Post
by fpjalmi » Sat, 24 Apr 2010 , 23:41
Bala-Roshi, PSG i do gratis!
Bekim Bala dhe Odise Roshi, dy të rinjtë më cilësorë të kampionatit të fundit kombëtar, mund të kalojnë te klubi i mirënjohur francez Paris Sent Zhermen… nëse pronarët e kartonëve të tyre, respektivisht Vllaznia dhe Flamurtari janë gati t’i lëshojnë gratis. Burime pranë dy lojtarëve thanë dje se klubi francez është gati të besojë te rritja e dy lojtarëve, por për momentin nuk ka ndërmend të blejë kartonat e tyre për shkak se futbollistët nuk janë ende gati për të qenë pjesë e skuadrës së parë të Paris Sent Zhermenit. Lojtarët janë stërvitur, gjatë javës së kaluar me ekipin e dytë të klubit francez, ku kanë bërë përgjithësisht një figurë të mirë, në ndeshjet e kontrollit të realizuara qëllimisht për të parë cilësitë e tyre. Të dy 19 vjeccarët janë janë vlerësuar si “futbollistë me të ardhme, por që nuk janë ende gati për skuadrën e parë”.
Bekim Bala ka ende kontratë me Vllazninë, ndërkohë që Odise Roshi nënshkroi sezonin e kaluar një kontratë 1+1, me Flamurtarin, klub i cili ka opsionin për ta zgjatur bashkëpunimin. Kjo do të thotë që asnjëri prej futbollistëve nuk është i lirë të nënshkruajë me Paris Sent Zhermenin, apo me cilindo klub që kërkon shërbimet e tyre. Vllaznia synon të kapë të paktën 250 mijë euro për talentin më të madh të saj prej shumë kohësh, ndërkohë që shuma që do Flamurtari për lojtarin e saj, Roshin është edhe më e madhe, 300 mijë euro. Klubet në fjalë kanë avantazh faktin që admiruesit e dy lojtarëve janë të shumtë. Për Balën, madje u përfol edhe një provë te shkolla e madhe e talenteve, Ajaks i Amsterdamit.
Bala u bë sulmuesi kryesor i Vllaznisë, ndonëse e ka nisur sezonin si rezervë, ndërkohë që Roshi ka shkëlqyer sidomos në Kupat e Europës dhe në fillim të edicionit.