Post
by Miri » Sat, 26 Dec 2009 , 09:23
Luçi: Presidenca e Vllaznisë punoi pas shpine për të më larguar
E ka pritur në fakt largimin nga Vllaznia prej kohësh, madje kjo gjë e ka shqetësuar pa masë. Aq sa nuk e ka lënë të punojë i qetë. Roland Luçi, në ikje drejt Austrisë, ka gjetur momentin të qetësohet, të bëjë një bilanc të punës së tij, të thotë ato gjëra që ai mendon dhe në fund të thotë lamtumirë. Sigurisht, për të mos u kthyer më në Shqipëri, për ta vazhduar këtë profesion që i la shumë brenda në vetvete. Ja si shprehet ish?trajneri i Vllaznisë në intervistën e tij për “Sportin shqiptar”:
? Luçi, si e pritët vendimin e klubit për shkarkimin tuaj?
? Të them të drejtën, nuk kam qenë shumë në siklet, sepse e prisja një gjë të tillë. M’u konfirmua nga vetë presidenti se do të kishte një mbledhje me bordin për të diskutuar mbi pozicionin tim dhe në fakt desha ta zgjidh vetë këtë çështje, pa marrë mendimin e të tjerëve. Pikërisht për mënyrën si u veprua, jam pak i mërzitur, sepse ashtu siç erdha, ashtu edhe mund të ikja.
? Keni qenë nën presion?
? Shumë të madh. Madje e thashë edhe më sipër, shkarkimin apo largimin tim, e kam pritur prej kohësh. Duhet ta dini se që nga ndeshja e dytë si trajner i Vllaznisë kam dëgjuar për trajner tjetër që do të vinte në vendin tim. E kam fjalën për ndeshjen me Shkumbinin, që e fituam. Dhe të mendosh që atëherë se po luhej diçka pas shpinës sime, ishte e paimagjinueshme, megjithatë preferova të vazhdoja punën. Edhe kur ndodhi historia me Starovën, apo dhe kjo e fundit me Martinin.
? Ju mendoni se në largimin tuaj ka ndikuar barazimi i fundit me Flamurtarin?
? Jo, jo. Mendimi im është se gjërat kanë qenë të përgatitura që më parë. Edhe në rast se do të fitonim, unë do largohesha. Nuk vendoste ndeshja me Flamurtarin, kundërshtar të cilin e vlerësoj shumë, madje e cilësoj skuadrën më të mirë që ka luajtur ndaj nesh në këtë kampionat.
? A ka probleme brenda skuadrës?
? Probleme ka, sepse jo më kot ndodhet në vendin ku është aktualisht. Por me gjithë këto probleme të merkatos jocilësore, fazës përgatitore jo të mirë, ndikimit negative që patën Kupat e Europës, mendoj se kam punuar në mënyrë të sinqertë dhe kam marrë maksimumin nga kjo skuadër. Nëse do të kishim edhe disa pikë më tepër që na janë mohuar nga arbitrat dhe që janë pohuar edhe nga vetë presidenti, do të ishim në një vend komod në renditje dhe nuk do të bisedonim sot nëse duhej të ikja unë apo jo.
? Thuhet që disa prej lojtarëve veteranë të skuadrës kanë qenë problemi kryesor i skuadrës. E mendoni kështu ju dhe a duheshin larguar ata?
? Unë personalisht nuk kam qenë i mendimit për të larguar asnjë futbollist, me përjashtim të Rizvanollit. Edhe ata të tjerët që u larguan, duhej të analizoheshin mirë. Të mendonim nëse kemi më të mirë në skuadër se ata apo jo. Sa u takon këtyre lojtarëve veteranë, siç thoni ju, ky ka qenë një nga konfliktet e mia më të mëdha me presidentin. Kjo sepse nuk duhej punuar për largimin radikal të lojtarëve. Nëse ata kanë një moshë që nuk premton më, sigurisht që duhen zëvendësuar, por ky zëvendësim duhet të jetë i butë, pa pasoja. Duhej të vinin lojtarë të tjerë më të mirë se ata në skuadër dhe, kur të ndodhte kjo, sigurisht që këtyre veteranëve, do t’u vinte vetë radha për t’u larguar.
? Skuadra megjithatë ka grumbulluar vetëm 15 pikë në 12 ndeshje. Rezultatet nuk kanë qenë në anën tuaj, apo jo?
? Vërtet nuk kemi grumbulluar më shumë pikë, por e përmenda më lart, që skuadra ka pasur shumë probleme, shto këtu edhe disa pikë që na u mohuan nga arbitrat dhe sot do kishim qenë në pozita më komod. Megjithatë, e përsëris, unë nuk jam matur me rezultate dhe me punën që kam bërë, sepse gjithnjë pas shpine kam parë që po bëheshin lëvizje kundër meje. Megjithatë, jam krenar që kam lënë në ekip dhe kam afirmuar dy lojtarë të rinj, si Bala e Djepaxhia. Sigurisht që nuk është merita ime për nxjerrjen e këtyre lojtarëve, por kam kontribuar jo pak në evidentimin e tyre.
? Meqë e njihni mirë këtë skuadër, mendoni se ai që do vijë pas jush do jetë në gjendje ta nxjerrë Vllazninë nga kjo situatë?
? Nëse vazhdon puna si me mua, pa qenë të bindur se është zgjedhur trajneri i duhur, do të jetë e vështirë. Duhet ndryshuar mentaliteti te drejtuesit e klubit, te presidenti. Dyshoj tek e ardhmja dhe kam arsye për të dyshuar. Ai që do vijë në vendin tim nuk mund të dyshojë kurrsesi në aftësitë profesionale të Hasan Likës, ato të miat dhe të mendojë se tashmë do t’i zgjidhë ai gjërat. Duhet ndryshuar mentaliteti i drejtuesve, që në raportet me trajnerët apo dhe me lojtarët. Nuk duhet menduar se një futbollist që ka probleme me ligamentet e gjurit, të hidhet në rrugë, sepse paguhet pa dhënë në fushën e lojës. Ky nuk është futboll profesionist.
? Luçi, ju vjen keq që u larguat para kohe, pa mbaruar plotësisht misionin tuaj?
? Sigurisht që më vjen keq, sepse duhej të punoja edhe pak më gjatë, deri në fund të sezonit për të çuar deri në fund idetë e mia. Vazhdoj të them se ka qenë një vendim arbitrar në largimin tim.
? E keni zgjidhur kontratën?
? Jo ende. Unë shpresoj që Vllaznia të m’i plotësojë pikat e kontratës që kemi të nënshkruar. Këtë nuk e bëj për dëmshpërblim financiar, por ngjarja me mua të shërbejë si një rast që duhet marrë në konsideratë dhe të mos gabohet më me trajnerët e tjerë. Vjet u shkarkua një trajner që po e shpallte Vllazninë kampione.
Sivjet skuadra shpartallohet në Kupat e Europës dhe largon më pas sërish trajnerin. Vij unë dhe largohem sërish. Kjo mund t’i ndodhë edhe pasardhësit tim. Kështu nuk duhet vazhduar. Vllaznia është e Shkodrës, jo e një njeriu të vetëm apo e një grupi njerëzish. Vendimet që merren duhet të mendohen mirë për të mirën e skuadrës, të futbollit shkodran. Pavarësisht kësaj, i uroj suksese Vllaznisë, sepse është skuadra ime e zemrës dhe do jem gjithnjë i lidhur ngushtë me të.