Post
by Man in Redblue » Tue, 11 Dec 2007 , 19:12
Tare, i mrekulluar nga Bernabeu: Këtu trembesh!
Altin Latifi, Gazeta Shqiptare
Mbrëmë rreth orës 19 ai dhe skuadra e Lacios kanë shkelur në barin e "Santiago Bernabeut". Igli Tare ka shkelur në shumë stadiume të botës, por mbrëmë mbetur i mrekulluar nga madhështia e impiantit të madrilenëve. Duke folur për "Gazetën Shqiptare" që nga mjediset e tij, Tare rrëfen se "Bernabeu" i kalon përmasat e të gjithë stadiumeve që ka parë deri më sot, teksa i gjithë ekipi bardhekaltër synon që sot të bëjë surprizën e madhe në Champions League. Lacios i duhet të fitojë sot në Madrid për të siguruar kualifikimin, një mision që për Taren nuk mund të arrihet lehtë duke parë ecurinë e skuadrës së Shuster në shtëpi.
Igli, nesër (sot) luani kundër Realit. Si duket atmosfera në skuadër? Duhet të ketë pak frikë apo jo?
Shiko, nuk mund të them frikë, pasi shanset tona për kualifikim janë minimale tashmë. Por ne do të tentojmë edhe pse fitorja dhe kualifikimi ynë do të ishte një surprizë e madhe si kanë ardhur punët.
Si ju duket "Bernabeu"?
Të them të drejtën tani sapo erdhëm këtu, është një stadium gjigand dhe mund të them se nuk kam parë ndonjëherë të tillë...
Kur të bën përshtypje edhe ty që ke luajtur në shumë stadiume të botës...
Është e vërtetë, por ky ka diçka më shumë nga të tjerët. Është madhështor, nga sa po shohim këtu është vërtetë impiant i veçantë.
Reali në fakt nuk ka shumë mbrojtës të gjatë, beson se do të të jepet shansi të aktivizohesh?
Eh, këtë nuk e di. Di vetëm që do të jem në pankinë, por edhe për këtë nuk mund të jesh shumë i sigurtë me një trajner të tillë. Gjithsesi më duhet të pres, nuk di të them nëse do luaj.
Lacio nuk ka një pozicion të mirë në renditje, sa shanse mendon se keni të bëni diçka kundër Realit të Madridit?
Besoj shumë pak. Unë e thashë që do ishte surprizë e madhe nëse ne do fitonim. Për më tepër që nëse shohim ecurinë e Realit në shtëpi, kupton shumë gjëra. Ata kanë mbi 15 ndeshje që vetëm fitojnë në fushën e tyre, kështu që nuk do të jetë aspak e lehtë.