Post
by fpjalmi » Wed, 25 Mar 2009 , 00:33
Altin Lala: “Të kapim vendin e dytë”
Kapiteni i Kombëtares: “Hungaria nuk ka kualitete më të mira se ne”. Veterani kuqezi: “Shqipëria fiton dhe del një pikë para hungarezëve”
“Kombëtaren nuk e lejojnë të stërvitet në “Qemal Stafa’? Kjo më kujton kohën e xhaxhit Enver. Është një turp i madh. Po të ndodhte në Gjermani kjo gjë, lojtarët do ta kishin ngritur fushën në krah. Demtohet bari? Japim ne para per ta sjelle nga Holanda”. Është gjithmonë i njëjti. Nuk harron të lëshojë batuta e të bëjë humor me gazetarët, aq sa duket se është një “aktor i Portokallisë” e jo një futbollist që flet me “gjuhën e topit”. Por, në fushën e “mejdanit”, kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala, jep gjithmonë maksimumin e tij. Në ndeshjen kundër Maltës (0-0) në La Valeta u ndje mungesa e tij, ashtu si ajo e zëvendëskapitenit Lorik Cana (që të dy të dëmtuar). Tani pas rikthimit të tij te skuadra e tij Hanover 96 në Bundesligën gjermane e në Kombëtaren e Shqipërisë, “plakushi 34-vjeçar” i përfaqësueses dukej si të ishte një “riosh 20-vjeçar” si Elis Bakaj, madje e quan këtë të fundit si një lojtar të talentuar, i cili nëse do të vazhdojë të punojë me seriozitet mund të luante pa frikë në Bundesligë.
I rikthyer pas një dëmtimi të gjatë, si e ndjen veten kapiteni Lala?
Për vetë faktin që kam tri ndeshje me ekipin e dytë të Hanoverit, jam në gjendje të përballoj 90-të minutëshi. Përveç stërvitjes që kam bërë vetë, kam punuar edhe me trajnerin personal, për t’u rikuperuar sa më shpejt. Mund të them se kam uri për të luajtur. Dua të them të drejtën, trajneri im (i Hanoverit) nuk donte që unë të vija këtu (në Kombëtare shqiptare).
Pas barazimit me Maltën, kemi përballë Hungarinë e më pas Danimarkën.
Për ne këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme. Sidomos kjo me Hungarinë, që na duhet patjetër një fitore. Atëherë do të ndryshonin më të vërtetë gjërat.
Sulmi ynë nuk ka shënuar shumë në ndeshjet e para (3 gola në 5 ndeshje)...
Sulmi varet edhe nga mesfusha. Duke forcuar atë, do të bëjmë gola në sulm. Edhe me Maltën kemi pasur disa shanse. Ajo ndeshje duhej të fitohej. Këto gjëra kanë kaluar tashmë, tani e rëndësishme është kjo ndeshje.
Kemi një pikë më pak se kundërshtari, çfarë prisni nga ndeshja me Hungarinë?
Duke parë që Hungaria ka shtatë pikë, ta lëmë poshtë, të paktën pas kësaj ndeshje. Shpresoj që të jemi të gjithë 100 për qind. Hungaria do të vijë në Shqipëri për të bërë lojën e saj. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë interesante.
Sulmi është reparti që ka pasur më shumë lëvizje. Herë ka qënë Bogdani, herë Salihi apo Berisha në sulm. Sa ka ndikuar te ju si futbollistë të reparteve të tjera?
Unë mund të them se e njohim njëri-tjetrin, pavarësisht se ne qëndrojmë bashkë për një kohë të shkurtër. Ne kërkojmë gjithmonë rezultate të mira. Nuk ka rëndësi se kush është në fushë. Rëndësi ka që futbollistët që do të luajnë të japin maksimumin. Për gjëra të tjera mund t’ia bëni pyetjen trajnerit.
Një përgjigje nga pozita e kapitenit të Shqipërisë...
...Si kapiten u thashë ato mësipërm, kur të bëhëm në të ardhmen trajneri i Shqipërisë (qesh), do t’u përgjigjem pyetjeve që i takojnë trajnerit. Kam dëgjuar më shumë mediat, të cilat kanë pohuar se nuk janë bërë shumë ndeshje me të njëjtin formacion, por ka dhe dëmtime lojtarësh edhe lëvizje të trajnerit.
Sa herë vinë ndeshje që në letër konsiderohen si më të lehta, atëherë dështojmë, nuk marrim rezultatin që të gjithë presim. Kjo ndodhi edhe në edicionin e kaluar kundër Bjellorusisë, por dhe tani kundër Maltës.
Prandaj them se kemi një ndeshje të vështirë me Hungarinë, ndërsa më pas na presin ndeshje më të lehta (qesh, teksa në fakt do të luajmë me Danimarkën -2 herë - , Portugalinë e Suedinë).
Në Hungari bëmë një pjesë të parë të mirë, pastaj në dytën e luajtëm më dobët dhe u ndëshkuam.
Po kjo është e vërtetë. Në fakt, Huzhti, i cili ka luajtur me mua te Hanoveri, më tha se ne ishim më lart në pjesën e parë, dhe po të kishim shënuar mund të kishim fituar. Po ky është futbolli.
Sipas jush, cilët janë lojtarët më të fortë të Hungarisë?
Janë (Tamash) Tajnal (Borusia Dortmund), (Zsabols) Huzhti (Zenit St.Petersburg) dhe një lojtar i PSV Eindhovenit (Balazs Dzudszak), i cili luan si mesfushor i krahut të majtë. Nuk kanë lojtarë me më shumë kualitet sesa ne, prandaj do ta konsideroja shans që me këtë ndeshje të kapim vendin e dytë.
Cili rezultat do të ishte më i mundshëm, e parashikoni dhe humbjen?
Fitorja dhe marrja e tri pikëve do të ishte shumë më mirë sesa barazimi, kjo nuk diskutohet. Por duke parë sesi mund të shkojë ndeshja, edhe barazimi nuk do të ishte keq. Duke parë dhe kundërshtarin kjo do të ishte gjysma e së keqes. Natyrisht, që të gjithë do të kërkojmë fitoren. I kam thënë edhe Huzhtit, se po fitoi Hungaria, nuk do ta shohë më Rinasin, do ta marr peng (qesh). Jemi shumë shok me të dhe bëjmë gjithmonë shaka.
Jeni lojtari që keni më shumë ndeshje në grupin aktual (70) dhe më i vjetri (34 vjeç). Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Do të luaj edhe për dy vjet me Hanoverin. Do të vijë koha kur do të jap edhe dorëheqjen nga ekipi kombëtar. Por, tani dëshiroj të jap maksimumin për të, pastaj gjërat e tjera zgjidhen vetë. Ende nuk kam në plan të largohem, do të shoh gjendjen time. Nëse nuk kam ç’të jap më atëherë do t’u hap rrugën të rinjve.
Bogdani nuk është thirrur në Kombëtare, komenti juaj?
Për këtë duhet të pyesni trajnerin. Gjithsesi, Bogdani së fundi shënoi edhe një gol me Lacion. Është një lojtar i rëndësishëm. Trajneri e di se çfarë kualiteti ka Bogdani. Edhe Kapllani është një lojtar i mirë. Në Bundesligë ka pasur edhe momente të mira, ashtu si dhe të këqija. Besoj se për këta lojtarë dera është gjithmonë e hapur.
Drejtoria e stadiumit “Qemal Stafa” nuk lejoi që Kombëtarja jonë të stërvitej atje të paktën për një seancë stërvitore.
Kjo të kujton kohën e xhaxhit Enver (qesh). Nuk duhet ta fus në politikë, pasi për mua janë gjëra që nuk duhen diskutuar. Unë mendoj se të vijë Kombëtarja gjermane në Laipcig, dhe të mos e lënë të stërvitet në stadiumin e tij, do të ishte skandal. Nuk e njoh se nuk i di as emrin. Është turp që ta marrë vesh media e huaj, që në vendin tënd nuk të lejojnë të stërvitesh. Nëse thonë se prishet fusha, t’u japim para ne futbollistët të blejnë bar në Holandë.
Altin, vitet e fundit shumë pak lojtarë shqiptarë po çajnë drejt Bundesligës. A ka ndryshuar ndonjë gjë, në raport me vitet ku keni qenë ju, Skela, Kapllani, Rakllia apo ndonjë tjetër?
Me atë që kam parë në kampionatin shqiptar, unë them se ka talente. Kam përshtypjen se shumë veta mund të jenë të kënaqur me faktin që luajnë këtu. Ne e patëm më vështirë në kohën tonë për të çarë, por kjo na dha më shumë frymëzim për të punuar më shumë e më shumë ambicie. Ka lojtarë që kënaqen me pak.
Ka ndonjë Altin Lala tjetër në Kombëtare?
Të shkurtër sa unë nuk ka shumë. Hyka është një i tillë. Elis Bakaj është një lojtar me talent, ai ka të dhëna shumë. Po të punojë mund të luajë pa frikë në Bundesligë.