Post
by Miri » Sat, 11 Oct 2008 , 10:35
Turp! Kombëtarja U-19 poshtërohet 5-0 nga Serbia
Në Belfast të Irlandës po zhvillohen ndeshjet eliminatore të europianit mes kombëtareve U-19. Në to merr pjesë edhe Shqipëria, e drejtuar nga trajneri Ramadan Shehu. Në fakt, ndeshjen e parë, kuqezinjtë tanë deri në moshën 19-vjeç e kanë humbur thellëisht, 3-0, ndaj Anglisë, por poshtërimi ka ardhur të premten, me Serbinë, ku janë mposhtur thellësisht, 5-0. Më shumë se humbje sportive, ky është një poshtërim i kombëtares sonë të kësaj moshe, me trajner Ramadan Shehun, i cili, duhet thënë se gjatë shumicës së kohës në krye të U-19 është kthyer nga evenimente të tilla me një thes me gola në shpinë. Para ndeshjes me Serbinë, shumë komentues në gazetën “Sporti shqiptar” online tërhiqnin vëmendjen se mund të mposhteshim, ngaqë trajneri Ramadan Shehu nuk kishte thirrur lojtarët më të mirë, por përzgjedhja e tyre linte vend për dyshime. Duke qenë se bëhej fjalë për një ndeshje të shumëfishtë me Serbinë, kur dihen problemet mes shqiptarëve, veçanërisht atyre të Kosovës, dhe serbëve, humbja shokuese 5-0 merr përmasa tragjike për sportdashësit e vërtetë, por ndoshta jo drejtuesit e federatës, të cilët duhet ta shkarkojnë pa ardhur akoma në Tiranë trajnerin Ramadan Shehu. Të pësosh 8 gola në dy ndeshje, do të thotë se vetëm kombëtare nuk je, as ekip amator jo. Dhe për këtë gjë, pa diskutim që përgjegjësia e parë bie mbi trajnerin Ramadan Shehu. Nuk besojmë se një humbje e tillë me Serbinë mund të kalohet si të tjerat e kësaj kombëtareje, ndryshe reagimi i tifozëve do të ishte i ashpër, sidomos i atyre nga Kosova, që shquhen për mbështetjen e pakufishme karshi fanellës kuqezi. Pikërisht kjo e fundit, fanella kuqezi, është poshtëruar nga kombëtarja U-19 dhe trajneri Ramadan Shehu, prandaj duhen marrë masa drastike nga FSHF-ja, nëse edhe ajo nuk e lejon veten të poshtërohet nga Serbia. Ky është një turp, që nuk mund të hahet me bukë, sikurse thotë me ironi populli shqiptar. Një turp i tillë u ul kokën të gjithë shqiptarëve, prandaj duhen bërë shembull përgjegjësit. Një orë e më pare. Ndryshe, fjalën duhet ta marrin vetë tifozët kuqezinj.