Post
by Miri » Wed, 23 Sep 2009 , 17:52
“Dorëzohet” Lika: Nuk jemi për titull
Kreu i pankinës kuqeblu, Hasan Lika, në një intervistë për “Panorama”, nuk e ka fshehur shqetësimin e tij për situatën ku ndodhet Vllaznia në renditje.
Sipas tij, një ekip pretendent si ai kuqeblu, nuk mund të fitojë titullin nëse nuk merr të paktën në çdo ndeshje brenda pikët e plota. Natyrisht, barazimi pa gola në takimin e së shtunës kundër Dinamos nuk duket se ka kënaqur të gjithë në kampin shkodran. Megjithatë, për mënyrën sesi u zhvillua ndeshja dhe si shkodranët luajtën, të gjithë u duk se u pajtuan me rezultatin. Por për shkodranët ky është një tjetër hap fals në këtë fillim sezoni, sepse pikët ikin dhe kalojnë po me aq shpejtësi. Ashtu siç thotë edhe vetë trajneri Lika, në lidhje me pretendimet e kuqebluve për këtë kampionat, duket se Vllaznia ka ende shumë punë për të bërë. Edhe pse Lika është i kënaqur me rritjen e nivelit të lojës, përsëri ai në vetvete është i bindur se kjo nuk është skuadra që dëshiron. Për më tej, ja si u shpreh ai:
Zoti Lika, tani që kanë kaluar tre ditë nga ndeshja me Dinamon, i qëndroni mendimit që dhatë direkt pas ndeshjes?
Përballja me Dinamon, duke e krahasuar me tri javët e para, mund të them se për nga loja është më e mira. Na ka kënaqur rritja e lojës së ekipit, e cila ka qenë e shtrirë përgjatë 90 minutave të saj. Po edhe në këtë takim, me keqardhje e them se na ka munguar përsëri goli.
Sipas jush, ekipi kishte mundësi për ta fituar atë takim?
Ne duhet t’i kishim shfrytëzuar në më të mirën e mundshme rastet që krijuam. Sidomos në pjesën e parë, ku ishin 2-3 raste të pastra. Ashtu siç mund të kishim fituar ne, mund edhe të humbnim. Edhe kundërshtari pati raste për shënim.
Atëherë, çfarë nuk po shkon siç duhet tek Vllaznia?
Vllaznia si skuadër po shfaq përsëri probleme, sidomos në goditjet standarte. Nga këto të fundit, Dinamo për pak sa nuk ka na ndëshkoi. Mbrojtja jonë, në mjaft raste nuk arriti të pozicionohej siç duhej, duke na vënë në rrezik shumë të madh. Megjithatë, shpresoj që të përmirësohemi, pasi ende kemi shumë gjëra që duhen rregulluar në këtë drejtim. Disa futbollistë kanë qenë të dëmtuar dhe disa të tjerë nuk kanë pasur formën e duhur sportive. Kemi vuajtur në javët e para dhe mund të vuajmë edhe për pak kohë.
Tashmë që kanë kaluar katër javë, si e shikoni të ardhmen e skuadrës, duke u nisur nga synimet që ka klubi?
Vllaznia, që të jetë pretendente, siç e ka në traditën e saj, duhet të mos gabojë. Pra, të fitojë të gjitha ndeshjet brenda dhe të paktën, të mos humbasë në transfertë. Ndryshe, ne nuk mund të jemi pretendent. Kjo tregon edhe faktin tjetër, se ne kemi ende shumë punë për të bërë si skuadër. Duhet të rrisim lojën e grupit, por edhe të individit, për të shkuar aty ku e duam të gjithë Vllazninë.