Post
by Miri » Sat, 16 Jan 2010 , 13:53
Në këmbim të boshnjakut, Apolonia do të marrë mbrojtësin Rrahman Hallaçi
Sead Haxhibuliç është zyrtarisht një futbollist i Vllaznisë. Tashmë lajmi është zyrtar. Fakti që vërteton gjithçka ka të bëjë me paraqitjen e ish-sulmuesit boshnjak të Apolonisë në seancën e djeshme stërvitore të skuadrës shkodrane, e cila po zhvillon fazën përgatitore në Malin e Zi. Bomberi boshnjak do të luajë pjesën e dytë të sezonit me Vllazninë. Marrëveshja paraprake midis presidentit Valter Fushaj dhe boshnjakut ishte arritur prej kohësh, por vetëm dje është zyrtarizuar. Kjo për faktin se pritej miratimi i drejtuesve të lartë të klubit fierak, të cilët kanë lënë kështu të largohet njeriun që ka mbajtur për gjatë gjithë pjesës së parë të sezonit shiritin e kapitenit.
26-vjeçari, i cili gjatë pjesës së parë të sezonit u aktivizua me Apoloninë (5 gola), vlerësohet si një përforcim cilësor i formacionit të Edi Martinit, duke zëvendësuar kështu Vioresin Sinanin e larguar për te Besa. Marrëveshja mes palëve është arritur për transferimin e sulmuesit drejt Shkodrës në formë huazimi. Ndërkohë, mënyra e pagesës në rastin konkret nuk do të jetë me para në dorë, por do të bëhet në formën e shkëmbimit teknik kokë më kokë. Pikërisht për këtë arsye, në drejtim të Apolonisë do të shkojë mbrojtësi i shkodranëve, Rrahman Hallaçi. Në fillim të merkatos, Haxhibuliç ishte i lidhur me një lëvizje drejt Besës së Kavajës, por tratativa dështoi, pasi Apolonia bllokoi transferimin. Haxhibuliç gjatë ditës së djeshme u shfaq në seancën stërvitore të kuqebluve, të drejtuar nga trajneri i ri Edi Martini. Afrimi i Haxhibuliç është një nga blerjet më të goditura të kësaj merkatoje, për vetë faktin se paraqitja e tij, në pjesën e parë të sezonit, ka qenë sensacionale në radhët e Apolonisë. Loja e tij, por edhe efikasiteti para porte, janë konsideruar si elementët më të rëndësishëm, të cilët kanë ndikuar në ofertën e Vllaznisë, e cila repartin e sulmit e ka pasur pikën e saj të dobët në këtë gjysmë edicioni. Vllaznia do të jetë skuadra e dytë në Shqipëri në karrierën e Sead Haxhibuliçit. Skuadra shkodrane, e cila ndodhte në Malin e Zi, do të zhvillojë sot një tjetër miqësore me një nga skuadrat vendase. Pasdite do të zbarkojë në Shkodër për fundjavë dhe të hënën do të jetë sërish në shtetin fqinj për të rifilluar fazën përgatitore.