Intervista

Lajme te fundit nga Vllaznia

Moderators: GOLDIAN, Miri, vllaznia1919

Post Reply
vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Mon, 12 Sep 2005 , 13:42

Patushi: Vllaznia do ta ruajë ritmin

Fitorja e dy ditëve më parë ndaj Shkumbinit, më shumë se për pesë golat e saj, ka shërbyer për t'i dhënë pikët e para ekipit shkodran. Presioni ndaj ekipit ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë fillim kampionati dhe për rrjedhojë ndaj peqinasve nuk ka qenë e lehtë të fitoje. Të paktën kështu ka ngjarë edhe në 45 minutat e para, ku me gjithë presionin e shkodranëve, goli nuk doli në dritë. Loja e kuqebluve nuk ka qenë ajo e duhur dhe për rrjedhojë repartet nuk kanë funksionuar ashtu si duhet. Sulmi ishte i shkëputur nga repartet e tjera dhe protagonist kryesor i rasteve për Vllazninë në këtë pjesë loje ka qenë mesfushori Saimir Patushi. Në harkun kohor të minutave 20-24 ai ka goditur tri herë portën kundërshtare dhe në dy prej këtyre rasteve topi është përplasur në traversë. Ndoshta fati nuk ka qenë me futbollistin matjan në këtë ndeshje, por vetë Patushi nuk duket i shqetësuar me këtë fakt. "E rëndësishme për ne ishte të fitonim. Nuk kishte shumë rëndësi nëse do të shënoja unë, apo jo. Fati ndoshta këtë herë ishte me ne, ngaqë nuk na e çoi dëm lojën e zhvilluar dhe u kurorëzuam me tri pikët. Jo pa qëllim po përmend fatin, pasi në 2 ndeshjet e para ai na i ka mohuar pikët,"thotë Patushi. Vllaznia tashmë e ka lënë vendin e fundit të renditjes dhe pikët e para janë marrë. Ajo çfarë i duhet tani skuadrës është përqendrimi maksimal te ndeshja e radhës, ajo kundër Lushnjës. Këtë e di mirë edhe Saimir Patushi, kur shprehet: "Tashmë fitoren e parë e arritëm. E rëndësishme është të mbajmë ritmin, prandaj medoemos që në Lushnjë duhet sërish të marrim pikë, për të dalë pastaj gradualisht në pretendimet tona." Ndërkohë, ndaj Shkumbinit, ekipi shkodran ka vazhduar të luajë me të njëjtën skemë si edhe në ndeshjet e tjera, pra me 4-4-2. Vetë Patushi ka qenë një ndër futbollistët që e ka përkrahur këtë vendosje të trajnerit Haxhiosmanoviç. Sipas Patushit, nuk ka shumë rëndësi skema, e rëndësishme është që skuadra të luajë në bllok, me grintë dhe me siguri që, po të ndodhë kjo, edhe rezultatet do të vijnë. "Ne e kemi të qartë se prej nesh priten rezultate sa më të mira për të kënaqur tifozët e mrekullueshëm shkodranë, por edhe presidencën e klubit, e cila ka shpenzuar shumë për të ndërtuar një skuadër pretendente. Vllaznia patjetër që duhet të renditet në tri vendet e para të renditjes dhe të synojë më pas fitimin e trofeve,"ka thënë në fund mesfushori i Vllaznisë, Saimir Patushi,

Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Ndreka: Gola të tjerë për Vllazninë

Post by Admin » Tue, 13 Sep 2005 , 12:42

Pas tri ndeshjesh me fanellën kuqeblu, ka ardhur edhe goli i parë për futbollistin Henri Ndreka. Një gol i shënuar ndaj Shkumbinit, që ka përforcuar rezultatin, që më pas do të thellohej edhe më shumë, për të përfunduar në shifrat 5-0. Duke u ndalur te goli i mbrojtësit shtatlartë, duhet përmendur fakti që vetë ai i është gëzuar shumë shënimit të tij. Duke folur në lidhje me këtë moment, vetë protagonisti i shënimit të tij ka thënë: "Natyrisht që të shënosh është kënaqësi për çdo futbollist. Aq më tepër që për mua ky ishte goli i parë me fanellën e Vllaznisë. Jam i bindur se kam për të shënuar edhe shumë herë të tjera sivjet, duke bërë që me këto gola të kontriboj edhe unë në arritjen e rezultateve pozitive për skuadrën." Ndonëse në pamje të parë skuadra shkodrane e ka arritur lehtë fitoren ndaj peqinasve, nuk ka qenë krejt kështu. Pjesa e parë nuk ka qenë në nivelin e duhur për kuqeblutë, të cilët të ngarkuar edhe nga ana psikologjike, si pasojë e mungesës së rezultateve pozitive, nuk kanë arritur të dalin në lojën e tyre. Por goli i shënuar që në minutën e 2-të të pjesës së dytë nga Sinani, si dhe më pas goli i Ndrekës pas disa minutash të tjera, do të mbyllnin gjithçka. Një fitore që i ka kënaqur shkodranët, që më në fund e shohin veten me pikë në kampionatin e ri pas 270 minutash lojë. Për Ndrekën, që është duke luajtur në krahun e djathtë të mbrojtjes me 4 lojtarë, rezultatet e skuadrës tani do të vijnë në rritje dhe nga java në javë në fushë do të shihet Vllaznia e vërtetë. "Besoj se tashmë u zhbllokuam. Ishte e rëndë ta pranonim që kishim mbetur pa asnjë pikë pas 2 ndeshjesh, ndonëse i kishim dominuar të dy takimet, si me Tiranën, ashtu edhe me Teutën. Kështu që na duhej medoemos ndaj Shkumbinit për të thyer akullin e pikëve dhe më pas për të nisur nga pretendimet tona," - ka shtuar më tej lezhjani 21-vjeçar. Ndërkohë, sa i takon formës së tij, duhet thënë që Ndreka është duke u shfaqur i plotë në fushën e lojës me vetitë më të mira të tij. Kapiteni i ekipit përfaqësues Shpresa ka arritur formën e tij më të mirë dhe tashmë së bashku me shokët e tij të skuadrës do të kenë për detyrë ngjitjen e shkallëve të renditjes për Vllazninë. Ai e ka të qartë se një gjë e tillë fillon nga kjo javë, kur skuadra do të luajë në trasfertë kundër Lushnjës, prandaj dhe thotë: "Nëse i morëm pikët e para, tani detyra jonë është më e vështirë. Na duhet të sigurojmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë realitet ngjitjen në tabelën e renditjes në vendin që i takon Vllaznisë. Për këtë arsye, në Lushnjë na pret një ndeshje shumë e vështirë, por ne patjetër që objektiv të vetëm duhet të kemi fitoren. Vetëm në këtë mënyrë mund t'i arrijmë objektivat tona."
Vllaznit Ultras

Image

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 14 Sep 2005 , 13:37

"Deda": Vllaznia nuk e ndryshon skemën

Njeriu që drejton skuadrën shkodrane për të tretën herë, pikërisht trajneri malazez Dervish Haxhiosmanoviç, është i vendosur për të mos ndryshuar skemë, apo thënë më mirë, mendim sa i takon mënyrës së lojës me të cilën do të luajë skuadra që ai drejton. Vllaznia, edhe pse mund të ketë pasur kundërshtime brenda ekipit, do të vazhdojë të luajë me skemën 4-4-2. Një vendosje kjo që përfaqëson futbollin modern, por që herë pas here nuk aplikohet ashtu si duhet nga futbollistët kuqeblu. Por përderisa presidenca i ka dhënë atij "ok"-in e vazhdimësisë, atëherë vetë Haxhiosmanoviçi duket se ka në mendje ta bëjë punën ashtu si di vetë. Kjo gjë shihet edhe në fjalët e fundit, kur i pyetur në lidhje me skemën që do të vazhdojë të përdorë Vllaznia, ai është përgjigjur: "Nuk ka pse të ndërrojmë skemë, aq më tepër kjo nuk bëhet tani kur kampionati ka filluar. Një skuadër futbolli luan me atë skemë që ka praktikuar gjatë fazës përgatitore dhe ne po luajmë me 4-4-2. Unë kështu mendoj dhe jam i bindur në idetë e mia, pasi Vllaznia duhet të luajë një futboll modern dhe jo një lojë sa për të marrë rezultatin. Ky është mentaliteti im dhe do të mundohem ta zbatoj deri në fund." Kjo është deklarata e "Dedës", por në të vërtetë disa prej kuqebluve nuk e "kapërdijnë" si duhet lojën në vijë të drejtë në mbrojtje. Skuadra në të vërtetë duket të jetë e ndarë në dy grupe, ku në njërën anë janë ata lojtarë që mendojnë se skema 4-4-2 është shumë e rrezikshme dhe, meqë Vllaznia nuk i ka lojtarët e duhur për ta aplikuar atë, duhet kaluar në skemën 3-5-2. Ndërkohë, një pjesë e mirë e ekipit mendon se mes dy skemave nuk ka ndonjë ndryshim të madh dhe përderisa trajneri mendon të luajë me katër mbrojtës në vijë të drejtë, nuk ka pse të mos luhet kështu. Një nga mbështetësit e trajnerit Haxhiosmanoviç është dhe mesfushori Saimir Patushi, i cili duke folur në lidhje me këtë çështje është shprehur: "Për mua nuk ka rëndësi se me cilën skemë do të luajmë. E rëndësishme është që të japim maksimumin, repartet të luajnë në bllok dhe me grintë. Po të ndodhë kështu, jam i bindur se nuk ka për të qenë problem se si do të luhet." Por meqë trajneri thotë që nuk ndërroj skemë, ngaqë kështu janë përgatitur gjatë fazës përgatitore, a do të jetë më ndryshe këtë javë, kur do të mungojnë dy apo tre futbollistë të formacionit bazë? Malazezi thotë "jo", sepse kërkon ta çojë deri në fund idenë e tij. Këmbëngulja e tij duhet përkrahur, pasi është e treta herë që ai drejton Vllazninë dhe në dy herët e kaluara që e ka provuar këtë gjë, nuk ia ka arritur ta çojë deri në fund. Kjo është e treta e vërteta dhe me siguri, nisur nga mënyra se si e ka përgatitur skuadrën, mund t'ia dalë mbanë. Gjithnjë nëse nga ekipi nuk do ketë ndonjë "revoltë" për të kundërshtuar këtë gjë, apo gjithnjë nëse skuadrën e ndjekin pas edhe rezultatet pozitive.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 14 Sep 2005 , 13:38

Trajneri, sytë nga Abilio dhe Leandro
Gjatë kësaj kohe që drejton kuqeblutë, Haxhiosmanoviçi e ka vuajtur mungesën e Abilios në veçanti, apo edhe të Leandros, si dhe të Licit. Këta tre emra malazezi i ka përmendur shpesh, duke shprehur më se një herë dëshirën që do të kishte pasur që këta lojtarë t'i kishte në dispozicion. Dhe kuptohet, lajmi i fundit që ka mbërritur për një rikthim të mundshëm të dy brazilianëve në Shkodër, e ka entuziazmuar pa masë "Dedën". Ai e pret me padurim bashkimin e këtyre dy lojtarëve me skuadrën që drejton dhe madje ka filluar të bëjë edhe planet se si do ta ndërtojë formacionin pas ardhjes së tyre. Kur e ngacmon për këtë çështje, ai të përgjigjet shkurt: "Eh, po të vinin edhe Abilio e Leandro, atëherë do të shikoni Vllazninë e vërtetë."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 16 Sep 2005 , 13:31

Kuli: Vllazni, ki kujdes nga Lushnja!

Në sezonin e kaluar luajti edhe me Lushnjën, prandaj është dhe njohësi më i mirë i kësaj skuadre ndër të gjithë pjesëtarët e kuqebluve të Vllaznisë. Kavajasi Bekim Kuli ka qenë një nga pjesëtarët e formacionit bazë të "lagunarëve" edhe kur këta të fundit mundën sezonin e kaluar shkodranët. Sipas vetë atij, mënyra se si e përgatit Lushnja pragndeshjen kundër Vllaznisë është tepër e veçantë. Dhe në jo pak raste ajo ka arritur të jetë dominuese mbi të, madje skuadra veriore shpeshherë ka qenë e dërrmuar në këto ballafaqime. "Kam luajtur sezonin e kaluar me Lushnjën dhe ndoshta gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje ka qenë mënyra se si kjo skuadër përgatitej për ndeshjen me ekipin shkodran. Angazhim maksimal, vlerësim dhe përkushtim si në asnjë takim tjetër dhe për rrjedhojë kjo gjë i jepte frytet e veta. Për lushnjarët, një fitore kundër Vllaznia sillte gëzim të madh,"thotë një ish-pjesëtar i ekipit myzeqar, Bekim Kuli. Por tani "portat" janë ndërruar. Kuli ka ndërruar skuadër dhe tashmë do t'i duhet të bëjë më të mirën për ekipin e tij aktual. Por meqenëse ka luajtur sezonin e kaluar në "Roza Haxhiu" dhe e njeh ambientin aty, kavajasi mundohet të luajë edhe rolin e këshilluesit për shokët e skuadrës për mënyrën se si duhet ta përgatisin këtë ndeshje, prandaj shton: "Për ne është një ndeshje shumë e vështirë. Na duhet medoemos të mos dalim të humbur nga Lushnja, por edhe vendësit do të kenë të njëjtin motiv. Ata, përveçse nuk e kanë provuar ende shijen e fitores në këtë kampionat, siç e thashë, përballja me Vllazninë është një motiv më tepër për ta. Natyrisht, nuk do jetë e lehtë për ne, aq më tepër që kemi edhe mungesa në formacion, por gjithsesi duhet të bëjmë më të mirën. Të luajmë të qetë dhe të mundohemi të gabojmë sa më pak të jetë e mundur, në mënyrë që pastaj të shfrytëzojmë rastet që do të na paraqiten." Për të është ndeshja e katërt në formacionin shkodran dhe, megjithëse ka luajtur në repartin ofensiv, ai ende nuk ka arritur të gjejë dot rrugën e golit. Një gjë e tillë natyrisht që e mundon futbollistin kavajas, por ai vetë e shpjegon këtë gjë edhe me mënyrën e të luajturit të skuadrës. Njëkohësisht zhvendosja e tij në mesfushë ka pasur ndikimin e vet për të qenë më larg portës. Nga ana tjetër, sa i takon ndeshjes të së dielës me ish?skuadrën e tij, Bekim Kuli ende nuk e ka të qartë se ku do aktivizohet nga ana e trajnerit Haxhiosmanoviç. "Deri në këto momente ende nuk e di me saktësi se ku do të luaj. Ndoshta në sulm përkrah Sinanit, mbase në mesfushë në krahun e djathtë, por nuk përjashtohet mundësia që trajneri të më vendosë edhe në qendër të mesfushës në vendin e Belishës. Pavarësisht se ku do të luaj, unë natyrisht që do të angazhohem në maksimum për të dhënë më të mirën që skuadra ta kalojë me sukses këtë provë të vështirë,"ka thënë në fund të prononcimit të tij futbollisti i Vllaznisë, Bekim Kuli.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 17 Sep 2005 , 12:43

Doçi: Në Lushnjë, të paktën të mos pësojmë gol

Ndeshja me Lushnjën natyrisht që ka pasur brenda edhe problemet e veta sa i takon ndërtimit të formacionit për Vllazninë. Mungesat e deklaruara të Belishës dhe Kapajt kanë prishur jo pak punë, megjithatë shkodranët janë duke u përgatitur seriozisht për ndeshjen e së dielës. Objektivi është i qartë: për të mos dalë pa pikë nga "Roza Haxhiu". Natyrisht, një objektiv i tillë nuk do jetë i lehtë, por kuqeblutë e kanë të qartë misionin e tyre. Mbi të gjitha duhet siguruar barazimi, për të synuar pastaj edhe fitoren. Një gjë është e sigurt, Vllaznia do të luajë me shumë kujdes në mbrojtje. Këtë e di mirë edhe njëri prej titullarëve të formacionit të trajnerit Haxhiosmanoviç, pikërisht mbrojtësi Edmond Doçi, i cili shprehet: "Jemi të vendosur për të bërë më të mirën në këtë ndeshje. Natyrisht që ato pikë që kemi lënë në dy ndeshjet e para na kanë dëmtuar shumë, por tani do të mundohemi t'i rikuperojmë. E kemi të qartë se në Lushnjë na pret një ndeshje shumë e vështirë, por ne do të bëjmë maksimumin tonë, në mënyrë që të marrim ç'të jetë e mundur nga kjo ndeshje. Pavarësisht se si do të luajmë, një gjë është e qartë: secili prej nesh duhet të zbatojë me përpikëri detyrat e trajnerit. Edhe për mua nuk ka shumë rëndësi nëse luaj në mbrojtje, apo në mesfushë. E sigurt është që loja jonë në prapavijë të jetë shumë e kujdesshme, në mënyrë që të paktën të mos pësojmë gol. Po ta mbyllim ndeshjen me shifrën zero të golave të pësuar, natyrisht që është bërë mirë gjysma e punës, duke shpresuar pastaj që edhe sulmi ta kryejë më së miri detyrën e tij. Në Lushnjë, këto vitet e fundit nuk kemi arritur rezultate të mira. Ndoshta ka ardhur momenti që ta prishim këtë traditë të keqe dhe të fitojmë atje. Kemi mungesa në formacion, por nuk besoj se kjo gjë ka për të ndikuar për keq në lojën tonë,"-nënvizon Doçi.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 20 Sep 2005 , 14:27

Çela: Vllaznia pretendon më tepër se kaq

Fitorja të dielën në Lushnjë i ka ngrohur të gjithë shkodranët, në veçanti drejtuesit e Vllaznisë, të cilët në këtë mënyrë janë të kënaqur që investimi i bërë nuk po shkon kot. Rezultati 3-1 në "Roza Haxhiu", aty ku kuqeblutë sezonet e fundit kanë dalë jo rrallëherë të mundur, ka risjellë entuziazmin në kampin shkodran. Presidenti Çela, duke folur në lidhje me ngjitjen e skuadrës që ai drejton, nuk ka preferuar ta quajë kthesë këtë kapërcim të Vllaznisë nga vendi i fundit i renditjes, ku ndodhej para dy javësh, në vendin e tretë, ku është tani. "Nuk më pëlqen ta quaj kthesë. Kthesa e vërtetë e Vllaznisë ka nisur që në javën e parë të kampionatit. Ne dy ndeshjet e para vërtet i humbëm dhe për momentin u gjendëm në vendin e fundit të renditjes, por unë personalisht kam qenë i kënaqur me lojën që ekipi ka zhvilluar në ato dy takime. Fatit nuk ke se çfarë i bën, por kisha besim të madh se pa kaluar shumë kohë, skuadra do të dilte jo vetëm te loja e saj më e mirë, por edhe te rezultatet. Kjo sepse përbërja e skuadrës është, sepse jo më kot kemi zhvilluar një merkato të fuqishme sivjet,"ka thënë njëshi i klubit kuqeblu. Megjithatë, nëse bëhet fjalë për kthesë, ajo ka vetëm një emër: Lushnja. Ndonëse në deklaratat e tyre të parandeshjes futbollistët dhe drejtuesit e Vllaznisë shpreheshin entuziastë për paraqitjen në "Roza Haxhiu", sërish ekzistonte frika nëse skuadra do të paraqitej apo jo në nivelin e saj më të mirë, nisur edhe nga mungesat që kishte në formacion. Përvoja negative e ballafaqimeve të fundit nga ana tjetër shtonte dyshimin për një paraqitje si duhej të kuqebluve në atë ndeshje, aq sa shumëkush mendonte se edhe një barazim në këtë sfidë me "lagunarët" nuk do të ishte keq. Por nuk ka qenë i këtij mendimi presidenti i Vllaznisë, Agron Çela. Ai ka pasur besim të plotë te skuadra dhe për këtë thotë: "Edhe para se të luhej kjo ndeshje, kisha besim se do të fitonim. Lojtarët në vetvete nuk mund t'ia lejonin vetes një rezultat negativ në atë takim, prandaj isha i mendimit se do të jepnin më të mirën në fushë. Dhe kjo ndodhi, pavarësisht se nuk ka qenë ndeshja jonë më e mirë. Megjithatë, kemi luajtur me kujdes dhe kemi dalë me tri pikë, aq shumë të vlefshme nga Lushnja." Siç bëhet e ditur, presidenti i skuadrës shkodrane në pushimin e ndeshjes në Lushnjë ka zbritur në dhomat e zhveshjes së ekipit të tij dhe ka kërkuar t'u japë moral të tijve për të sfiduar barazimin e 45 minutave të para dhe për të synuar fitoren, çka edhe u realizua në pjesën e dytë. Në këtë mënyrë, kuqeblutë e shohin veten tashmë në ngjitje. Aktualisht mbajnë vendin e tretë në renditje, por shumë shpejt, sipas presidentit Çela, ky vend do të zëvendësohet me një tjetër më të mirë. Sipas vetë atij, nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, kur për këtë ekip është shpenzuar jo pak. "Mendoj se, nëse sot jemi në vend të tretë, nuk ka pse javën tjetër të jemi në të dytin dhe kështu të shpresojmë që një ditë të gjendemi edhe në vend të parë. Lojtarët që kemi blerë për këtë arsye janë marrë, për t'i rikthyer trofetë Vllaznisë,"shton njëshi i presidencës shkodrane. Agron Çela, duke folur gjithnjë në lidhje me merkaton, ka saktësuar edhe diçka për sa i takon problemit të dy brazilianëve të shumëpritur, Abilios dhe Leandros, teksa në fund do të shprehej: "Edhe pa këta dy lojtarë, Vllaznia do të tentojë fitimin e trofeve në këtë sezon. Por nëse vijnë edhe Abilio e Leandro, që ne i presim, ata mund të jenë një garanci më tepër për fitimin e tyre."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 21 Sep 2005 , 13:17

Sinani: Vllaznia, e sigurt drejt objektivave

Dy golat e shënuar prej tij në Lushnjë, së bashku me atë të Patushit, kanë rezultuar decizivë sa i takon fatit të Vllaznisë në këtë takim. Fitorja 3-1, përveçse i ka ngrohur shkodranët me pikët që kanë marrë, ka prishur edhe imazhin e keq të krijuar kohët e fundit në ballafaqimet me lushnjarët në fushën e tyre. Ndërkohë, kapiteni i Vllaznisë, Vioresin Sinani, është i vendosur të vazhdojë të bëjë punën e tij sa më mirë, duke shënuar për veten dhe për skuadrën, në mënyrë që ajo të arrijë objektivat që ka. Ja si shprehet sulmuesi i Vllaznisë në intervistën e tij :
Viori, kur prej të gjithë juve ndeshja me Lushnjën konsiderohej shumë e vështirë, keni arritur të fitoni me rezultat të pastër. Ka filluar kthesa e Vllaznisë?
Mendoj se kthesa jonë ka filluar që në ndeshjen me Shkumbinin. Sa i takon ndeshjes së fundit, atë me Lushnjën, në të vërtetë ashtu e kishim parashikuar këtë ndeshje, të vështirë. Dhe e tillë ishte edhe ndeshja e së shtunës, të cilën e luajtëm me shumë kujdes, për të mos dalë të humbur edhe kësaj here dhe ia arritëm.
Pas barazimit provizor të lushnjarëve në pjesën e dytë, Vllaznia ka shënuar edhe dy gola të tjerë. Kjo tregon forcën e skuadrës?
Goli shumë i bukur që shënoi Patushi na dha krahë dhe për pasojë, duke luajtur me shumë kujdes në mbrojtje, shënuam edhe golin e tretë, i cili mbylli gjithçka. Por natyrisht, të shënosh tre gola jashtë fushës tënde nuk është diçka e lehtë, prandaj dhe besoj se me këtë fakt vërtetohet ajo që Vllaznia sivjet do të jetë një skuadër që do të ecë mirë në kampionat.
Pas dygolëshit tuaj ndaj Shkumbinit, një tjetër këtë javë në Lushnjë. Këta gola vërtetojnë atë që do të jeni sërish nga kandidatët kryesorë për të fituar "Këpucën e artë"?
E kam thënë edhe më parë, për momentin nuk më intereson shumë kjo gjë. E rëndësishme është që skuadra të fitojë dhe të grumbullojë sa më shumë pikë, ndërkohë që unë do të mundohem të bëj sa më mirë detyrën time për të shënuar. Ajo që mund të them unë është se, sa i takon garës së golashënuesve më të mirë, aty kam për të qenë. Se kush do të dalë pastaj më i miri, t'ia lëmë kohës.
Cilët mendoni si rivalët tuaj në këtë garë?
Për momentin nuk mund të them se është ky, apo ai futbollist. Kampionati sapo ka filluar dhe lojtarët nuk janë ambientuar ashtu si duhet me kampionatin. Megjithatë, nuk më intereson shumë se kush do të jetë në garë për "Këpucën e artë".
Ndërkohë, kampionati ka nisur me surpriza. E mendoni të tillë edhe vazhdimin e tij, apo shumë shpejt skuadrat pretendente do të nxjerrin krye?
Ajo që mund të them është se ky kampionat ka nisur shumë më ndryshe në krahasim me kampionatet e kaluara. Nuk kemi një shkëputje të skuadrave që në javët e para, prandaj kemi këtë renditje. Por mendoj se skuadrat e njohura, si Tirana, Dinamo, apo dhe Partizani, shpejt kanë për të dalë në lojën e tyre dhe do të ngjiten, megjithëse unë si futbollist i Vllaznisë nuk ua uroj këtë gjë. Mua më intereson që këta skuadra të vazhdojnë të jenë sa më gjatë në këtë gjendje, në mënyrë që skuadra ime të ngjitet në krye dhe ta mbajë sa më gjatë këtë vend.
Skuadra juaj ndodhet aktualisht në vendin e tretë. Mendoni se pas ndeshjeve të kësaj jave do t'ia merrni vendin e dytë Besës?
Objektivi ynë ky është, megjithëse e dimë që edhe Besa jo më kot është në vendin e dytë. Por duke pasur besim te skuadra, mendoj se do t'ia dalim me sukses, për të vazhduar rrugën tonë drejt kreut.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 22 Sep 2005 , 14:47

"Deda": Vllaznia, e palëkundur për objektivat

Fitorja e fundit në Lushnjë natyrisht që e ka ngrohur. Malazezi i stolit shkodran, Dervish Haxhiosmanoviç, ndihet entuziast për skuadrën që drejton dhe, për më tepër, ka dëshirë të flasë rreth ecurisë së saj. Ndryshe nga dy javë më parë, kur ishte në prag të paraqitjes së dorëheqjes, në rast dështimi ndaj Shkumbinit, tani "Deda" duket qartë që ka besim te skuadra që drejton. Lojtarët e tij në momente të duhura po paraqesin atë karakter loje që malazezi kërkon, prandaj dhe kuptohet qartë që është i kënaqur me këtë gjë. "Në Lushnjë, ekipi përgjithësisht luajti mirë, sidomos në manovrën sulmuese, ku kemi dalë shumë shpejt në sulm. Nëse do të kishim qenë më të vëmendshëm, do të kishim shënuar më tepër gola. Megjithatë, besoj se sulmi e kreu më së miri detyrën e tij, ku përveç golave të Sinanit, do të veçoja edhe supergolin e Patushit,"ka thënë ai. Ndërkohë, nga lojtarë të veçantë, Haxhiosmanoviçi nuk ka mbetur aq i kënaqur dhe jo më kot ka paralajmëruar se në ndeshjet e ardhshme ata mund të mbesin edhe në stol. Ndër ta, numri një i skuadrës shkodrane ka përmendur vetëm Sulejmanin, sulmuesin kosovar që erdhi me shumë bujë në skuadër, por që ende nuk po e justifikon ashtu si duhet besimin që i është dhënë me lojën që është duke paraqitur në fushë. Por megjithatë, tashmë për shkodranët "oreksi" i pikëve dhe i ngjitjes në renditje ka ardhur duke u rritur. Vendi i tretë që ata aktualisht mbajnë në renditje konsiderohet momental për kuqeblutë. Për trajnerin Haxhiosmanoviç, duke nisur nga kjo javë, skuadra mund të ngjisë edhe një vend tjetër në renditje, teksa mund të ndërrojë vendet me kavajasit. "Objektivi ynë ky është, t'i ngjisim shkallët e renditjes një nga një. Jemi në vendin e tretë dhe shpresojmë që këtë javë të kalojmë në vendin e dytë, pasi për fatin tonë ndeshemi me skuadrën që mban këtë vend. Por të mos harrojmë se Besa jo më kot mban vendin e dytë. Na duhet të luajmë me shumë kujdes ndaj saj, sepse edhe ajo do të vijë për pikë në Shkodër,"shton më tej "Deda". Vendi i dytë në këtë mënyrë mund të arrihet që këtë javë. Por a ka ndonjë objektiv të qartë se kur Vllaznia do ta kapë edhe kreun e renditjes? Haxhiosmanoviçi e ka gati përgjigjen: "Ne jemi duke punuar që të marrim sa më shumë pikë. Po të ndodhë kështu, natyrisht që edhe vendin e parë do ta arrijmë shumë shpejt, duke shpresuar pastaj të mos e lëshojmë më." Megjithatë, skuadra shkodrane ka nevojë për lojtarë. Kjo kërkesë tashmë është bërë publike edhe nga ana e trajnerit malazez të saj dhe, për rrjedhojë, sytë janë drejtuar nga merkatoja e tetorit. "Na duhen edhe dy lojtarë cilësorë. Jo se me përbërjen aktuale nuk garantojmë shumë për të ardhmen, por kampionati është i gjatë dhe duhen parashikuar edhe dëmtimet apo dënimet. Kisha shumë dëshirë të kisha në skuadër Leandron dhe Abilion, por gjithsesi e rëndësishme është që në tetor presidenca t'i bëjë realitet edhe dy blerje të tjera,"ka thënë në fund të prononcimit të tij trajneri i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 23 Sep 2005 , 14:27

Teli: T'i rrëmbejmë vendin e dytë Besës

Skemat nuk kanë shumë rëndësi për të. E rëndësishme është të vihet në fushë shpirti i garës dhe kjo mjafton për të pasur sukses për një skuadër që është e përgatitur mirë. Ky është mendimi i njërit prej titullarëve të formacionit të Vllaznisë, pikërisht mbrojtësit Admir Teli. Nëse në Lushnjë në ndeshjen e fundit shumëkush e ka motivur atë fitore me ndërrimin e skemës së lojës nga ana e trajnerit Haxhiosmanoviç, për të nuk ka asnjë ndryshim nëse luhet me skemën 4-4-2 apo atë 3-5-2. "Nuk mendoj se shkaku kryesor i fitores ishte skema 3-5-2. Unë nuk shoh ndonjë ndryshim mes këtyre dy skemave, sepse për vetë nivelin e skuadrave të kmapionatit tonë kjo nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që në fushë një skuadër duhet të jetë e impenjuar dhe të vërë në lëvizje shpirtin e garës. Po të ndodh kjo edhe në ndeshjet e tjera të Vllaznisë, sidomos në ato jashtë fushës sonë, jam i sigurt që kemi për të marrë të tjera fitore,"ka thënë mbrojtësi 24-vjeçar Teli. Fitorja në trasfertën e Lushnjës javën e kaluar e ka rritur së tepërmi optimizmin në kampin shkodran. Megjithatë, shumë prej pjesëtarëve të skuadrës kuqeblu nuk kanë dëshirë ta konsiderojnë fitore kthese atë ndaj "lagunarëve". Të njëjtën ide ka edhe mbrojtësi Teli, që shprehet: "Kthesa jonë mendoj se nuk ka filluar në Lushnjë, por që në ndeshjen kundër peqinasve. E rëndësishme është që tani të mos e kthejmë kokën prapa për të parë pikët që kemi lënë, por të shohim përpara. Na duhet që në ndeshjet e ardhshme të gabojmë sa më pak, në mënyrë që të grumbullojmë sa më shumë pikë." Nesër Vllaznia do të presë në fushën e saj skuadrën e Besës, që me meritë mban vendin e dytë në renditje aktualisht. Por Admir Teli mendon se ka ardhur momenti që këto dy skuadra të ndërrojnë vendet në renditje, prandaj shton: "Nuk kam asnjë dyshim. Pas kësaj jave ne do të kemi ndërruar vendet në renditje me Besën. Luajmë në fushën tonë, por, përveç këtij fakti, mendoj se kemi edhe lojtarë më të mirë në skuadër se kavajasit." Mbrojtja e kuqebluve në ndeshjet e fundit e ka kryer mirë detyrën e saj. Loja e këtij reparti, ashtu si e gjithë ekipit, ka ardhur në rritje dhe kjo ngaqë pjesëtarët e tij merren vesh më mirë me njëri-tjetrin. Objektivat e klubit shkodran janë të qarta: ngjitja në krye të renditjes. Pavarësisht se për momentin renditja e kampionatit ka pasur edhe surpriza, Teli e ka të qartë se kjo situatë do të vazhdojë deri pas 2-3 javësh. Kohë kur, sipas tij, në krye kanë për të dalë ata që kanë qenë gjithmonë ekipe elitare. "Renditja aktuale e kampionatit mendoj se është provizore, sepse skuadrat ende nuk janë konsoliduar plotësisht. Jam i bindur se pas 2-3 javësh të tjera do të jetë krejt ndryshe. Në krye do të dalin ato skuadra që janë mësuar të jenë në krye. Kush janë ato? Për mendimin tim, Tirana, Dinamo, Vllaznia, pa harruar edhe Elbasanin,"ka thënë në fund të prononcimit të tij mbrojtësi i kuqebluve Admir Teli.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 23 Sep 2005 , 14:28

Belisha: Do të jem në fushë të shtunën

Mesfushori i Vllaznisë, Amarildo Belisha, pritet të jetë në fushë që nga minuta e parë të shtunën në ndeshjen ndaj Besës. Dëmtimi në kavilje e pati lënë jashtë skuadrës javën e kaluar për ndeshjen e Lushnjës dhe pritej që kjo gjë të ndodhte edhe këtë javë ngaqë lojtari ende nuk ishte bashkuar me skuadrën në stërvitje. Por vetë Belisha dje ka bërë të ditur se me shumë të ngjarë do të jetë i gatshëm për të luajtur në formacion të shtunën. "Ende nuk jam rigjeneruar plotësisht, por kam filluar të vrapoj dhe kësisoj mendoj të luaj të shtunën. Nuk mund të qëndroj jashtë skuadrës, kështu që do të sakrifikoj në njëfarë mënyre për të qenë në fushë të shtunën,"ka thënë ai. Ndërkohë, i dëmtuar është edhe Kapaj, por për të ende nuk ka një mendim më të qartë për rikthimin e tij në fushë, ndërsa dëmtimet e lehta të Patushit dhe Ndrekës duket se nuk përbëjnë ndonjë problem sa i takon aktivizimit të tyre.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 24 Sep 2005 , 11:33

Kuli: Ndaj Besës, shansi për golin e parë

Aktivizimi i tij në radhët e Vllaznisë që nga java e parë ka qenë i rregullt. I vendosur në formacionin bazë nga ana e trajnerit Haxhiosmanoviç, kavajasi i kuqebluve Bekim Kuli ende nuk e ka gjetur golin e shumëpritur prej tij. Kjo gjë natyrisht që e mundon shumë futbollistin 23-vjeçar, i cili ndërkohë nuk e përjashton mundësinë që të shënojë golin e tij të parë për skuadrën shkodrane pikërisht sot ndaj Besës së qytetit të tij të lindjes. "Natyrisht që më mungon shumë goli i parë me fanellën e Vllaznisë, por mbetem me shpresë që ta shënoj sa më parë të jetë e mundur, sepse kjo gjë do të më lironte shumë edhe nga ana psikologjike. A do të shënoj ndaj Besës? Ndoshta edhe po, nëse më jepet mundësia. Unë jam profesionist dhe, duke qenë i tillë, nuk kam pse të mendoj se ndaj kujt do të luaj," ka thënë lojtari që ka luajtur gjatë karrierës së tij, përveçse me kavajasit e tij, edhe me Gençerbirligin, Partizanin, Egnatian dhe Lushnjën. Por problemi i shënimi të golit nuk është dhe aq shqetësues për Kulin. Ai ka e të qartë se për momentin është duke sakrifikuar në njëfarë mënyre për skuadrën, teksa po luan në pozicione të ndryshme në fushë, prandaj dhe shton: "Nëse nuk kam shënuar deri tani në këto 4 ndeshjet që kam zhvilluar me Vllazninë, kjo ka ardhur edhe nga fakti që kam luajtur në pozicione të ndryshme. Një herë në krahun e djathtë të mesfushës, një herë në qendër dhe po ashtu edhe pas dy sulmuesve. Dhe gjithë këto lëvizje natyrisht që nuk më kanë dhënë mundësinë të shprehem ashtu si duhet para portës. Megjithatë, jam i kënaqur që jam duke luajtur si titullar te Vllaznia dhe shpresoj që ta gjej shpejt edhe golin e munguar."
Parashikimi i tij për ndeshjen e javës së kaluar në Lushnjë duket se ka rezultuar shumë me vlerë. Kuli u bënte thirrje shokëve të skuadrës të bënin kujdes nga lushnjarët, por, nga ana tjetër, duke e njohur edhe mentalitetin e tyre, ngaqë sezonin e kaluar ka qenë pjesë e kësaj skuadre, mesfushori me tipare sulmuese thoshte se, nëse Vllaznia luante me kujdes, mund të dilte e fituar nga "Roza Haxhiu". Dhe në të vërtetë ashtu ka ngjarë. Shkodranët nuk është se kanë zhvilluar ndeshjen e tyre më të mirë, por kanë marrë tri pikë dhe tashmë ndodhen në vendin e tretë në renditje. Një vend përgjithësisht komod për ta për momentin, duke pasur parasysh se pas dy javëve të para të kampionatit kuqeblutë e drejtuar nga ana e trajnerit Haxhiosmanoviç mbyllnin tabelën e renditjes. Nga ana tjetër, ngjitja e kësaj skuadre mund të vazhdojë, pasi me një fitore të mundshme sot ajo do të kalojë në vendin e dytë në renditje. Këtë gjë e beson edhe Bekim Kuli, i cili, ndonëse do të ketë përballë skuadrën e qytetit të tij të lindjes, do të japë më të mirën për Vllazninë që ajo të fitojë. "Jemi përgatitur për ta fituar këtë ndeshje dhe besoj se do t'ia arrijmë. Më vjen paksa keq ndoshta që do të ndërrojmë vendet me Besën, por tashmë jam pjesë e kësaj skuadre dhe dëshiroj të arrij rezultate sa më të mira me të," ka thënë në fund të prononcimit të tij mesfushori sulmues i Vllaznisë, Bekim Kuli.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 24 Sep 2005 , 11:34

Fushaj: Përveç fitores, asnjë rezultat tjetër

Numri 2 i klubit shkodran, zëvendëspresidenti Valter Fushaj, nuk ka dyshim se në ndeshjen e sotme ekipi që ai sponsorizon do të jetë fitues ndaj Besës së Kavajës. Ai e ka vlerësuar së tepërmi skuadrën që aktualisht mban vendin e dytë në renditje dhe ka bërë thirrje për të pasur shumë kujdes. Por nga ana tjetër, Fushaj ka theksuar se ky takim patjetër që duhet fituar. "Nuk kam asnjë dyshim që fitorja do të na takojë neve. Takimi me Besën është shumë i vështirë, pasi jo më kot kjo skuadër që arriti t'i marrë pikë edhe Tiranës brenda në fushën e saj. Megjithatë, unë nuk e konsideroj të pakalueshme këtë ndeshje. Ekipi ynë është i plotë dhe nuk ka arsye të mos mendojmë fitoren, kur lojtarëve u janë plotësuar të gjithë kushtet që kanë kërkuar," ka thënë ai.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 28 Sep 2005 , 13:51

Shehi: Nuk i mbaj mëri askujt në Shkodër

Natyrisht që nuk e ka çuar ndër mend një largim të tillë nga skuadra shkodrane. Megjithatë, durrsaku i portës, Orges Shehi, duke parë rrjedhjen e ngjarjeve, e ka menduar vetë largimin nga Vllaznia. Madje një vendim të tillë ai e ka marrë para se presidenca e klubit t'i komunikojë largimin nga skuadra, për shkak të formës jo të mirë sportive. I kontaktuar dje përmes telefonit, Shehi nga Durrësi do të sqaronte: "Tani jam në qytetin tim së bashku me familjen time. E kisha marrë atë me vete në Shkodër, duke u sistemuar atje dhe duke menduar se deri në fund të sezonit do të isha pjesë e Vllaznisë. Por futbolli kështu e ka. Nganjëherë planet nuk të ecin ashtu siç mendon dhe detyrohesh të ndërrosh ambient. Vendimin për t'u larguar nga Vllaznia unë e kisha marrë sapo dola nga mbledhja e së hënës me drejtuesit e klubit, para se ata të më komunikonin largimin nga skuadra. Vendosa të largohesha, sepse e pashë që te presidenca e klubit, apo dhe drejtues të skuadrës kishin filluar dyshimet për formën time. Duke qenë kështu, ishte më mirë të largohesha vetë, prandaj dhe e mora atë vendim. Unë nuk kam pse t'i mbaj mëri askujt, apo t'i them diçka ndonjërit. E kam të qartë se kur diçka nuk shkon në një skuadër, dikush duhet ta pësojë, paçka se në një humbje përgjegjësia bie mbi të gjithë dhe jo mbi një, apo dy lojtarë. Megjithatë, duke marrë me vete edhe kujtimet e mira të kohës që kalova në Shkodër, i uroj kësaj skuadre suksese në rrugën e saj. Sa për veten time, tani më duhet të pres ndonjë ofertë tjetër, sepse nuk u bë kiameti që ika nga Vllaznia. Jeta e futbollit për mua vazhdon."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 29 Sep 2005 , 16:06

"Deda": Duhet ta justifikojmë veten

Ka marrë "karton të verdhë" nga presidenca e klubit në mbledhjen e së hënës, megjithatë Dervish Haxhiosmanoviçi nuk është shumë i preokupuar nga paralajmërimi që ka marrë. Duke qenë i sinqertë me veten dhe gjithë të tjerët, "Deda" ka dashur të tregojë se nuk ka bërë asgjë keq deri tani për Vllazninë dhe do të vazhdojë të japë më të mirën për të. "Nuk ka asnjë problem nëse presidenca më ka dhënë "karton të verdhë". Për mua nuk ka shumë rëndësi edhe nëse ai është i kuq. E rëndësishme është që kam dhënë dhe do të vazhdoj të bëj gjithnjë më të mirën për këtë skuadër, që e kam shumë për zemër. Mendimi im është se nuk kam gabuar në asnjë moment deri tani në punën time, por nëse dikush është më i zoti dhe e bën më mirë punën, jam gati t'i lëshoj vendin,"ka thënë "timonieri" i kuqebluve. Në të vërtetë, trajneri nga Podgorica nuk e ka shumë të qartë se pse shumë njerëz mendojnë se faji i humbjes me Besën është vetëm i tij dhe ai duhej të largohej nga skuadra. "Kemi luajtur mirë me Tiranën, më kanë përgëzuar të gjithë. Kemi luajtur përgjithësisht mirë në Durrës, përgjithësisht fjalë të mira dhe po ashtu edhe për fitoret me Shkumbinin dhe Lushnjën. Vjen një moment që humbasim me Besën dhe shumëkush më konsideron fajtor vetëm mua. Nuk ka shumë problem kjo gjë, por megjithatë unë i mbahem mendimit tim, se kam bërë më të mirën për këtë skuadër, ashtu siç e kundërshtoj mendimin tjetër që skuadra është dobët fizikisht. Nuk ka se si të jetë kështu dhe për këtë po ju jap dy shembuj, pjesën e dytë të ndeshjes me Tiranën dhe pjesën e dytë të ndeshjes me Shkumbinin. Kjo tregon se skuadra ka përgatitje, por problem mbetet funksionimi i lojës së skuadrës. Disa prej lojtarëve që kemi në skuadër nuk po japin atë çfarë kërkohet prej tyre. Këtë besoj se e konstatuat edhe ju në ndeshjen e kupës kundër Veleçikut. Ndonëse përballë kishim një skuadër shumë më të dobët se ne, përveç Sinanit, që e zgjidhi gjithçka vetë, lojtarët tanë të tjerë nuk është se bënin diferencën me kundërshtarin," ka vazhduar më tej në prononcimin e tij trajneri i Vllaznisë. Por a do të jetë në gjendje skuadra ta përballojë si duhet kampionatin, edhe për faktin se tashmë në radhët e saj janë edhe tre lojtarë më pak pas përjashtimit të tyre? "Deda" mendon se jo, pasi të tre ata që u larguan nuk po e justifikonin ashtu si duhet aktivizimin në radhët e skuadrës shkodrane. "Dy malazezët që u larguan nuk patën ndonjë kontribut të madh për skuadrën, prandaj dhe nuk ka pse të ndihet largimi i tyre. Sa për Shehin, nisur edhe nga forma jo e mirë sportive që kishte kohët e fundit, besoj se edhe për të nuk do të ketë ndonjë ndikim. Aktivizimi i portierit Ndoja në vend të tij mendoj se ka për të qenë i suksesshëm edhe ngaqë e konsideroj me fat në fushë,"shton malazezi i stolit shkodran. Nesër Vllaznia ndërkohë do të jetë përpara një prove shumë të vështirë, teksa do të udhëtojë drejt Elbasanit, për t'u ndeshur me skuadrën kryesuese aktuale të renditjes. Për Haxhiosmanoviçin, paraqitja e skuadrës së tij në "Ruzhdi Bizhuta" mund të ketë shumë pikëpyetje brenda, prandaj në fund ai do të thoshte: "Probleme kemi, pasi mund të na mungojë edhe Kapaj për arsye dëmtimi. Por më kryesorja është që skuadra të mos luajë ashtu siç luajti ndaj Besës. Nëse bën një paraqitje të tillë, kuptohet nuk ke çfarë pret, përveç një rezultati tjetër negativ. Megjithatë, unë shpresoj që skuadra do ta bëjë kthesën e duhur."

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Mon, 03 Oct 2005 , 13:14

Fushaj: Kriza e Vllaznisë, jo prej trajnerit

Situata që po kalon klubi shkodran nuk është më e mira. Përkundrazi, shumë gjëra nuk shkojnë ashtu si duhet dhe ajo që pritet është ndryshimi rrënjësor i gjendjes. Projektet për këtë nuk mungojnë, megjithatë ajo që mbetet primare është fuqizimi i skuadrës me lojtarë cilësorë. Por nga ana tjetër, ditët e fundit në media janë lakuar edhe emra të ndryshëm trajnerësh si kandidatë të mundshëm për të zënë vendin e Haxhiosmanoviçit. Po ashtu, thuhet që Patushi dhe Ndreka, dy nga lojtarët titullarë të skuadrës, janë gati të largohen nga skuadra. Megjithatë, në mungesë të presidentit Çela, i ndodhur jashtë vendit për arsye pune, ai që ka marrë përsipër të sqarojë të gjitha këto gjëra ka qenë zëvendëspresidenti Valter Fushaj, do të shprehej:
Fushaj, një situatë aspak normale kjo që po kalon Vllaznia...
Unë nuk do ta quaja krejt kështu. Normalisht nuk jemi duke kaluar një moment të mirë dhe kjo po reflektohet edhe te rezultatet negative që skuadra ka arritur. Megjithatë, për fatin tonë të mirë, kampionati tashmë ndërpritet dhe në gjysmën e tetorit, me rihapjen e merkatos, do të kemi mundësi të rregullojmë disa gjëra që nuk shkojnë në skuadër.
Thatë që gjendja nuk është alarmante, por Vllaznia në 6 ndeshje ka marrë vetëm 6 pikë, nga 18 të mundshmet...
Duhej të kishim marrë më tepër, por, nga ana tjetër, përveç mungesës së fatit në dy takime, duhet ta pranojmë që edhe skuadra nuk ka qenë shumë e kompletuar. Disa nga blerjet që kemi bërë nuk kanë rezultuar efikase, prandaj dhe tani do të kërkojmë të sjellim në skuadër lojtarët e duhur që të synojmë pastaj atë që dëshirojmë. ? Kampionati i sivjetëm duket se do të ketë shumë risi brenda. E mendoni interesant edhe vazhdimin e tij?
Shumëkush mund të jetë çuditur se si na mundi Besa në Shkodër. Por unë edhe më parë jam shprehur se kjo skuadër mund të jetë surpriza e kampionatit të sivjetëm. Madje u kam thënë të gjithëve që edhe ndaj Dinamos kjo skuadër nuk do të dilte pa pikë dhe ashtu ndodhi. Po ashtu, e patë edhe se si humbi Tirana në Durrës. Në këtë mënyrë, unë e parashikoj shumë interesant vazhdimin e kampionatit dhe prandaj them se pas ndryshimeve që do të bëjmë gjatë tetorit, nuk jemi vonë në arritjen e objektivave që kemi.
Po flitet shumë për trajnerin, madje kanë filluar të qarkullojnë edhe emra trajnerësh që mund të zëvendësojnë Haxhiosmanoviçin. Sa të vërteta janë këto fjalë?
Në radhë të parë, dua të sqaroj se problemi i trajnerit nuk është thelbësor për ne. Kryesore është kompletimi i skuadrës me lojtarët e duhur. Sa i takon trajnerit, nuk kemi ende të përcaktuar qartë një mendim ashtu si duhet. Vetë Haxhiosmanoviçi është dukur herë pas here i lëkundur në pozicionin e tij, me gjithë mbështetjen tonë dhe kjo natyrisht që na ka bërë edhe të diskutojmë për këtë problem, por e përsëris, ende nuk ka asgjë konkrete.
Së fundi, keni besim se Vllaznia do të bëhet ashtu siç e dëshirojnë të gjithë?
Mendojmë se po, prandaj dhe jemi duke u bërë gati të investojmë sërish për sjelljen e lojtarëve të tjerë cilësorë. Nga fundi i javës që vjen presim të mbërrijnë tre futbollistët brazilianë që kemi paralajmëruar dhe po ashtu edhe ndonjë tjetër. Ndërkohë, sot ose nesër, pasi të kthehet edhe kolegu im Çela, do të ulemi dhe të bisedojmë edhe me portierin Grima, i cili mund të rikthehet te Vllaznia. Me gjithë këta afrime, mendoj se kemi për të ndërtuar atë skuadër që dëshirojmë ne, por edhe gjithë sportdashësit e zjarrtë shkodranë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Fri, 07 Oct 2005 , 13:20

Dedja: Do t'u rikthej besimin kuqebluve

Dje pasdite ka nisur menjëherë punën me skuadrën. Hysen Dedja, shkodrani i mirënjohur, ka marrë përsipër të drejtojë Vllazninë në një moment aspak të pëlqyeshëm për të. Por trajneri që e ka drejtuar edhe dy herë të tjera më parë këtë skuadër nuk trembet nga ky fakt. Përkundrazi, i vetëdijshëm për vështirësitë që do të hasë, ai u ka bërë thirrje futbollistëve të Vllaznisë të vënë në punë karakterin e tyre për ta nxjerrë skuadrën nga gjendja ku ndodhet aktualisht. Ndërkohë, për t'u veçuar është edhe biseda e djeshme e "Serit" më trajnerin që ka drejtuar deri tani skuadrën shkodrane, Dervish Haxhiosmanoviçin. Një bisedë kolegësh, nga e cila i tanishmi ka marrë këshillat e para nga i shkuari trajner i kuqebluve. "Për mua është një përgjegjësi e madhe të marr drejtimin e Vllaznisë në këto momente, por kurrsesi nuk mund ta bëj aq dramatike situatën ku ndodhet ajo tani. Ky është vetëm fillimi i sezonit dhe do të kemi edhe shumë kohë në dispozicion për t'i kthyer fytyrën e vërtetë Vllaznisë. Përkushtimi për këtë duhet të jetë shumë i madh jo vetëm nga unë, por nga e gjithë skuadra, sepse vetëm kështu mund të arrijmë atë që dëshirojnë drejtuesit e klubit dhe tifozëria shkodrane," ka thënë Dedja në të parin prononcim për mediat pas prezantimit të tij para ekipit. Ndërkohë, ajo çfarë ka kërkuar trajneri i ri tjetër nga futbollistët, ka qenë disiplina në stërvitje dhe në çdo moment tjetër të jetës së tyre sportive. Me këto fjalë ndoshta ai ka kërkuar t'u tërheqë "veshin" disa lojtarëve që kohët e fundit kishin shfaqur shenja pakënaqësie ndaj situatës së krijuar dhe prandaj nuk kanë munguar të shfaqin shenja të tilla. "Dua disiplinë në stërvitje dhe kudo tjetër. Nuk mund të pretendojmë të arrijmë aty ku duam nëse nuk jemi korrektë në marrëdhëniet me njëri tjetrin. Po ashtu, kërkoj prej jush edhe angazhim maksimal në të gjitha drejtimet, sepse duke i njohur mirë edhe aftësitë tuaja, nuk ka pse të keni frikë të ndesheni përballë çdo kundërshtari," u është drejtuar trajneri i sapoemëruar futbollistëve kuqeblu para stërvitjes. Në këtë mënyrë, për Vllazninë nis një kapitull i ri, ajo e epokës "Dedja III". Ky i fundit nuk ka nguruar dje t'u bëjë komplimente edhe donatorëve të skuadrës për besimin e treguar ndaj tij, duke premtuar se do të bëjë më të mirën për të justifikuar edhe shpenzimet e mëdha që ata janë duke bërë për këtë skuadër. Nga ana tjetër, Dedja ka sqaruar të gjithë lojtarët se te Vllaznia nuk ka vend për titullarë dhe lojtarë stoli. "Praktika ime e punës gjithnjë ka qenë që në fushë të luajë ai që ka formën më të mirë. Për mua nuk ka titullarë dhe lojtarë stoli. Prandaj lojtarët që janë sot aktualisht në skuadër nuk kanë pse të tremben se do të vijë ky apo ai lojtar. Në fushë do të luajë ai që do të ketë formën më të mirë. Këtë ta kenë të qartë të gjithë," është shprehur trajneri që zuri vendin e malazezit Haxhiosmanoviç në krye të skuadrës shkodrane.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Tue, 11 Oct 2005 , 13:14

Leandro: Jam borxhli ndaj Shkodrës

Ardhja e tij ndoshta mund të jetë më e mira sa i takon merkatos së tetorit për kuqeblutë e Vllaznisë. Vlerat e Leandro da Silvës i njohin mirë shkodranët, prandaj kanë këmbëngulur ta kenë sërish në skuadrën e tyre. Që në kontaktin e parë me tifozërinë e kësaj skuadre, braziliani shumë i ëmbël në përdorimin e topit i ka kënaqur pas masë të gjithë fansët e tij. Ndërkohë, në këtë intervistë të tij, Leandro shpjegon edhe arsyet pse zgjodhi sërish të luajë në "Loro Boriçi" dhe të refuzojë ofertën e Dinamos, skuadrës ndaj së cilës do t'i duhet të ndeshet që këtë javë dhe që braziliani premton se do ta mundin.
Leandro, ju ka befasuar besoj pritja që ju ka bërë publiku shkodran në miqësoren ndaj Kastriotit, apo jo?
Të them të drejtën, në njëfarë mënyrë e prisja këtë pritje të tifozëve shkodranë. Kjo sepse ata më kanë mbështetur dhe përkrahur shumë edhe herën e parë që isha këtu. Megjithatë, kjo pritje natyrisht që është një shtysë më tepër për të dhënë më të mirën në fushë për t'i kënaqur këta tifozë.
Përse pranuat të ktheheshit te Vllaznia kur ju ka kërkuar me ngulm edhe Dinamo?
U ktheva te Vllaznia sepse në njëfarë mënyre jam borxhli ndaj kësaj skuadre. Kisha lënë një kontratë në mes me të, ngaqë, siç e dini, u largova për në Brazili për arsye familjare. Po ashtu erdha sërish, sepse këtu në Shkodër jam gjendur gjithnjë mirë, më kanë dashur dhe, për më tepër, presidenca e klubit është treguar shumë korrekte me mua.
Në miqësoren e së shtunës ju kemi parë në pjesën e parë në krahun e djathtë të mesfushës, ndërkohë që në pjesën e dytë keni luajtur në qendër. Cili është pozicioni i preferuar për ju?
Kuptohet, ai i mesfushorit të djathtë, sepse aty shprehem më mirë, por herë pas here trajnerët më kanë aktivizuar edhe në pozicione të tjera, sipas nevojave të skuadrës. E rëndësishme është t'i shërbej në maksimum asaj, duke i bërë më së miri detyrat që do më kërkojë trajneri Dedja.
Ndeshja e parë të dielën kundër Dinamos, ish-skuadrës suaj më parë. Një ndeshje me emocione për ju?
Tani jam pjesë e Vllaznisë dhe do të mundohem të jap më të mirën për të. Me Dinamon vërtet kam luajtur më parë, madje edhe tani ajo insistoi që unë të shkoja sërish për të luajtur me të, por preferova Shkodrën edhe ngaqë këtu tashmë jemi disa brazilianë dhe ndihem më mirë. Të dielën do të bëj çmos që Vllaznia të fitojë e të fillojë të ngjitet në renditje, sepse, me sa kam mësuar, ajo ka kaluar një moment jo të mirë kohët e fundit.
Së fundi, keni shënuar ndaj Kastriotit. Do ta bëni të njëjtën gjë edhe ndaj Dinamos?
Në radhë të parë, e rëndësishme është që skuadra jonë të fitojë dhe nuk ka shumë rëndësi se kush do të shënojë. Unë nuk futem në fushë me këtë qëllim, megjithatë po m'u dha mundësia, nuk do të hezitoj ta bëj një gjë të tillë.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Sat, 15 Oct 2005 , 10:04

Fushaj: Kam besim te Vllaznia dhe Dedja

Vendimi i fundit i FSHF së për lejimin e hapjes së merkatos para së hënës, natyrisht që ka sjellë njëfarë gëzimi në radhët e shkodranëve. Natyrisht, kjo do të thotë që në fushë të dielën mund të shohim kundër Dinamos edhe tre futbollistët brazilianë që kanë ardhur ditët e fundit te Vllaznia. Në bazë të këtij vendimi, Leandro, Zheraldinjo, Rinaldo, apo dhe shijakasi Kelmendi, do të kenë mundësi të jenë në fushë kundër bluve. Si pasojë, trajneri Dedja duhet të bëjë të tjera plane për formacionin që do të hedhë në fushë nesër. Megjithatë, zëvendëspresidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ka shumë besim te skuadra dhe trajneri i ri. Praninë e brazilianëve në këtë ndeshje ai e sheh si arsye të kërkimit të fitores në këtë ndeshje, prandaj deklaron: "Mirë që u lejua që futbollistët brazilianë të federoheshin dhe të kenë mundësi të luajnë ndaj Dinamos. Sidoqoftë, edhe pa ata, objektivi mbetet po ai, fitorja. Jam i bindur se edhe pa brazilianët skuadra mund të paraqitet mirë dhe do të japë maksimumin në fushë. Me përjashtim të Patushit, që mungon, të tjerët janë po ata lojtarë që kanë luajtur në këto javë dhe nuk ka arsye të uljes së moralit të skuadrës." Ndërkohë, situata duket shumë më ndryshe që pas ndërrimit të trajnerëve. Në skuadër ka më shumë punë, më tepër rregull e disiplinë dhe si rrjedhojë edhe lojtarët e kanë kuptuar se nuk ka vend të sigurt në formacion. Trajneri Dedja ka ardhur me "dorë të hekurt" dhe për pasojë të gjithë futbollistët janë të angazhuar maksimalisht për të bërë më të mirën në ndeshjen e radhës kundër bluve. Në këtë takim duhet patjetër të vijë edhe kthesa e kuqebluve, të cilët në këto javët e para kanë zhgënjyer jo pak me paraqitjet e tyre. Numri 2 i klubit, Fushaj, beson te trajneri Dedja dhe skuadra që do të dalë në fushë nesër, prandaj i bën thirrje për të mos e mbivlerësuar kundërshtarin. "Dinamo është realisht ndoshta skuadra më e mirë e kampionatit, por ashtu si edhe ne, ka bërë shumë hapa të gabuar në këtë fillim dhe tani e tutje nuk do ia lejojë vetes gabimet. Megjithatë, jam shumë i bindur se ardhja e trajnerit Dedja në krye të ekipit tonë ka sjellë një tjetër mobilizim në radhët e lojtarëve dhe ata, po të japin maksimumin, jam shumë i bindur se Vllaznia ka për të dalë e fituar nga kjo ndeshje. Edhe mbështetja tifozëve nuk do të mungojë dhe nuk ka arsye pse të mos mendojmë se do ta fitojmë këtë ndeshje, por, siç e thashë, duke e pasur shumë kujdes Dinamon," ka thënë Fushaj në fund të prononcimit të tij. Në këto pozita, shkodranët janë duke u bërë gati për sfidën e nesërme, që është shumë e rëndësishme për ta. Një rezultat tjetër, përveç fitore, do t'i komplikonte shumë pozitat e tyre në renditje.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Mon, 17 Oct 2005 , 13:23

Deklarojnë pas ndeshjes Vllaznia-Dinamo:

Hysen Dedja, trajner i Vllaznisë: "Mund ta fitonim takimin, ashtu si edhe mund ta humbisnim për nga mënyra si shkoi loja. E rëndësishmja dhe ajo çfarë nxjerr unë konkluzion është se te Vllaznia ka lojtarë që nuk janë në gjendjen më të mirë fizike dhe këtu përmend dy brazilianët, apo dhe ndonjë tjetër. Kritika të mëdha kam për mesin e fushës, që nuk është ai repart që ka pasur gjithmonë në vite Vllaznia me atë grintën e saj, me atë egon e saj. Nga ana tjetër, kemi fituar Likën, që ishte ndër më të mirët, ndërkohë që besoj se edhe ekipi do të vijë duke e rritur lojën e tij."
Vasil Bici, trajner i Dinamos: "Pamë një ndeshje të bukur, me një lojë të hapur. E kontrolluam më shumë topin, sidomos në mesfushë, dhe ndoshta do të kishim dalë me tri pikë sot. Po vazhdojmë të vuajmë shpërdorimin e rasteve, prej të cilëve edhe në këtë ndeshje duhet të kishim dalë me tri pikë. Barazimi nuk na gëzon jo se nuk na bindi Vllaznia, por sepse na duhen më tepër se gjithçka pikët. Ndoshta me pak qetësi, me më pak fat, do ta kishim fituar këtë ndeshje."

Post Reply