Post
by fpjalmi » Sat, 07 Feb 2009 , 18:49
Ari Han: “Edhe unë e kam ëndërr Botërorin”
“Nëse nuk ëndërron në jetë, është njësoj sikur nuk jeton. Edhe unë kam ëndrrat e mia, dhe ato lidhen me futbollin. Shqipëria në Botërorin 2010? Këtë përgjigje mund ta them vetëm pasi të mbyllim ndeshjen me Maltën”
Si një profesionist i vërtetë dhe me një “llogaritar” i mirë, trajneri i përfaqësueses shqiptare, holandezi Ari Han, e përshkroi vitin e tij të parë me kuqezinjtë, 2008-n, si të suksesshëm, ndërsa shprehu bindjen se dhe 2009-a do të ketë të njëjtat ngjyra rozë.
“Nëse nuk ëndërron në jetë, është njësoj sikur nuk jeton. Edhe unë kam ëndrrat e mia, dhe ato lidhen me futbollin. Shqipëria në Botërorin 2010? Këtë përgjigje mund ta them vetëm pasi të mbyllim ndeshjen me Maltën”, - tha duke qeshur Han gjatë konferencës së tij për shtyp në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Futbolli jeton në Shqipëri”
Han e vlerësoi me optimizëm praninë e jashtëzakonshme të medias në konferencën e tij për shtyp. “Kjo do të thotë se futbolli në Shqipëri jeton”, -tha ish-trajneri i Kinës aziatike dhe Kamerunit afrikan. “Dëshiroj t’i kthehem pak së shkuarës sime me Kombëtaren shqiptare, vitit 2008, duke i bërë atij një përmbledhje. E fillova punën me grumbullimin në Turqi. Më ndihmoi për të krijuar përshtypjen e parë për kualitetin e futbollistëve shqiptarë, duke krijuar edhe idenë fillestare për futbollin shqiptar. Kjo më ndihmoi që në vazhdimësi të punoj mirë”.
“Nuk filloi mirë”
“Ju e dini shumë mirë, që futbolli shqiptar në arenën ndërkombëtare e nisi vitin me shumë probleme, për shkak të pezullimit nga FIFA. Kjo situatë për mua nuk ishte e favorshme, - theksoi dyherë nënkampioni i botës me Holandën, - pasi nuk munda të organizoj gjatë asaj kohe asnjë ndeshje testuese, pasi ato u ndaluan, duke humbur miqësoret me Moldavinë dhe Arabinë Saudite. Për fat të mirë problemet u zgjidhën, pavarësisht se zgjati shumë në kohë, teksa rrezikuam të moszhvillonim edhe miqësoren me Poloninë (humbëm 0-1, 27 maj 2008). Edhe kundërshtarët tanë nuk ishin të sigurt atëherë, nëse ne do të luanim kundër tyre apo jo”.
“2008-a, vit i suksesshëm”
“I parë në tërësi viti 2008, mund ta konsideroj një vit të suksesshëm, duke e parë atë me kënaqësi. Fituam ndeshjen miqësore me Lihtenshtejnin (fituam 2-0, 20 gusht 2008 ). Kjo ishte e rëndësishme për lojtarët, për besimin që ata krijuan në veten e tyre, pasi kishte kohë që Shqipëria nuk fitonte (miqësorja me Maltën, 3-0, 22.08.2007). Kjo na dha një shtytje të re për t’i filluar mirë eliminatoret. Morrëm katër pikë në dy ndeshjet e para (barazim 0-0 me Suedinë, fitore 3-0 me Maltën). Për fat të keq në Hungari humbëm (2-0), edhe pse 45 minutat e para luajtëm shumë mirë (0-0)”, - tha Han, duke rishprehur keqardhjen për humbjen në Budapest, sidomos përballë teknikut tjetër holandez Ervin Koeman.
“Treguam se kemi skuadër”
“Më pas erdhi Portugalia (0-0), - vazhdoi rrëfimin e tij kampioni i madh i Ajaksit, - ku skuadra shqiptare dëshmoi karakter të madh, mentalitet të mirë, duke treguar se ishte një ekip i vërtetë. Secili nga lojtarët u mundua, sidomos në 45 minutat e dyta, kur skuadra mbeti me dhjetë lojtarë pas largimit të Admir Telit me të kuqe, pas dy kartonëve të verdhë. Njëra prej tyre ishte e pamerituar. Pati një eufori të madhe pas kësaj ndeshje. Ndeshja miqësore me Azerbajaxhanin (1-1, në Baku) pati dhe skena të paturpshme nga gjyqtari, pasi luajtëm në pjesën e dytë me 10 lojtarë (Beqiri u ndëshkua me karton të kuq)”.
“Gjithçka është e mundshme”
“Më e rëndësishmja që unë dua të them nga dy ndeshjet e fundit, është fakti se treguam karakter dhe besoj se e ardhmja, që është dhe me e rëndësishmja, dëshmoi se ne jemi të bindur pas dy ndeshjeve në fushë të huaj, jemi të aftë të përballojmë kundërshtarin, kur shikon se të gjithë i ke kundër teje e sjell në shtëpi rezultatin që dëshiron, atëherë e them se këto cilësi skuadra duhet t’i përsërisë edhe në vitin 2009. Gjithçka është e mundshme për Shqipërinë nëse do të tregojmë të njëjtin mentalitet dhe motivim. Duhet të besojmë shumë tek këta lojtarë”, - shtoi Han.
“Malta, jo e lehtë”
“Kemi ndeshjen e parë kundër Maltës. Nëse dikush mendon se në do të fitojmë lehtësisht 2-0 apo më thellë, unë nuk e mendoj kaq të thjeshtë punën. Edhe ndeshja kundër Maltës në Shqipëri, edhe pse përfundoi 3-0 nuk ishte aq e lehtë sa tregon rezultati, duke parë dhe zhvillimin e takimit në fillim të pjesës së parë dhe të dytë. Gjithsesi, unë them, - theksoi Han, - se viti 2009, me këtë skuadër, ashtu si ajo është ndërtuar, me lojtarë që e njohin mirë lojën e njëri-tjetrit, duhet të vazhdojmë më tej për të arritur rezultate të mira”
“Besoj te ky grup”
“Gjithmonë ka pyetje në lidhje me lojtarët e thirrur, por unë dua të theksoj se besoj te i njëjti grup futbollistësh që luajnë prej një kohë të gjatë së bashku. Natyrisht, që kemi pasur probleme me dëmtimet e Lorik Canës e Altin Lalës, apo ato të Bogdanit e Beqajt që nuk kanë luajtur pak, apo futbollistët në Ukrainë (Dallku, Curri, Bulku) që nuk luajnë për shkak të ndërprerjes së kampionatit, apo Salihi në Austri. Unë dua të them ndershmërisht se besoj te ky grup, të luajë së bashku për hir të së kaluarës, por dhe të ardhmes. Probleme ka gjithmonë, edhe sikur Cana apo Lala të ishin. Skuadra duhet të jetë në gjendje të marrë rezultat pozitiv. Unë mendoj se lojtarët e thirrur janë të rëndësishëm”
--------------------------------------------------------------------------------