Post
by Skodrinon » Fri, 02 Oct 2009 , 14:44
Dervish Haxhiosmanoviç
Me trup në Podgoricë dhe me zemër në Shkodër
I kanë bërë nder por edhe e kanë larguar në mënyrë të padrejtë. Megjithatë Dervish Haxhiosmanoviç, edhe pse është larg Shkodrës, nuk flet keq për askend. Në Podgoricë ai drejton një ekip futbolli por kur i thanë se kanë ardhur për të takuar nga Shkodra, ai le ekipin në dorën e zëvendësit të tij dhe drejtohet nga të posa ardhurit e qytetit me të cilin e lidhin pazgjidhshmërisht ëndrra, dëshira, malli dhe nostalgjia. Shkodra dhe shkodranët janë për mua njerëzit më të dashur, thitë malazezi, i cili mesa duket me trup është në Podgoricë dhe me zemër në Shkodër. Nuk e kishe parë asnjëherë ish- trajnerin e Vllaznisë. Me këtë do të them se as nuk e kisha takuar ndonjëherë, por megjithatë nuk mund të rrija pa e takuar atë njeri, që është dashuruar aq shumë me qytetin tim dhe bashkatdhetarët e mi. Jam takuar gjatë punës time si gazetar me shumë të huaj por asnjë prej tyre nuk më ka folur me aq superlativa për Shkodrën dhe shkodranët. Pra edhe pse larg njeriu i trofeve të Vllaznisë, nuk flet keq për asnjë edhe pse mund të flasë. Nuk ka se si të mos bëjë përshtypje një gjë e tillë kur koha ka sjellë në skenë njerëz të ndryshëm, që nuk kursehen duke shprehur fjalë të ndryshme për njëritjetrin. Pra Dervish Haxhiosmanoviç është krejt tjetër. Është një njeri, që flet veç mirë. Dhe kjo është një dhunti e radhë e njerëzve të sotëm. Pasi jam prezantuar kush jam, ish -futbollisti i kombëtares malazeze dhe ish trajneri i suksesshëm i Vllaznisë, tregon gjithçka për veten, për Shkodrën dhe shkodranët dhe ndoshta për herë të parë thotë se futbollisti më i mirë, që ai ka stërvitur në Shkodër ka qenë Edi Martini, por më vjen keq thotë ai se Martini nuk arriti të bëhej një futbollist profesionist. Dervish Haxhiosmanoviç flet me superlativa gjithashtu për drejtuesit e sportit në Shkodër, për Vllazninë dhe për lojtarët Lici, Teli, Beqiri, Salihi, Sukaj, Shtupina, Lika , që kanë arritur të veshin fanelën e kombëtares së Shqipërisë. Ish trajneri i Vllaznisë, thotë gjithashtu se “Nuk do të ishit gabuar por të më kishit zgjedhur për të drejtuar kombëtaren e Shqipërisë. Për më shumë lexojeni këtë intervistë të sinqertë, që flet për gjithçka.
- Zoti Haxhiosmanoviç, kur ka qenë viti i parë që ju keni drejtuar një ekip shqiptar?
- Ka qenë viti 2001. - Si arritët të lidhnin kontraten e parë me Vllazninë? - Ka ardhur këtu në Podgoricë për tu interesuar për trajner, i ndjeri Myftar Qela dhe i kanë rekomanduar, emrin tim.
- A kishit dëgjuar më parë për Shkodrën?
- Sigurisht që kisha dëgjuar por kjo ishte rruga e parë që kam bërë në Shqipëri. Më parë nuk kam qenë.
- Sa kohë keni qëndruar gjithsej në Shqipëri?
- Ta mbledh të gjithë kohën bëhen nja 3 vjet.
- Gjatë kësaj kohe cilat janë trofetë që keni fituar?
- Të gjitha trofetë e fundit që ka fituar Vllaznia i ka fituar nën drejtimin tim. Kam fituar kampionatin në sezonin 2000 – 2001 . Ka fituar Kupën e Shqipërisë pas 21 vjetësh në vitin 2008 dhe superkupën e Shqipërisë në vitin 2001.
- Gjatë kësaj kohe, keni shkuar dhe ardhur disa herë, më saktë 5 herë. Cilat ishin arsyet e këtyre ecejakeve?
- Kjo nuk ka qenë dëshirë e ime por e drejtuesve të Vllaznisë.
- Cilat janë mbresat tuaja nga këta drejtues ( Është fjala për presidentët)?
- Me të gjithë presidentët pa asnjë diskutim unë kam pasë marrëdhënie shumë të mira Nuk kam pasur asnjë problem dhe them që marrëdhëniet e mia me ta kanë qenë shumë të korrekte.
- Edhe atëherë kur padrejtësisht ju kanë larguar?
- Ju thashë që marrëdhëniet e mia me drejtuesit e Vllaznisë kanë qenë shumë të mira.
- Po me lojtarët çfarë marrëdhëniesh keni pasur?
- Edhe me lojtarët marrëdhëniet e mija me to kanë qenë shumë të mira.
- Po me trajnerët shqiptarë a keni pasur ndonjë problem?
- Me të gjithë marrëdhëniet kanë qenë shumë korrekte. Unë kam vlerësuar gjithnjë punën e tyre dhe e kam parë se edhe ata kanë respektuar punën time.
- Gjatë kohës që keni qëndruar në Shqipëri a ju ka mbetur ndonjë peng?
- Ndoshta ishte dashur ta ngrinim më lart nivelin profesionist të futbollit. Kam vërejtur se ka shumë probleme midis trajnerëve dhe futbollistëve në ekipe. Drejtuesit mbështesin në përgjithësi disa lojtarë, të tjerat i kalojnë disi në hije. Këtë vështirësi e kalojnë trajnerët.
- Një vit më parë Vllaznia humbi titullin kampion. A ju ka ardhur keq për këtë?
- Sigurisht që po.Por unë e kam ndjerë se kampionatin ne si Vllazni e kemi humbur në Durrës. Jemi mundur 1- 0. Ishte e vështirë që kampionati të fitohej javën e fundit.
- A ka ndodhur siç ndodh në shumë ekipe, që ligjin në skuadër ta bëjnë një grup futbollistësh?
- Mund të ndodhë por gjatë kohës që unë kam drejtuar Vllazninë nuk më ka ndodhur.
- Kampionatin e humbët ju apo e humbën futbollistët?
- Jo, nuk e kam humbur unë. Unë erdha për ta fituar kampionatin.
- A keni dëshirë të ktheheni për të drejtuar Vllazninë?
- Kam kënaqësi për të drejtuar Vllaninë. Dhe sa herë që më kanë thirrë unë kam qenë gjithmonë i gatshëm për të drejtuar Vllazninë. Këtë do ta bëja përsëri, madje që sot nëse më thërrasin.
- Keni drejtuar Vllazninë, Erzenin e Shijakut dhe Kastriotin. Ku e keni ndjerë veten më mirë.
- Sigurisht në Shkodër. Megjithatë kudo që kam shkuar në Shqipëri e kam ndjerë veten mirë. Unë punoj si profesionist. Ky është qëllimi im.
- Cili nga futbollistët shqiptarë ju ka pëlqyer më shumë gjatë kohës që ju keni punuar në Shqipëri?
- Mua më shumë më ka pëlqyer Edi Martini . Ai ka qenë një futbollist i talentuar por nuk ka qenë një futbollist profesionist. Martini për mua ka qenë një futbollist shumë i mirë po nuk arriti të bëhej një futbollist profesionist.
- A është e vërtetë se keni shprehur dëshirën për të drejtuar edhe ekipin tonë kombëtar?
- Po të më emëronin trajner të kombëtares së Shqipërisë, nuk kishin për të gabuar.
- Mendoni se kombëtarja e Shqipërisë është më lart se kampionati shqiptar?
- Po, pa dyshim sepse shumë lojtarë të ekipit tuaj kombëtar luajnë jashtë Shqipërisë, ku edhe kampionatet janë më të fortë.
- Cilët janë futbollistët e kombëtares, që keni përgatitur ju por që janë bërë futbollistë të kombëtares?
- Lici, Teli, Beqiri, Salihi, Sukaj, Lika, Shtupina. Por nuk mund të mos vlerësoj futbollistë po kaq të mirë si Sinani, Grima apo ndonjë tjetër”
- Kush është Dervish Haxhiosmanoviç?
- Kam lindur në Plevle më 1959.
- A keni pasur karrierë si futbollist?
- Kam luajtur me Buduçnost. - Sa vjet? “6 vjet”
- Cili ka qenë roli juaj?
- Sulmues. Kam luajtur edhe me përfaqësuesen e Malit të Zi.
- A keni luajtur ndaj Vllaznisë në ndeshjen e zhvilluar në Titograd midis Budupnost dhe Vllaznisë në vitin 1987?
- Po, një prej golave që ne shënuam kundër jush ( 2-1) e bëra unë. Por në ndeshjen e kthimit në Shkodër nuk kam qenë.
- Në atë ndeshje ka luajtur edhe Dejan Saviçeviç apo jo?
- Po, unë dhe Saviçeviç kemi qenë edhe futbollistë të të njëjtit ekip.
- Cilat janë marrëdhinet tuaja me Saviçeviç, tani president i futbollit të Malit të Zi?
- Janë shumë të mira.
- Nëse do tju bëhet ndonjë ofertë për të shkuar sërish në Shkodër, a do të pranoni? - Menjëherë.
- Çfarë keni dalluar si gjënë më pozitive në Shkodër?
- Më pëlqen shumë Shkodra. Shkodranët janë një popull i mrekullueshëm dhe unë e ndjej se ata më respektojnë shumë. Kam kënaqësi të punoj me Vllazninë sepse ajo tashmë është bërë pjesë e jetës sime. Kjo është biseda që bëmë në Podgoricë me Dervish Haxhiosmanoviç. Njeriu që ka drejtuar 3 herë Vllazninë mund të vihet në krye të drejtimit të saj edhe për të 4-tën herë. “Nuk e kam për fyerje, thotë ai.përkundrazi e kam për nder. Shkodra më ka dhënë shumë gjëra dhe unë nuk kam kursyer asgjë për t’i dhanë asaj çfarë ajo ka kërkuar”.
vllaznimi sportiv