Post
by vllaznia1919 » Sun, 06 Mar 2005 , 13:32
Vllaznia, fitorja më e thellë e sezonit
Vetë rezultati flet vetë për nivelin dhe lojën e zhvilluar dje në "Loro Boriçi". Vllaznia, nga ana e saj, ka bërë detyrën duke arritur një tjetër fitore, e katërta radhazi, e tani e sheh veten më pranë se kurrë për kapjen e vendit të dytë. Nga ana tjetër, edhe laçianët duhen vlerësuar dhe respektuar, sepse po vazhdojnë të nderojnë kampionatin, pavarësisht se i kanë thënë prej kohësh lamtumirë. Ajo që të bën përshtypje është edhe dëshira me të cilën vazhdohet të punohet te kjo skuadër nga trajneri Metani. Ndonëse në ndeshjen e djeshme ka rënë gjatë gjithë kohës shi, numri një i stolit laçian në 45 minutat e para ka qëndruar gjithnjë në këmbë. Pavarësisht se skuadra e tij pësonte njëri pas tjetrit shumë gola, sërish Metani është munduar të udhëzojë të tijët. Nga ana tjetër, në stolin shkodran ka rënë në sy mungesa e trajnerit Bici për arsye shëndetësore. Kjo nuk e ka penguar ndihmësin e tij, Mustafaraj, të hedhë në fushë formacionin e tij më të mirë. Vetëm në pjesën e dytë ka pasur pak hapësirë për tre të rinj, ndërkohë që ndeshja e djeshme ka qenë edhe mundësi e mirë për sulmuesit Sinani e Abilio për të rritur numrin e tyre të golave. Përfundimisht, një rezultat 8-0, që i ka afruar më tepër shkodranët me vendin e dytë në renditje. Nga ana tjetër, këto 8 gola kuqeblu kanë qenë një "buqetë" për Vioresin Sinanin në prag të dasmës së tij. Vllaznia këtë javë do të udhëtojë në Lushnjë, një ndeshje tejet e vështirë, por kuqeblutë nuk do të dorëzohen pikërisht tani, që janë pesë pikë larg Elbasanit, i cili ka një ndeshje në trasfertë në Peqin, aty ku nuk fitohet kollaj. Kujtojmë që në ndeshjen e parë në Lushnjë shkodranët kanë dalë të mundur, duke filluar që aty tatëpjeta në renditja. Kësaj radhe shpresojnë që "Roza Haxhiu" t'u sjellë ngjitjen. Por djemtë e Bicit nuk do ta kenë të lehtë, pasi Lushnja nga ndeshja në ndeshje po tregon një nivel të kënaqshëm. Për Laçin nuk kemi çfarë të flasim shumë. Mungesa e Gjinit dhe e Laskës kanë ndikuar në lojën e kurbinasve. Ndoshta me praninë e tyre nuk do të ishin shënuar kaq shumë gola. Rezultati 8-0 ishte më i thelli i këtij sezoni në superligë dhe në kategorinë e parë. Pra, Vllaznia tregohet sërish e pamëshirshme ndaj Laçit, të cilit i ka shënuar plot 22 gola këtë sezon. Një numër rekord, që mund të regjistrohet edhe në librin "Guinnes". Deklaruan: Gëzim Mustafaraj, zëvendëstrajner i Vllaznisë: "Për ne ishte ndeshja e radhës që duhej fituar. Njëkohësisht prisnim edhe ndonjë hap fals të Elbasanit për t'iu afruar më tepër vendit të dytë. Nga ana tjetër, dua t'i bëj komplimente sërish ekipit laçian që vazhdon të respektojë kampionatin. Tetë golat që shënuam në këtë ndeshje ishin një buqetë që ekipi i dhuroi Sinanit me rastin e martesës së tij. Sa i takon barazimit të Elbasanit, dua të them që ky rezultat do të na motivojë më tepër në ndeshjet e ardhshme për të shpresuar deri në fund për të kapur vendin e dytë." Luan Metani, trajner i Laçit, nuk u prononcua për shtypin. Të veçanta: - Moment shumë i veçantë ka qenë ai i minutës së 7-të të ndeshjes. Sinani ka shënuar golin e parë të tij në këtë ndeshje dhe surpriza për të ka qenë grumbullimi rrotull tij i të gjithë lojtarëve të Vllaznisë, të cilët e kanë futur në mes atë dhe kanë filluar t'i këndojnë napolonin me rastin e martesës së tij. - Në ndeshjen e djeshme nuk ka qenë në stolin e Vllaznisë trajneri i saj, Vasil Bici. Sipas drejtuesve të klubit, ka ndodhur kështu ngaqë ai ka qenë në një gjendje jo të mirë shëndetësore. Në stol ndërkohë ka drejtuar ndihmësi i tij, Gëzim Musatafaraj, që i është gëzuar edhe fitores së thellë kundër Laçit. - Ndonëse çmimi i biletës dje ishte ulur nga drejtuesit e klubit Vllaznia në 1 mijë lekë të vjetra, në stadium nuk ka pasur më shumë se 300?400 tifozë. Përveç mosrëndësisë së ndeshjes, ndikoi edhe shiu që ka rënë gjatë gjithë ditës së djeshme. Sinani: Golat, miqve dhe shokëve të mi Pa dyshim që e djeshmja ka qenë ditë e veçantë për sulmuesin shkodran Vioresin Sinani. Nga fusha e futbollit ka shpejtuar për të veshur kostumin e dhëndrit për ceremoninë e dasmës së tij. Përveç kërcimit të napolonit nga shokët e tij të skuadrës në momentin e shënimit të golit të parë, Sinani ka marrë edhe shumë urime të tjera nga tifozë, miq e shokë të tij. Pas ndeshjes, ku shënoi tre gola, Sinani do të shprehej; "Unë i falënderoj të gjithë ata njerëz që më kanë uruar me këtë rast dhe u them që pikërisht këta gola që shënova sot ua kushtoj të gjithë miqve e shokëve të mi që më kanë përkrahur vazhdimisht në karrierën time." Ndonëse sot është ditë pushimi, për Vllazninë në të vërtetë nuk do të jetë e tillë. Kjo pasi të gjithë pjesëtarët e saj do të jenë të ftuarit e Sinanit në ceremoninë e dasmës së tij në orën 15:00 në hotel "Argenti".