Post
by vllaznia1919 » Tue, 18 Oct 2005 , 13:27
Trajnerit dhe lojtarëve të Paris SG u ka dalë gjak nga hundët nga era e rëndë para fillimit të takimit
Humbja, amoniak në dhomat e parizienëve
Goli i Lorik Canës i dha fund serisë prej 10 ndeshjesh negative të Olimpikut të Marsejës ndaj kryeqytetasve
Fitorja e Olimpikut të Marsejës ndaj Paris SG, me rezultatin minimal 1-0, ka qënë në qendër të shtypit francez ditën e djeshme. Mediat vendase, por edhe ato europiane, kanë nënvizuar sidomos faktin se goli i fitores u shënua nga Lorik Cana, futbollisti që në të shkuarën ka milituar në radhët e PSG-së dhe që këtë verë kaloi në “Velodrome”. “Goli i Canës thyen rekordin e Parisit”, ishte titulli kryesor në disa prej gazetave më të mëdha të Francës, të cilat i referoheshin faktit se Marseja kishte 10 ndeshje pa fituar kundër kryeqytetasve. Ndërkaq, e përditshmja prestigjioze e këtij vendi, “L’Equipe”, kishte nënvizuar faktin se falë golit të mesfushorit të kombëtares shqiptare, Lioni është tashmë pa asnjë rival dhe i shkëputur me 7 pikë në krye të Ligës së Parë franceze. Një tjetër detaj i rëndësishëm i ndeshjes, ka qënë edhe gëzimi i kosovarit, i cili pavarësisht se shënoi kundër ish-skuadrës së tij, festoi pa asnjë druajtje. Cilësimi “tradhtar” nga ana e tifozëve të PSG-së, duket se i ka krisur përfundimisht marëdhëniet midis tij dhe kryeqytetit francez. Sipas shtypit francez, gjërat u vështirësuan edhe më shumë për trajnerin Furnier kur goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Lorik Cana, mesfushori që ishte cilësuar si i padobishëm nga vetë tekniku parizien, i cili në rolin e tij nisi të aktivizonte Bamii në fillimin e edicionit. PSG kishte që në prill të vitit 2002, plot 10 ndeshje, që nuk humbiste me Marsejën.
Erë e rëndë në dhomat e zhveshjes
Futbollistët e Paris SG ishin të detyruar të braktisnin dhomat e zhveshjes ditën e dielë në mbrëmje. Shkak për këtë ka qënë një erë e rëndë e përhapur në dhomat e tyre, megjithatë trajneri Lorent Furnier i urdhëroi djemtë e tij të mos ankoheshin për asgjë në përfundim të takimit që përfundoi 1-0 për rivalët e përjetshëm të Marsejës. Gjërat nisën në mënyrën më të keqe për Furnier, pasi dhomat e zhveshjes së lojtarëve të tij u bënë që para fillimit të ndeshjes e pabanueshme, aq sa Canal Plus në Francë nënvizoi dje se vetë trajnerit dhe disa lojtarëve u kishte dalë gjak nga hundët. “Kur shkuam në dhomat e zhveshjes ishte një erë e fortë amoniaku”, shpjegoj drejtori sportiv i PSG-së, Zhan Mishel Mutier. “Sytë tanë ishin të skuqur më shumë se fanelat, nuk mund të rrinim dot aty”, tha më tej ai. Ndërkaq, tekniku Furnier ishte shumë i nevrikosur në fund të ndeshjes me incidentin. “Ndeshja ishte e vështirë edhe pse krijuam shumë raste për të shënuar. Futbollistët e mi bënë gjithçka që mund të bëhej në rrethana të tilla. Megjithatë, ne nuk do të dorëzohemi, pavarësisht kësaj humbjeje. Ne jemi të dytët pas Lionit dhe do ta mbrojmë poziconin tonë në ndeshjen e së shtunës, kur do të kemi përballë Nansin”, tha tekniku parizien. Për presidentin e Olimpikut të Marsejës, Pape Diuf, fajtor për erën e amoniakut nuk ishte klubi i tij. “Ne i kishim pastruar dhomat e zhveshjes, si tonat, ashtu edhe të PSG-së, me të njëjtin pluhur. Megjithatë futbollistët tanë shkuan më përpara aty dhe patën kohë që ta ventilonin. Gjithësesi, unë shkova tek dhomat e parizienëve bashkë me shefin e policisë dhe u thashë nëse donin që të hetonim për këtë problem”, tha ai. Përsa i përket takimit, portieri i PSG-së Zherom Alonso këmbëngul në faktin se paraqitja e skuadrës ishte perfekte, pavarësisht golit të Canës. “Do të kishte qënë komplet ndryshe sikur ne të kishim shënuar të parët. Mbetem i bindur se dhamë një paraqitje të bukur. Kishim shumë raste, por gabuam në finalizim. Fabian Bartez bëri dy pritje shpëtimtare në fillim të ndeshjes. Kjo është hera e parë në katër vjet që largohemi pa pikë nga “Velodrome”. Megjithatë, kjo do të ndodhte një ditë”, u shpreh portieri parizien.