Post
by kristian » Fri, 20 May 2005 , 09:11
Shumë lojtarë kuqeblu janë akoma me kontratë, por disa nga emrat cilësorë kanë marrë oferta nga ekipe të tjera
Vllaznia: Ka mjaft kohë për merkaton
Dështimi në këtë sezon natyrisht që ka lënë një shije jo të mirë te të gjithë simpatizantët dhe dashamirësit e futbollit shkodran. Asnjëri prej tyre nuk do ta dëshironte kurrsesi një paraqitje të tillë as sezonin e ardhshëm. Për këtë qëllim, të gjithë presin me sytë nga presidenca aktuale e Vllaznisë se çfarë do të bëjë. Skuadrat e tjera, kuptohet ato që gjithnjë konsiderohen pretendente, i kanë filluar lëvizjet e tyre prej kohësh. Në mos me firma të hedhura, të paktën kanë biseduar dhe i kanë lënë hapur gjërat për ditët në vijim. Ndërkohë, në kampin shkodran, ende punët nuk janë vënë në një vijë të tillë. Hapi i parë që duhet evidentuar, është mbajtja edhe për sezonin tjetër në skuadër e brazilianit Abilio. Kjo duket të jetë lëvizja e parë, por që nuk mjafton. Siç është bërë e ditur tashmë edhe përmes shtypit sportiv, disa prej skuadrave të tjera kanë hedhur "grepat" për disa prej titullarëve aktualë të Vllaznisë. Emrat e tyre tashmë janë bërë publikë dhe janë jo pak tundues. Sinani, Shehi, Lici, Belisha e ndonjë tjetër, i kanë gati ofertat për të ndërruar fanellë. Secili prej tyre, natyrisht, pret se çfarë do të ndodhë në radhë të parë te Vllaznia, për të nisur pastaj ndonjë aventurë tjetër. E sigurt duket që Partizani është skuadra që po tenton të mësyjë më tepër drejt futbollistëve të Vllaznisë. Burime pranë këtyre lojtarëve i konfirmojnë ofertat që kanë marrë nga Xhani dhe, megjithatë, asgjë nuk është e qartë. Në Shkodër, ndërkohë, nuk po nguten. Vetë presidenti Çela herë pas here është shprehur se është ende herët për të folur për merkato. Sezoni aktual ende nuk ka përfunduar dhe si i tillë ka shumë kohë derisa të nisë i riu. Për më tepër që Vllaznia sivjet nuk do të marrë pjesë në asnjërën prej kupave të Europës. Deri në korrik, kur mund të nisë stërvitja e kuqebluve, ka shumë kohë në dispozicion, por edhe nuk ka. Nëse presidenca shkodrane ka të piketuar si përforcime disa prej lojtarëve më të mirë të kampionatit tonë, nëse pritet korriku, do të jenë shumë të vonuar. Megjithatë, presidenti Çela ka premtuar se gjërat do të fillojnë të lëvizin aty nga mesi i qershorit, periudhë kur edhe mund të mësohen emrat e lojatrëve që do të veshin fanellën kuqeblu për sezonin tjetër. Deri atëherë duhet sqaruar problemi i kontratave të disa prej lojtarëve që janë aktualisht te Vllaznia. Sinani, Lici dhe Shehi duket se janë të vetmit që do të jenë të lirë pas përfundimit të këtij sezoni. Ndaj tyre normalisht nuk duhet vonuar oferta, por deri dje asgjë nuk është konkretizuar në këtë mes. E rëndësishme është që disa lojtarë të tjerë, si Belisha, Teli, Doçi, Ahi, Beqiri, Ndoja etj., kanë edhe nga një vit kontratë me kuqeblutë, që do të thotë se baza është, por mbeten vetëm përforcimet cilësore.
VLLAZNIA PER GJITHMON