Post
by fpjalmi » Tue, 23 Mar 2010 , 18:18
Martini: Ky është kampionat telenovelash
Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, shpreh keqardhjen që në disa takime të tjera lëshohet shumë
Në ndeshjen ndaj Laçit ka ndjerë jo pak ankth, njëkohësisht edhe emocione. Ka qenë një 90 minutësh i luajtur fort nga të dy ekipet dhe për rrjedhojë në fund të tij ka kënaqur vetëm shkodranët. Këta të fundit kanë arritur të fitojnë vetëm një betejë dhe asgjë më shumë, sepse kampionati po vjen e bëhet gjithnjë e më i vështirë. Skuadrat që ndodhen në vendet e fundit të renditjes, çuditërisht po fitojnë të gjitha dhe gara duket e prishur. Pikërisht për të gjitha këto, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, nuk ngurron ta quajë atë kampionat telenovelash.
Pikërisht duke parë atë çfarë po ndodh gjatë javëve të fundit. “Fitorja me Laçin nuk mjafton, sepse na duhen edhe fitore të tjera për të siguruar një pozicion të rehatshëm. Them kështu, ngaqë po ndodhin shumë telenovela në këtë kampionat dhe prandaj duhet t’i ruhemi shumë, sepse një hap i gabuar, mund të ketë pasoja të rënda për ne,” ka thënë numri një i pankinës shkodrane.
Në pjesën e dytë skuadra shkodrane vërtetë humbi terren, duke i dhënë mundësi kundërshtarit të kontrollonte mesfushën, por vetëm kaq, pasi ai nuk ka pasur thuajse asnjë rast të pastër për ta barazuar rezultatin. Për trajnerin Martini, e rëndësishme ishte që futbollistët e tij nuk dolën nga detyrat taktike. “Mendoj se skuadra ime ka zhvilluar një ndeshje të mirë.
Edhe në pjesën e dytë vërtetë lëshuam pak terren, por e rëndësishme ishte që futbollistët nuk dolën nga detyrat. Ka qenë një fitore e vështirë, megjithatë është e rëndësishme, sepse na jep tri pikë, që do të na vlejnë shumë për të ardhmen.
Kampionati po bëhet shumë më i vështirë dhe prandaj duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë për të qenë në një pozicion komod në renditje,” - shton Martini. Java e ardhshme ndërkohë rezervon një ndeshje shumë të vështirë për Vllazninë.
Ajo do të udhëtojë drejt kryeqytetit për t’u ndeshur me Tiranën dhe për rrjedhojë gjërat duken jo pak të vështira. Trajneri Martini në fakt deri të mërkurën në darkë nuk e ka shumë mendjen te ky ballafaqim, sepse përpara ka një takim tjetër shumë të rëndësishëm, atë për kupë me Teutën.
“Ndeshjet do t’i marrim një e nga një dhe prandaj, para se të mendoj për Tiranën, jemi të përqendruar maksimalisht te takimi gjysmëfinal i kupës që do të luajmë në Durrës. Edhe ky është një trofe po aq i rëndësishëm, madje këtu kemi shumë shanse për ta fituar këtë trofe, por nuk do ta veçoj nga kampionati, që siç e thashë, ka shumë vlerë për ne,” shton më tutje Martini, i cili ka marrë një tjetër fitore, duke pasur rezultatin e shtatë pozitiv radhazi.