Post
by iliriny » Tue, 07 Aug 2007 , 21:44
Hitaj: Leandro, hajduti i kampionatit shqiptar
Tiranë, 7 gusht - Përpara dy ditësh, skuadra e Vllaznisë prezantoi edhe dy blerjet e reja për sezonin e ardhshëm. Kështu, kuqeblutë kanë arritur të sigurojnë shërbimet e mbrojtësit afrikan Sasha Delain dhe të mesfushorit brazilian Leandro, të cilat menjëherë sapo janë prezantur, janë nisur për në Nikshiq dhe i janë bashkuar skuadrës për fazën përgatitore.
Por duket se kuqeblutë janë nxituar në vendimin e tyre duke qenë se këta dy futbollistë njihen tashmë për problemet që kanë pasur në klubet ku janë aktivizuar. Flamurtari pretendon se Delain është nën kontratë me këtë skuadër dhe ka dërguar në Federatën Shqiptare të Futbollit një notë ankese për këtë çështje.Gjithashtu, edhe skuadra e Partizanit ka dërguar një ankesë në institucionin e futbollit, me anë të së cilës kërkohet që Leandro të shlejë gjobën që i ka vendosur klubi i “kuq” për mosrespektim të kontratës. I pyetur për çështjen e këtyre dy futbollistëve, të cilët kanë hasur probleme në klubet ku janë aktivizuar edhe në sezonet e mëparshme, Shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Hito Hitaj sqaron gjithçka për këta dy lojtarë. “Përsa i përket dy futbollistëve që ju po pyesni, Leandro dhe Delain, mund të them se klubet e Flamurtarit dhe të Partizanit kanë dorëzuar nga një ankesë në Federatë, për të shqyrtuar gjithçka që ka lidhje me këta të dy. Klubet në fjalë i kanë vendosur gjoba lojtarëve, pasi nuk kanë respektuar kontratat që kanë psur me këto skuadra, dhe kërkojnë që ata t’i paguajnë këto gjoba. Unë jam duke e përgatitur të gjithë relacionin që do të vihet në dispozicion të Komisionit të Disiplinës, i cili do të shqyrtojë çështjen dhe më pas do të vendosë” shprehet Shefi i Garave, Hitaj. Ndërkaq, i pyetur për çështjen e kartonit të lojtarit Leandro, i cili ka deklaruar se e ka në Brazil, Hita Hitaj ka “shpërthyer” duke lëshuar një lumë akuzash shumë të rënda ndaj brazilianit Leandro duke e quajtur një hajdut të kampionatit shqiptar. Hitaj shprehet se nëse do të ishte kryetar i Disiplinorit do ta përjashtonte me ceremoni nga kampionati shqiptar mesfushorin nga Amerika Latine. “Ai të mos thotë lart e poshtë se e ka kartonin në Brazil, pasi gënjen. Braziliani Leandro mund të them se është një hajdut i kampionatit shqiptar. Ai kalon nga një skuadër në skuadrën tjetër dhe merr lekët duke mos respektuar kontratat. Nëse do të isha unë kryetari i Komisionit të Disiplinës, do ta përjashtoja me ceremoni këtë futbollist nga kampionati shqiptar” është shprehur jo pak i irrituar Shefi që menaxhon garat në “qeverinë” e futbollit shqiptar. Ndërkaq, një problem të ngjashëm ka pasur mesfushori brazilian edhe në sezonin e kaluar, duke qenë se ishte nën kontratë me Partizanin dhe kërkohej nga Vllaznia, në një kohë që duhej të respektonte kontratën me “të kuqtë”. Gjithashtu, edhe mbrojtësi Delain, i cili është aktivizuar me shumë skuadra në kampionatin tonë, ka pasur probleme të tilla. Gjithsesi, këta dy lojtarë janë prezantuar zyrtarisht nga skuadra e Vllaznisë si dy blerje cilësore dhe të fuqishme, duke nisur njëkohësisht edhe stërvitjen nën drejtimin e trajnerit kuqeblu, Mirel Josa. Por, ka shumë mundësi që këto blerje të dalin bllof, pasi do të jetë Komisioni i Disiplinës së Federatës që do të vendosë për fatin e dy lojtarëve, dhe gjasat duket se do t’i japin të drejtë fjalëve të Shefit të Sektorit të Garave, Hito Hitaj. Pritet, që organi disiplinor i institucionit të futbollit të mbidhet brenda kësaj jave
Kur do ta shohim Vllaznine kampion