, nëse jeni në krye të skuadrës?
? E rëndësishme është që shkodranët të kthehen në skuadrën e tyre, pavarësisht nëse jam apo nuk jam unë trajner i Vllaznisë, sepse ata i duhen asaj.
? Ka filluar merkatoja. Çfarë prisni prej saj?
? Si trajner pres lojtarë cilësorë. Në bazë të ardhjes së lojtarëve, pastaj do të vendoset për largimet. E rëndësishme është që ne besojmë se skuadra në gjysmën e dytë të sezonit do jetë shumë më mirë se deri tani. Do mundohemi të punojmë sa më mirë edhe në drejtim të përgatitjes fizike, prandaj duhet t’i përveshim mirë mëngët gjatë kësaj periudhe.
? Ashtu si te Laçi, edhe te Vllaznia keni zgjedhur të keni përkrah të mirënjohurin Esat Rakiqi. Pse?
? Përvoja e madhe e Rakiqit besoj se është në të mirë të skuadrës dhe prandaj nuk hezitova ta marr me vete edhe në pankinën e Vllaznisë. Po ashtu, unë vlerësoj edhe afrimin e Ramazan Rragamit në rolin e këshilltarit pranë klubit. Për emra të tillë natyrisht që Vllaznia ka nevojë gjithnjë.
? Së fundi, Martini, si futbollist keni dëgjuar në kor emrin tuaj. Si trajner tani, besoni se do të vijë një ditë që sërish i gjithë stadiumi të thërrasë emrin tuaj?
? E rëndësishme është të afrojmë sërish tifozët shkodranë dhe ata të mbushin stadiumin. Natyrisht, jam ndier tepër i lumtur kur vite më parë ata më mbështetnin si futbollist dhe shpresoj që kjo mbështetje të jetë edhe tani, në mënyrë që të gjithë së bashku ta rikthejmë Vllazninë në vendin që i takon.
s.shqiptar