Dyfishohen premiot për një fitore ndaj Maltës
»
•
Jetmir Halilaj
Malta cilësohet kundërshtari më i lehtë në grupin 1, por në rast fitoreje kuqezinjtë do të përfitojnë nga pesë mijë euro secili. Lajmin e kanë bërë të ditur burime zyrtare pranë institucionit të futbollit. Krerët e FSHF-së po projektojnë shpërblime super, në rast se do të merren tri pikët në transfertën e radhës, që do t’i lejonte Shqipërisë të ngjitej sërish në krye të grupit.
Frika
Në ndeshjen e radhës nuk duhet të diskutohet fitorja, për shkak edhe të nivelit të kundërshtarit dhe për të shmangur ndonjë rezultat tjetër, drejtuesit e federatës po mendojnë t’i motivojnë maksimalisht lojtarët. Nga FSHF bëhet e ditur se shuma që do të përfitohet në rast se merren tri pikët, do të jetë thuajse dyfish nga premiot që ka miratuar Komiteti Ekzekutiv i këtij institucioni. Ndërkohë, është miratuar që në fillim të edicionit se lojtarët e skuadrës përfaqësuese të futbollit, për çdo fitore në transfertë do të paguhen nga 3 mijë euro secili. Duke parë rëndësinë e ndeshjes, si dhe duke llogaritur pasojat që mund të sjellë një barazim, apo humbje ndaj kësaj skuadre, drejtuesit e FSHF-së, po mendojnë që të karikojnë sa më shumë futbollistët.
Lojtarëve do t’u komunikohet zyrtarisht para ndeshjes shpërblimi i vënë në dispozicion nga federata, me qëllim që të japin maksimumin në fushën e lojës.
Portugalia
Nuk është vetëm Shqipëria, ajo që thuajse dyfishon shpërblimet për ndeshjet e radhës. Edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Portugalisë, ka propozuar që lojtarëve t’u dyfishohen shpërblimet për të gjitha ndeshjet e mbetura. Duke parë rezultatet zhgënjyese të skuadrës së drejtuar nga Karlos Keiroz dhe rrezikun që luzitanët mund të mos kualifikohen në Botëror, federata e këtij vendi ka vendosur që t’i motivojë futbollistët e saj me premio. Në uebsajtin portugez
www.jn.sapo.pt, thuhej se pas barazimit ndaj Shqipërisë më 16 tetor, drejtuesit e Federatës Portugeze i druhen shumë eliminimit, ndaj po shqyrtojnë të gjitha mundësitë për t’i karikuar sa më shumë lojtarët e tyre. Shifra për çdo fitore për secilin lojtar mendohet të jetë rreth 20 mijë euro. Portugalia renditet në vendin e katërt në grup me pesë pikë, po aq sa ka edhe Shqipëria që renditet në vendin e pestë.
Jahmir Hyka, jashtë ndaj Maltës
Jahmir Hyka, mesfushori i talentuar i përfaqësueses shqiptare, sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë i grumbulluar për ndeshjen kundër Maltës. Lajmin e konfirmojnë burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Futbollisti i Mainc 05 gjatë fazës së parë të sezonit ka luajtur shumë pak me skuadrën e tij dhe duke parë konkurrencën e madhe në mesfushë, duket se ai nuk bën pjesë në planet e Ari Hanit për këtë takim. Ndërkaq, në listën e 18 lojtarëve që tekniku i përfaqësueses holandeze do të publikojë pas pak ditësh, pritet të ketë edhe surpriza të tjera.