Post
by Miri » Mon, 11 Feb 2008 , 15:51
Kapllani: Në "Loro Boriçi", humbje psikologjike
Llambi Kallço
11-02-2008
Sipas kapitenit, futbollistët nuk e kanë krijuar akoma besimin se mund të marrin pikë edhe jashtë
"Kemi humbur një shans për të marrë pikë në ndeshjen me Vllazninë." I këtij mendimi është kapiteni i "djemve të detit", Xhevahir Kapllani, sipas të cilit ekipi nuk tregoi grintën e ndeshjes me Besëlidhjen. Sipas Kapllanit, futbollistët nuk e kanë krijuar akoma besimin e duhur se mund të marrin pikë edhe jashtë fushës dhe ky faktor psikologjik ndikoi drejtpërdrejt edhe në ndeshjen me Vllazninë.
- Ç'do të thotë për ju kjo humbje, që rikthen fantazmat?
- Nuk mund të themi se kjo humbje rikthen fantazmat e vitit të kaluar, pasi ekipi është forcuar, por mund të them se nuk kemi krijuar akoma mentalitetin dhe psikologjinë e duhur se mund të fitojmë edhe jashtë fushe. Për mendimin tim, ky faktor ndikoi drejtpërdrejt në humbjen e ndeshjes. Pas golit që pësuam, reaguam dhe mund të barazonim, por nuk ditëm të gjejmë si duhet golin.
- A ka realisht forcë ky ekip të fitojë edhe në transfertë?
- Mendoj se po, nëse do të kemi mentalitetin e fituesit dhe jo të humbësit.
- Çfarë nuk shkon në mekanizmin e Teutës?
- E kam vështirë të jap një përgjigje për këtë, por mund të them se akoma nuk është formuar mentaliteti i duhur për të kaluar me sukses edhe ndeshjet në transfertë.
- Do të jetë jetike ndeshja e radhës me Kastriotin?
- Para ndeshjes me Kastriotin kemi ndeshjen e kupës me Turbinën, ku duhet të fitojmë me çdo kusht. Kupa për ne është një objektiv i rëndësishëm, ku nuk do të tolerojmë. Mund t'ju duket çudi, por ne do të luftojmë për të fituar kupën. Për sa i përket takimit me Kastriotin, mendoj se është një ndeshje kyçe e sezonit për ne. Një fitore do të na afronte me Kastriotin, duke shpresuar që ta kalojmë në renditje. Një barazim ose humbje do të na largonte nga synimet për të dalë nga zona e "play-out"-it.
- Si e vlerësoni kundërshtarin e radhës?
- Kastrioti ka një ekip solid. Pavarësisht nga humbja e thellë që pësuan me Tiranën, ata e treguan veten në ndeshjen me Vllazninë. Do të jetë një nga ndeshjet e vështira të sezonit, por edhe nga më të
rëndësishmet.
- Ç'do të thotë për ju fakti që pas 19 javësh keni vetëm 15 pikë?
- Më keq nuk ka se si bëhet, por shpresojmë që situata do të ndryshojë.