Laci bën të vogël Vllazninë, ndërsa dje në stadiumin e tij, për llogari të javës së tetë, e ka mundur me rezultatin 3-1. Në një mjedis elektrizues në shkallë, bardhezinjtë e drejtuar nga Stavri Nica ia kanë dalë të shënojnë tri herë në portën e Grimës, që gjithsesi duhet përgëzuar për pritjet deçisive, duke bërë që humbja e skuadrës së tij të mos ishte edhe më e thellë. Në fakt, pjesa e parë ka nisur e barabartë dhe në planin taktik është dukur se Vllaznia ishte më mirë e vendosur. Madje janë kuqeblutë që me Balën janë të parët pranë golit, ndërsa në minutën e 2-të kanë rrezikuar seriozisht. Laçi reagon menjëherë, por sulmuesit e tij do të ishin pranë golit vetëm në 21’. Malo ka hyrë në zonën mike, ka tribluar dy mbrojtës dhe më pas ka vonuar, duke bërë që rasti i krijuar të shkonte dëm. Ngacmimet në këto minuta janë të ndërsjelltë. Vllaznia duket më kërkuese dhe Sinani pati rastin më të mirë, teksa në fund të fraksionit të parë ka përplasur topin në shtyllë.

Pjesa e dytë është një tjetër histori. Laçi ka nisur me presion dhe çuditërisht kemi një stepje të lojtarëve miq. Mbrojtja shkodrane hapet dhe veprimet në krah të Laçit marrin më shumë inisiativë. Pikërisht nga kjo strategji, bardhezinjtë do të gjejnë golin e parë. Fillon në krahun e majtë, aty ku shfaqet i rrezikshëm Nimani. Shkodrani ka kaluar dy mbrojtës dhe ka pasuar saktë për Norën, që nga afër ka mposhtur Grimën. Nuk ka ndalesë me Laçin që sërish shkon në gol. Këtë radhë aksioni që prodhon golin e dytë është në kahun tjetër. Mustafaraj bën gjithçka mirë dhe pa harkuar në zonë. Beratasi Veliaj në një ditë të mirë ka nxjerrë nga arsenali i tij teknik një gjuajtje fluturimthi, duke e kaluar Laçin për herë të dytë në epërsi. Por entuziasmi në shkallë do të mbërrinte kulmin saktësisht në të 70’. Më i miri në fushë Valdano Nimani është “shpërblyer” me një gol personal. Mesfushori sulmues i Laçit ka konkretizuar veprimin e bukur të Mustafarait. Reagimi i Vllaznisë së shokuar vjen nga një zëvendësues. Kasapi ka ndërmarrë aksionin e tij nga krahu i djathtë, për të shënuar golin e nderit. Nuk ka histori. Në minutat përmbyllëse miqtë e rrisin presionin, por në Laç ka festë. Jemini që drejtoi perfekt dje ka vërshëllyer dhe bardhezinjtë kanë marrë tri pikë të arta, duke kaluar në renditje Vllazninë.

s.ekspres

Komentet