Post
by Miri » Wed, 07 Jan 2009 , 18:22
Adoleshentja besimtare vetëhelmohet, i la nënës mesazhin e lamtumirës
Nënë, lutju Zotit gjithmonë për mua”. Këto kanë qenë fjalët e fundit të një 16-vjeçareje që ka lënë në letrën e lamtumirës për nënën e saj, pak minuta para se të ndërronte jetë. S.B., nga fshati Hot i Ri, në Komunën Rrethina të Rrethit të Shkodrës, pasi ka pirë një sasi të konsiderueshme ilaçesh, ka gjetur vdekjen dje në spitalin rajonal, në rrethana misterioze. Burimet zyrtare të policisë së qarkut flasin për një vetëhelmim të adoleshentes, e cila dyshohet se ka qenë besimtare.
Ngjarja
Vetëvrasje në rrethana rrëqethëse e një vajze vetëm 16-vjeçare në Shkodër. S.B., lindur e banuese në fshatin Hot i Ri, i ka lënë një letër nënës së saj dhe më pas ka gëlltitur një sasi ilaçesh duke i dhënë fund jetës. “Nënë, unë po iki nga kjo botë. Të lutem për një gjë, mos mbaj zi për mua. Të lutem bëj diçka për mua: lutju Zotit gjithmonë”. Ky është teksti i letrës që adoleshentja shkodrane i ka lënë nënës së saj, letër që është gjetur nga nëna e tmerruar dhe që më pas është sekuestruar nga policia si provë materiale. Nga hetimet e para ka rezultuar se 16-vjeçarja ka kryer aktin e vetëhelmimit në mesditën e së hënës dhe në orën 12.40 është dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, në gjendje të rëndë për jetën.
Vajza është shtruar në repartin e reanimacionit ku mjekët konstatuan përhapje të helmit në organet jetësore të adoleshentes, si pasojë e vetëhelmimit. Për shkak të gjendjes kritike, e vogla ndërroi jetë në orën 13.45 të ditës së djeshme, megjithë përpjekjet e bëra nga mjekët për të shmangur vdekjen e dëshiruar.
Shkaqet
Duke folur për hetimet, policia e Shkodrës konfirmoi se “nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera, rezultoi se e mitura nuk vuante nga ndonjë sëmundje dhe në kohën e kryerjes së aktit, për t’i dhënë fund jetës, nuk ka pasur asnjë pjesëtar të familjes në banesë. E ndjera kishte lënë dhe një letër, ku i lutej nënës të mos mbante zi për të dhe t’i lutej Zotit gjithmonë. Materialet policore i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit të Shkodrës. Policia tha se janë disa pista hetimi, njëra prej të cilave përfshirja e mundshme në një sekt fetar me pasojë ndikimin në nxitjen e vetëvrasjes. Gjithashtu po hetohet edhe pista e vetëvrasjes në kushte të depresionit për shkaqe personale të 16-vjeçares.