para pak ditesh durresaket paten thane qe vllaznia na ka skualifiku prej gjygjtareve
kurse pergjigja e menjehersheme e kujtim shabes asht kja
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
VLLAZNIA
Shaba: Teuta nuk ka gojë të flasë për gjyqtarët
Në kampin shkodran janë çuditur nga kryeartikulli i djeshëm i gazetës “Sporti shqiptar”. Prononcimi i kapitenit të Teutës, Vangjel Mile, që deklaron: “Vllazni, vjet na eliminove me gjyqtarë”, është konsideruar një provokim, ose më mirë të themi një presion i durrsakëve ndaj gjyqtarëve për takimin e nesërm. Realisht kanë dashur të prononcohen disa nga futbollistët kuqeblu apo dhe pjesëtarë të stafit drejtues, megjithatë heshtja e shtypit që është vendosur për ta, i ka penguar ata të flasin. Por nga ana e klubit gjithsesi ka pasur një reagim zyrtar. Ai ka ardhur përmes drejtorit organizativ të tij Kujtim Shaba, që do të shprehej: “Realisht jemi habitur të gjithë nga një deklaratë e tillë. Për më tepër, një futbollist që e ka për detyrë të flasë më shumë në fushën e lojës, nuk ka pse provokon me të tilla gjëra. Mile, më parë se të flasë për gjykimin e vjetshëm, të flasë për gjykimin e ndeshjes së parë të luajtur në Durrës këtë edicion. Nga dy kartonë të kuq që u dhanë për lojtarët tanë, ai i Feniksit ishte i dyshimtë për t’u dhënë, apo edhe tjetri i Mrvaljeviç kurrsesi nuk duhej dhënë. Kaq mjafton për të kuptuar se durrsakët nuk kanë gojë për t’u marrë me gjykimin. Nëse ata duan të bëjnë presion ndaj gjyqtarëve për ndeshjen e kthimit, gabohen rëndë, sepse nuk do t’ia arrijnë.” Atmosfera në këtë pragndeshje kësisoj duket se është nxehur jo pak. Teuta e sheh Kupën si të vetmen alternativë për të shpëtuar sezonin edhe ngaqë në kampionat shumë plane i janë prishur. Nga ana tjetër, Vllaznia prej kohësh ka shpallur Kupën e Shqipërisë si objektivin e saj madhor në këtë sezon. Tashmë që edhe pozitat në kampionat janë përmirësuar ndjeshëm, vëmendja është maksimalisht e përqendruar te ballafaqimi i nesërm. Drejtori organizativ i klubit të futbollit “Vllaznia”, Kujtim Shaba, në fund të prononcimit të tij të djeshëm ka folur shkurt për problemin e gjykimeve, duke hedhur përfundimisht poshtë ndonjë aludim se arbitrat janë në krahun e tyre. Përkundrazi, të gjithë tashmë e kanë të qartë se gjatë këtij sezoni kuqeblutë kanë humbur jo pak pikë pikërisht nga ndëshkimet që u kanë bërë “xhaketat e zeza”. “Durrsakët, me sa duket, e ndiejnë rrezikun që i pret në ndeshjen e Shkodrës, teksa nuk e shohin veten favoritë për kalimin në finale, ngaqë Vllaznia është shumë më lart, në të gjitha drejtimet, dhe duan të bëjnë për vete gjyqtarët. Presioni mediatik ndaj tyre nuk është i vlefshëm, madje mund të themi i turpshëm. Ata që u favorizuan hapur në ndeshjen e parë, të luajtur para dy javësh, pikërisht nga gjyqtari, marrin nëpër gojë një ndeshje të sezonit të kaluar dhe tani shprehen se kanë frikë prej tyre. Nuk është normale të veprohet kështu, aq më tepër kur për këtë çështje shprehet një futbollist,” ? thotë në fund të prononcimit të tij Kujtim Shaba.