Post
by fpjalmi » Thu, 21 Jan 2010 , 20:04
Xhevair Sukaj firmos me Al-Ismaili
Transferimi ne Egjipt te ish-sulmuesit shkodran të Orduspor në Turqi kushtoi 1.1 milionë euro
JORGIS MEMO - E bujshme. Sulmuesi shkodran, Xhevahir Sukaj, ka firmosur një kontratë “faraonike” me klubin elitar egjiptian, Al-Ismaili. Lajmin e ka konfirmuar ekskluzivisht për “Panorama Sport” vetë 22-vjeçari, i cili pak ditë më parë prishi kontratën me klubin inferior turk, Orduspor. Ky transferim sensacional, që kap vlerën e 1.1 milionë eurove, është bërë i mundur falë ndërhyrjes së një prej menaxherëve më të njohur aziatik dhe gjithashtu ish-futbollistit të Vllaznisë, Uliks Kotrri. Javët e fundit, Sukaj ka qenë në Egjipt, për të mbyllur marrëveshjen, e cila është me një afat tre vjeçar. Në bazë të saj, sulmuesi shkodran do të marrë një shumë prej 366 mijë eurosh në sezon.
Konfirmimi
“Jam shumë i lumtur që kam firmosur për një ndër ekipet më të famshme në Egjipt. Do të jem pjesë e një klubi që është mësuar të marrë trofe dhe ka shumë emër në Egjipt,”- ka thënë i entuziazmuar Sukaj. Më pas, ai sqaroi edhe marrëveshjen me klubin aziatik, në një kohë që theksoi se ka qenë i mahnitur pas vizitës së parë në skuadrën e re. “Në sezonin e fundit Al-Ismaili e mbylli në vend të dytë, teksa gjithnjë konkuron për kreun, bashkë me ekipin Al Ahli, që është shpallur kampion. Unë kam nënshkruar pak ditë më parë një kontratë tre vjeçare dhe sot (nesër) nisem për në Egjipt, për të vazhduar stërvitjen me ekipin e ri. Kam qenë disa ditë aty dhe kam vëzhguar ndeshjet miqësore. Gjithçka ka qenë perfekte. Jam mahnitur me vendin, duke filluar që nga stadiumi, i cili ishte madhështor. Për çdo ndeshje të Al Ismailit, janë të paktën 50 mijë tifozë në stadium. Nga ana tjetër, nuk diskutohet që niveli i ekipit është shumë i lartë. Lojtarët janë shumë cilësorë dhe tashmë mua më duhet të përballem me një konkurrencë të madhe aty. Gati 8-9 lojtarë të Al-Ismailit janë pjesë e Kombëtares së Egjiptit,”- rrëfen sulmuesi shkodran. Ai sqaroi edhe largimin nga skuadra turke e Ordusporit. “Kam prishur në mënyrën më të mirë të mundshme kontratën me Ordusporin. Në bazë të marrëveshjes me klubin turk, arrita të marrë edhe shumën që më takonte. Tre muajt e fundit nuk u paguajta dhe detyrimisht unë nuk mund të qëndroja më aty. Gjithsesi, u largova me mirëkuptimin e drejtuesve të këtij klubi. Tashmë hapet një fillim i ri për karrierën time dhe mezi pres të shkoj në Egjipt për t’iu bashkuar skuadrës. Pas pak ditëve qëndrimi në Shkodër, nesër (sot) do të nisem drejt vendit aziatik, ku e përsëris gjithçka është perfekte,”- tha lojtari. Në fund, Sukaj e mbylli me një batutë. “Do të kem vështirësi në mësimin e gjuhës, por jam i bindur që do e mësoj.”
Risia e federatës egjiptiane
Federata e Futbollit të Egjiptit, e ka në rregullore të saj, që çdo klub, pas tranferimeve që bën, duhet me patjetër të publikojë shumën e kontratës. “Kjo është një risi, që ma treguan njerëzit aty. Kontrata ime është depozituar menjëheë në federatën egjiptiane dhe të gjitha mediat e kanë bërë të ditur shifrën e transferimit,”- tregon Sukaj. - Për këtë kalim unë falënderoj menaxherin Uliks Kotrri dhe gjithashtu ndërmjetësin e tij, i cili është një nga më të njohurit në vendin aziatik.” Kështu, futbollisti i talentuar shkodran bëhet i pari shqiptar që do të luajë në kampionatin egjiptian, i cili nis pas përfundimit të Kupës së Afrikës. Ish-lojtari i Vllaznisë luajti fazën e parë me Ordusporin, skuadër turke e Kategorisë së Dytë, por e prishi kontratën për shkaqe tërësisht financiare dhe që lidhen me situatën jo të mirë të klubit turk. Shkodrani 22-vjeçar luajti 10 ndeshje me Ordusporin, duke shënuar 2 gola. Më parë Sukaj ka luajtur në Turqi edhe me Hacettepe.