Kuqeblutë do ta marrin seriozisht këtë kompeticion, ashtu si në çdo sezon, duke filluar nga Tomori

Skuadra shkodrane, pasi ka arritur të gjejë fitoren e parë pas shumë javësh, atë ndaj Shkumbinit, kërkon edhe një tjetër. Këtë herë në ndeshjen e Kupës ndaj Tomorit të Beratit. Për këtë arsye, të pranishëm në këtë takim do të jenë thuajse të gjithë titullarët. Luçi dëshiron që më shumë sesa fitoren, të shohë sërish reagimin e skuadrës në fushën e lojës. Në këtë mënyrë, në një takim pa shumë rivalitet në pamje të parë, Vllaznia pritet të luajë me lojtarët e saj më të mirë. Këtë e ka vendosur stafi drejtues me në krye trajnerin Luçi.

Pikërisht ky i fundit ka ngulur këmbë që skuadra të ishte e plotë edhe në këtë takim, ndonëse të tjerë pjesëtarë të klubit i kanë sugjeruar vajtjen me formacionin e dytë. Por në fund ka vendosur trajneri i parë, i cili ka gjetur edhe mbështetjen e presidentit Fushaj. Për këtë arsye, ekipi shkodran ka zhvilluar seancën e fundit pasdite e djeshme dhe menjëherë pas saj ka marrë rrugën drejt Durrësit.

Natën e mbrëmshme e kanë kaluar te hotel “Leonardo” dhe sot paradite do të marrë rrugën drejt qytetit‑muze. Të vetmit lojtarë që nuk kanë udhëtuar me ekipin kanë qenë kapiteni Sinani dhe Smajli. Ky i fundit, siç dihet, ka thyer hundën në ndeshjen e fundit me Shkumbinin dhe është i pamundur për të luajtur, ndërkohë që për sulmuesin me përvojë, arsyeja e mosudhëtimit me ekipin, kanë qenë disa probleme muskulore në kofshë, që e kanë shqetësuar kohët e fundit.

Vetë trajneri Luçi ka menduar se nuk është koha për eksperimente. Aq më tepër në kupë, që mbetet një objektiv madhor për Vllazninë këtë edicion, ngaqë në kampionat ka më pak shanse për të pretenduar, nisur nga ecuria jo e mirë në javët e para. Për këtë arsye, një fitore dhe kalimi turi ndaj Tomorit, është detyrimi më minimal për kuqeblutë.

Përveç kësaj, duke luajtur formacioni më i mirë i mundshëm ndaj këtij kundërshtari të sotëm, sigurisht që edhe stafi drejtues do të kishte më tepër punë për të futur ato idetë e tij mbi mënyrën e të luajturit dhe taktikën e lojës. Sa për formacionin, duket se ai po vjen duke u kristalizuar dhe tashmë vetëm në një apo dy pika ka dyshime të vogla. Luçi do të testojë lojtarët e duhur në këtë ndeshje.

Përpos faktit që trajneri i ri është shprehur se përballë çdo kundërshtari të radhës, e ndërton mënyrën e lojës për t’iu përshtatur atij. Duke qenë kështu dhe meqë në fundjavë Vllaznia do të luajë në transfertë kundër Laçit, sot ndaj Tomorit pritet të jetë thjesht një test përgatitor pikërisht para kësaj ndeshjeje. Shkodranët pretendojnë të kenë lënë njëherë e mirë pas problemet e fillimsezonit dhe kjo do të vërtetohet më së miri edhe në këto 2‑3 ndeshjet e ardhshme. Pikërisht kjo është arsyeja që Luçi dëshiron të qëndrojë me “këmbë në tokë” dhe të mos ngutet në asnjë vendim që merr, por është duke u munduar të bëjë më të mirën e mundshme për çdo gjë.


Ndaj Laçit, sfida e vërtetë për kuqeblutë

Ndeshja e kësaj fundjave me Laçin konsiderohet një provë shumë serioze për Vllazninë. Këtë e kanë të qartë të gjithë, tifozë, futbollistë dhe mbi të gjitha stafi drejtues i kuqebluve. Vërtet skuadra tregoi shenja të mira ndaj Shkumbinit, sidomos në pjesën e dytë, por ato shpeshherë janë të pamjaftueshme për të thënë se Vllaznia u rikthye. Pikërisht për këtë, që të martën ka nisur puna për këtë ndeshje. Edhe sfida e sotme me Tomorin pikërisht do t’i shërbejë ndeshjes me Laçin. Luçi e ka thënë se skuadrën e tij e pret një ndeshje shumë e vështirë, por të paktën nga jashtë, shkodranët nuk tremben nga kjo përballje, madje janë të përgatitur seriozisht për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Në këtë mënyrë tashmë duhet pritur se çfarë do të ndodhë me kuqeblutë në ndeshjen e tyre të radhës.

s.shqiptar