U ka mjaftuar një gol bardhebluve për të parë nga kreu, ndërsa shkodranët dorëzohen në kampionat

Tirana tregon veten, në krizë mbetet Vllaznia

Vllaznia ‑ Tirana 0‑1

Shënues: Muzaka 28′

Vllaznia: Grima, Smajli, E.Beqiri, Mrvaljeviç, Doçi (Hallaçi 46′), Kasapi (Leandro 81′), Nallbani, Rustemi, Shtubina, Bala, Sinani. Trajner: R.Luçi.

Tirana: B.Nallbani, Bici, Pashaj, Lila, Ahmataj, Abraham, Karabeci, Devolli, Muka (Sefa 85′), Muzaka (Lilaj 67′), Memelli (Malindi 89′). Trajner: A.Tafaj.

Gjyqtarë: B.Pashaj, E.Doda, E.Biçaku (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Sinani, Mrvalejviç, Pashaj

“Radiografia”

10′- Aksion i Tiranës. Muka shërben për Abrahamin në hyrje të zonës së Vllaznisë, që gjuan fort me të majtën, por jashtë kuadratit të Grimës.

22′- Eshtë Bala që kërcen brenda zonës mbi mbrojtjen bardheblu, gjuan me kokë, por pa rrezik për portën e Nallbanit.

23′- Rast i rrezikshëm në portën e kampionëve, Mrvajleviç kroson drejt zonës, aty ku Sinani me kokë gjuan, por largon rrezikun Nallbani i vëmendshëm.

27′- Krosim mjaft i bukur i Ahmatajt për Muzakën, që përballë portës shkodrane gjunjëzon Grimën dhe shënon një gol mjaft të bukur. 0-1 për Tiranën.

32′- Shtubina hyn në zonën bardheblu me topin në zotërim, i shpëton mbulimit të Devollit, por në momentin e fundit ia largon topin në korne Pashaj.

35′- Memelli gjuan fort dhe bukur nga distanca, por topi kalon ngjitur me shtyllën e djathtë të Grimës.

37′- Kasapi pason saktë për Sinanin, që del i vetëm përballë Nallbanit, por ky i fundit e ka neutralizuar gjuajtjen e sulmuesit shkodran.

43′- Gjuan Sinani në hyrje të zonës, por “sfera” devijohet dhe përfundon në duart e “Tatës”.

48′- Kros i Shtubinës në zonë për njërin prej shokëve të tij, por më parë ka ndërhyrë mbrojtja e Tiranës që ka larguar rrezikun.

56′- Kros në zonë për Mrvajleviçin, që përballë katërkëndorit bardheblu gjuan në mënyrë të gabuar.

57′- Shtubina provon nga distanca me të djathtën, topi shkon drejt e në duart e portierit Nallbani.

76′- Kroson kapiteni Muka për Bicin, që ka lënë mbrojtjen dhe ka ardhur në ndihmë të sulmit, por është zënë në pozicion jashtë loje.

78′- Sinani, i ndodhur brenda zonës së Tiranës, i mbuluar aty nga një fanellë mike, jep asist për Kasapin, që përballë portës gjuan, por jashtë kuadratit të mbrojtur nga Nallbani.

90′- Bala provon me kokë i gjendur brenda zonës, por pa rrezik për portën e Tiranës.

Komenti

Vllaznia humbet edhe në Shkodër dhe i rëndon së tepërmi pozitat e saj në renditje. Ndaj një Tirane shumë të kujdesshme, shkodranët nuk kanë mundur të shënojnë asnjë gol dhe për rrjedhojë janë dorëzuar ndaj golit të Muzakës në pjesën e parë, i ardhur si meritë e një gabimi të pafalshëm të vetë atyre. Vllaznia u duk se kishte hyrë në fushë e karikuar për të arritur me çdo kusht fitoren, sepse pozitat e saj në renditje nuk ishin aspak të mira. Nga ana tjetër, Tirana luan vetëm me Memellin në sulm, duke pasur pranë edhe Muzakën në krahun e djathtë. Loja nis më mirë për vendësit, që kërkojnë të shohin shpejt drejt portës së Nallbanit. Trajneri Luçi ka bërë disa ndryshime në formacion për këtë ndeshje, për t’i dhënë më përparësi lojës në mesfushë, megjithatë edhe me Rustemin e Nallbanin në qendër, sërish sulmi ka pasur pak topa në dispozicion.

Ka ndodhur kështu, edhe sepse Shtubina, që dallohet për inkursionet e tij në të majtë, mbulohet mjaft mirë nga Lila gjatë gjithë kohës. Kur dukej se presioni i vendësve do të shtohej, vjen goli i miqve. Ahmataj nis një top të gjatë diagonal për Muzakën, që shfrytëzon një vendosje jo të mirë të Shtubinës, i ikën mbulimit të tij dhe përballë Grimës shënon. Një gol që do të vendoste fatet e ndeshjes. Me gjithë përpjekjet e Vllaznisë për të barazuar, ajo nuk ia arrin, sepse Tirana mbrohet mirë.

Pjesa e dytë nis me një zëvendësim të shkodranëve, ku Doçi ulet në stol dhe në vend të tij është Hallaçi, por sërish krahu i majtë nuk shtyn aq sa duhet përpara. Eshtë sërish e njëjta lojë me topa të gjatë në zonën bardheblu dhe shtatlartët e qendrës Bici e Pashaj janë në lartësinë e duhur. Kuqeblutë në 2‑3 momente i afrohen ndjeshëm golit, por nuk ia arrijnë dhe në fund në “Loro Boriçi” ka rënë “zija”. Ka vetëm akuza ndaj lojtarëve dhe stafit, njëkohësisht zhgënjim të madh te të gjithë.

Vllaznia sërish në vend të fundit dhe tashmë gjërat vështirësohen edhe më tepër. Ndërkohë, Tirana nuk është sjellë si një kampione dje, por si një skuadër që ka dashur pikët maksimale dhe ia ka dalë t’i marrë, duke vazhduar rrugën e saj drejt kreut, ndërkohë që Vllaznia do të ketë sërish probleme në të ardhmen. Eshtë për të ardhur keq për Vllazninë, por tani i duhet të luftojë për të mos rënë nga kategoria, edhe pse asnjë nuk vinte bast që ajo të bjerë. Ndeshja e radhës i gjen shkodranët në Korçë, aty ku të gjitha skuadrat e kanë pasur të vështirë të marrin qoftë një pikë. Ndërsa Tirana, pas kësaj fitoreje, ndihet edhe më e qetë, sepse rikthehet në shtëpi, tek gjen Shkumbinin, një kundërshtar që tradicionalisht e ka mundur në Tiranë.

Deklarojnë…

Roland Luçi, trajner i Vllaznisë: “Nuk ma merr mendja se ka shkodran që nuk është mërzitur sonte, prandaj edhe unë jam shumë i mërzitur. Vllaznia humbi sepse nuk shënoi gol, ndërkohë që Tirana një herë shkoi në portën tonë, shënoi një gol dhe mori fitoren. Jam pa gojë sot. Kemi dhënë më të mirën në fushën e lojës dhe të vjen keq që humbet në një mënyrë të tillë.

Vërtet Tirana tani është 7 apo 8 pikë para nesh, por në cilësi, e patë vetë, nuk është aspak më lart se ne. Pësuam një gol të çuditshëm pas një pasimi 50 metra diagonal, një vendosje e gabuar e lojtarit tonë dhe këtu mori fund gjithçka. Gjyqtari nuk pati ndikim në ndeshje, ndërkohë për të ardhmen nuk mund të them asgjë me saktësi, sepse di të them se po luajmë mirë dhe kjo është njëfarë garancie.”

Alban Tafaj, trajner i Tiranës: “Kemi arritur të fitojmë një ndeshje shumë të rëndësishme. Luanim përballë një skuadre shumë të fortë dhe morëm tri pikë shumë të vlefshme. Me këtë fitore do të vazhdojmë në rrugën tonë drejt kreut dhe e them hapur se Tirana do të jetë ndër skuadrat pretendente. Vërtet nuk bëmë ndonjë lojë të bukur, por në këto momente për ne kanë rëndësi pikët më shumë se gjithçka tjetër.”

Të veçanta

- Shumë zhgënjim në fund të ndeshjes te të gjithë shkodranët. Mbi të gjithë te tifozët, që nuk kanë ngurruar të lëshojnë edhe akuza ndaj futbollistëve dhe stafit. Të mërzitur janë shfaqur edhe pjesëtarët e stafit drejtues, të cilët kanë qëndruar mbi 10 minuta në pankinë.

- Tifozët shkodranë të pranishëm në stadium, sa herë që donin të kontestonin lojën e miqve, bërtisnin në kor “Luzi, Luzi”, si për të dashur t’i kujtojnë Tiranës humbjen e turpshme në Kupë.

- Rreth 4 mijë tifozë e kanë ndjekur këtë ndeshje, një numër i vogël ky, duke parë rëndësinë e saj.

- Tribuna VIP e “Loro Boriçit” ka qenë e mbipopulluar. Përveç dy presidentëve, Fushaj e Halili, kanë qenë prezentë edhe shumë personalitete të tjera.

s.shqiptar

Komentet