Post
by Man in Redblue » Wed, 01 Apr 2009 , 17:13
Ari Hani, një “patate e nxehtë” për drejtuesit e kombëtares
Nga Alfred LLESHI
Pas humbjes me Hungarinë dhe mënyrës se si reagoi trajneri Ari Han, gjatë dhe pas kësaj ndeshjeje, në mendje na erdhi një shprehje e Jean Paul Sartre, një ekzistencialist shumë i njohur, që mund t’i jepte sadopak karar “mbijetesës” së këtij holandezi në krye të kuqezinjve: “një njeri që kaq pak ide në kokë, mbetet gjithnjë skllav i tyre”. Paraqitja e kombëtares shqiptare në dy ndeshjet e fundit, me Maltën dhe Hungarinë, ç’është e vërteta, veç humbjeve, nuk frymëzon askënd me lojën e zhvilluar, as shqiptarin më të thekur në radhët e tifozëve dyngjyrësh. Përkundrazi, lojtarët që luajtën në fushën e blertë na u dukën si fruta të vjetra e të thara, ndërsa vetë Ari Han i stresuar në rrugën e përzgjedhjes së tyre. Shumë befasues është fakti që tek kuqezinjtë, ashtu sikurse thoshte dy ditë më parë edhe ishtrajneri i kombëtares, Neptun Bajko, po vihet re mungesa e grintës dhe e shpirtit të sakrificës në fushën tonë, veti të cilat, falë tyre, kemi shkurorëzuar Greqinë si kampione e Europës, kemi mundur Rusinë në Shkodër, kemi barazuar edhe këtë edicion në Portugali, pa shkuar shumë vite më përpara. Gjithashtu, me trajnerin Han, jo vetëm nuk kemi lojë sulmuese, siç premtoi me bujë kur erdhi (do të bënte një Holandë të vogël me Shqipërinë), por po vihet re një rënie e dukshme në lojën mbrojtëse, të cilën paraardhësi i tij, Oto Bariç, na e ngriti në nivelin më të mire të mundshëm. Veç këtyre fakteve teknike të verifikueshme lehtë (kemi 360 minuta pa shënuar gol), jo pak tronditës është fakti se shpresa e nxjerrjes së një ndeshjeje të mirë nga kuqezinjtë mbetet tek yjet në perëndim, por që nuk janë në zenitin e tyre tashmë, ndërsa ka pak shenja të reja, tek të cilat trajneri Ari Han beson. Zëvendësimet e pakta, vetëm një ndaj Hungarisë, të lë të mendosh këtë gjë, të paktën. Nga ana tjetër, kuqezinjtë duket se i ka zënë mallkimi edhe në një repart të konsideruar me bollëk lojtarësh “të mirë”, në mesfushë, pikërisht në këtë repart ku besojnë të gjithë, por që ndaj hungarezëve ishte në ditën më të errët, me në krye Skelën dhe Duron, të lodhur tashmë dhe pa freskinë e duhur fizike. Ndaj europianolindorëve të Ervin Koemanit, por edhe në katër ndeshje të tjera të këtij edicioni kualifikues, nuk kemi arritur të shënojmë dot (qysh ndaj Maltës në Tiranë). Nuk na dhanë shpresa as Hamdi Salihi me Besart Berishën, pavarësisht se kësaj dysheje i ishte dhënë një “votëbesim” paraprak i publikut. Edhe Edmond Kapllani, duke mos llogaritur këtu Erion Bogdanin, mbetën jashtë kombëtares për këto dy ndeshje, ndoshta për arsye të tjera, sesa mungesa e cilësisë në krahasim me sulmuesit e ftuar. Dhe ja ku gjendemi, në atë pikën ku bashkohet loja e dobët dhe mungesa e rezultateve. Kombëtares shqiptare, në këto momente, i duhet qoftë edhe një grimë fryme magjike, për t’u dhënë sadopak zemër e besim edhe të rinjve. Në planin sportiv dhe të meritave të shfaqura në fushën e lojës, humbja me Hungarinë ndoshta nuk ka pse të shihet si një dështim i madh. Problem i mprehtë, sikurse është demonstruar gjatë tërë këtyre eliminatoreve, mbetet trajneri Ari Han, i cili nuk ka dhënë qoftë edhe një shembull të vetëm se e ka nuhatjen e duhur për të bërë korrigjimet e duhura, se do të përpiqet për t’i menaxhuar më mirë elementët e mundshëm që ka futbolli shqiptar dhe, pse jo, të japë besim e shpresë se tifozët kuqezinj kanë pse të besojnë tek skuadra e tyre. Ndoshta kjo gjë tashmë duket disi e pamundur, pasi, nisur nga vështirësia e ndeshjeve në vazhdim, më shumë sesa në aspektin e llogarive dhe mundësive matematikore, edhe kësaj radhe e kemi të sigurt vendin e parafundit në grup. Në këtë pikë të gjërave, mbetet të bëhet një riformulim i objektivave të kombëtares, që në fakt nuk janë bërë kurrë të ditura edhe në fillim të edicioneve. Për pasojë, edhe gjykimi (jo moral) kontraktual i trajnerit Ari Han mbetet një ekskluzivitet i “të panjohurave” për të. Duhet të ikë apo të qëndrojë holandezi i kuqezinjve? Qoftë njëra, qoftë tjetra, sikur të ndodhë, mendojmë se do të kishin të njëjtën vlerë. Nuk do të nxirrnim gjë në dritë, përveçse do të na duhej të paguanim dy trajnerë, holandezin, duke qëndruar në shtëpinë e tij, në bazë të kontratës, por edhe një tjetër, që do ta zëvendësonte atë. Thënë ndryshe, Hani na ka mbetur si ajo “dopiogjashta” në dorë, ashtu sikurse edhe vendi i parafundit në grup, një “patate e nxehtë” në duart e drejtuesve. Që këtej, lind si diçka e nevojshme premisa kryesore e vijueshmërisë së kombëtares, që ka të bëjë me dialogun dhe gatishmërinë e palëve për t’i ndryshuar pozicionet. Gjëja më e mirë në këto kushte, në këtë pikë të edicionit kualifikues, është që të dyja palët të abandonojnë pozicionet e tyre fillestare, për t’iu afruar një pozicioni të tretë, që nuk koincidon me asnjë prej pozicioneve të pikënisjes. E rëndësishme këtu, megjithatë, nuk është gatishmëria për kompromis, por gatishmëria për të arsyetuar së bashku me tjetrin, me specialistët shqiptarë, me ata anëtarë të Komitetit Ekzekutiv që marrin vesh nga futbolli, se ç’duhet bërë në vazhdim me ekipin kombëtar. Ia vlen të shpenzojmë sërish mijëra euro për trajnerë të huaj, fasadë, apo duhet t’i hedhim sytë nga infrastruktura, nga sistemi zinxhir i ekipeve tona të futbollit, nga gjurmimi dhe afrimi i talenteve të reja, që nuk mungojnë anekënd botës? Thënë ndryshe, puna e do që të bëhet një analizë e hollësishme e fakteve dhe e dukurive të shfaqura deri tani, për të përcaktuar qartë edhe hapat në vazhdim. Ndoshta një analizë e tillë, për fat të keq, nisur edhe nga kultura “tradicionale” e drejtuesve të futbollit shqiptar, nuk pranohet lehtë si formë komunikimi me opinionin sportdashës shqiptar. Çka do të thotë se instinktivisht, ashtu siç është bërë edhe me kushtet kontraktuale të trajnerëve të huaj kuqezinj, do t’i shmangemi dialogut, ose, më e shumta, do t’i referohen atij vetëm si mjet ose manovër taktike, për të mbërritur në qëllimet fillestare, në përfundimet e përhershme, vendin e parafundit. Kjo teknikë pune ka kohë që themelohet mbi një gabim logjik sportive elementar; ose mbi supozimin se ndryshimi në qëndrime dhe në pikëpamje është tregues i dobësisë, hipokrizisë apo gënjeshtrës dhe; se drejtuesi i vërtetë, ose “burrnor”, është ai që nuk ndryshon kurrë mendim. Muri lu, burri s’lu, - thotë fjala e urtë. Që këtej, burimi i këtij keqkonceptimi të drejtimit të kombëtares dhe futbollit shqiptar duhet kërkuar në mendësinë autoritare tradicionale tonën. Për t’u kthyer në realitet, tek një analizë e nevojshme dhe e
hollësishme e situatës, në mes të edicionit kualifikues, me të gjithë aktorët dhe faktorët e kombëtares kuqezi, duket se është më shumë një etiketë e ngjitur mbi një flluskë; meqë koncepti i referohet jo aq gatishmërisë për t’iu qasur një zgjidhjeje, sesa dëshirës dinake për të vonuar lojën, për të fituar kohë. Siç kemi bërë deri tani, në fakt. Prandaj edhe fundi i kombëtares kuqezi duket i qartë, i qëruar, sepse me të po sillemi si në edicionet e fundit, ku pikat e nisjes janë trumbetuar në forma të ndryshme, me një fill të përbashkët, kualifikimin në Europianë e Botërorë, ndërkohë që pika e mbërritjes ka qenë e njëjtë, vendi i parafundit. Kjo na shpie edhe neve, në këtë shkrim tonin, në fillim të tij, kur e përqasëm trajnerin Ari Han me një shprehje të Jean Paul Sartre, se “njerëzit që kanë pak ide në kokë, mbeten gjithnjë skllav i tyre”. Në fakt, kjo vlen jo vetëm për Hanin, që do t’i besojë sërish formacionit anti-Hungari edhe në Danimarkë, por për tërë drejtuesit e kombëtares. Andaj, dukshëm, kombëtarja na “deshifrohet” sot, më shumë se kurrë, si një skllave e ideve të pakta të drejtuesve të saj.